Google search engine
Home Rajoni Kosova Haradinaj i ashpër me Mogherinin: Ke humbur kredibilitetin për ndërmjetësim dialogu

Haradinaj i ashpër me Mogherinin: Ke humbur kredibilitetin për ndërmjetësim dialogu

0
579

Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës kanë kryer dje një takim të dështuar me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, teksa këta të fundit i ftuan për të diskutuar krizën e fundit të marrëdhënieve me Serbinë. Në fjalën e tij para përfaqësuesve të BE, kryeministri Ramush Haradinaj ka radhitur pa hezitim pikat e ankesës nga Kosova, duke thënë se vendi nuk do të tolerojë idenë e shkëmbimit të territoreve dhe vonesën për liberalizimin e vizave, prandaj nuk do të heqë dorë nga bllokada ndaj Serbisë. Haradinaj është shprehur se BE po neglizhon perspektivën evropiane për Kosovën edhe pse ky është një nga prioritetet më të larta që ka shteti. “Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike, por ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Dhe kjo shumë lehtë mund të ketë qenë arritje e Evropës. Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigja që marrim nga BE, është gjysmake dhe e pashpresë”, është shprehur Haradinaj.

Ndërmjetësuesi humb kredibilitetin

Kryeministri gjithashtu fajësoi për krizën në marrëdhëniet me Serbinë, avancimin e idesë së shkëmbimit të territoreve. “Përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalë krejt nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit. Kjo ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet. Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë”, tha Haradinaj në një qëndrim tërësisht antagonist ndaj zyrtarëve evropianë, duke shtuar se për këtë qeveria ka krijuar tashmë dhe delegacionin e ri për dialogun.

BE: Shqetësim kryesor, taksa ndaj Serbisë e Bosnjës

Megjithëse kryediplomatja evropiane Federica Mogherini raportohej se kishte dalë e nervozuar nga salla e mbledhjes dhe anuloi konferencën për shtyp pas takimit, në deklaratën zyrtare për takimin thuhej se BE kërkoi heqjen e taksës tregtare. “Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe detyrimet kontraktuale, duke përfshirë në fushën e tregtisë dhe doganave. BE ka shprehur keqardhje për rritjen e tarifave të njëanshme të qeverisë për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si dhe imponimin e barrierave jotarifore dhe insistoi në heqjen e tyre të menjëhershme”, thuhet në komunikatën e BE. Në këtë komunikatë bëhet e ditur se BE-ja ka kërkuar po ashtu që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë –Serbi, duhet të zbatohen, ndërsa shtohej se liberalizimi i vizave kërkonte plotësimin e kritereve të dakorduara. 

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here