Edhe ditën e sotme kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfaqur sërish pranë banorëve të Astirit në protestë. Gjatë fjalës së tij para mediave, Basha paralajmëroi publikimin e një skandali lidhur me “Unazën e Madhe” ditën e nesërme si edhe përmendi emrin e biznesmenit të lidhur me krimin që do të ndërtojë pallate në atë zonë. Sipas Bashës biznesmeni është Edmond Bego. “Kjo është aferë korruptive. Kjo që them sot nuk është thjesht një gisht akuze ndaj Ramës. Çdokush e di që i vetmi njeri që mund të vërë në lëvizje ARRSH, ministrinë, bashkinë dhe ti lidhë veshët dhe sytë Arta Markut këtë qytetarët e dinë fare mirë. Nesër do publikojmë një pjesë tjetër të kësaj afere korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhës mbi 40 mln euro nga buxheti, por mbi këto rrënoja do të ndërtojë pallate shumëkatëshe. Ai është Edmond Bego, e mbani mend emrin e tij. Mos veprimi i Prokurorisë tregon kapjen nga Edi Rama. Në kushtet kur Prokuroria nuk vepron, qytetarëve u ka mbetur vetëm rruga e protestës”, tha Basha.