Vetingu shtrihet te udhëtimet, mobiliet dhe shpenzimet për arsimimin e fëmijëve të gjyqtarëve, KPK dhe ONM “gozhdojnë” Fatos Qaton

0
450

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka thelluar hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë në sitë. Ditën e djeshme dha llogari para trupës gjykuese gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Fatos Qato. Ai i është nënshtruar procesit të rivlerësimit me përparësi sepse më herët pati kandiduar të ishte anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në seancën që zgjati një orë e gjysmë, trupa gjykuese deklaroi se kishte vendosur që hetimin për Qaton të kryente vetëm për kriterin e pasurisë. Në lidhje me këtë kriter, trupa gjykuese tha se gjyqtarit i kishte konstatuar pasaktësi të shumta. Mes të tjerash ra në sy fakti se komisionerët e vetingut kishin kryer një hetim të thelluar deri tek udhëtimet që kishte kryer Fatos Qato, shpenzimet e tij për arsimimin e fëmijëve, por edhe për shpenzimet e përdorura për të blerë pajisje shtëpiake. “Në vitin 2012 subjekti ka kryer shpenzime që lidhen me likuidimin e qirasë së një automjeti të marrë në 2010, shpenzime arredimi, shpenzimi shkollimi për fëmijët e tij, shpenzime udhëtimi verifikuar nga TIMS, shpenzime jetese. Shpenzimet për shkollën e vajzës në Holandë rezultojnë në shumën 12 mijë euro, për vajzën tjetër 7 mijë euro dhe për djalin në shkollën private “Turgut Ozal” 3 mijë euro në vit. Shpenzimet për arredimin janë në shumën 25 mijë euro, shpenzime për kënd në shtëpi 5 mijë euro, të cilin subjekti ka deklaruar se e kanë blerë prindërit e bashkëshortes, me të cilët bashkëjeton. Nuk janë deklaruar shpenzimet për shkollën e fëmijëve si edhe 6500 euro për kurimin e subjektit në Gjermani”, u shpreh trupa gjykuese. Të gjitha këto shpenzime subjekti i rivlerësimit i kishte bërë në vitin 2012, por sipas KPK, në raport me investimet, Fatos Qato ka mungesë të ardhurash. Gjatë të njëjtit vit, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës ka deklaruar se blerjen e një makine tip “Renault” për 25 mijë euro, të marrë me kontratë qiraje financiare. “Kur është porositur kjo makinë, subjekti dhe bashkëshortja nuk kanë patur të ardhura të ligjshme për të. Subjekti ka kërkuar të merren në konsideratë edhe të ardhurat nga vjehrri dhe vjehrra, por përsëri është me bilanc negativ”, deklaroi trupa e KPK.

KPK dhe ONM “gozhdojnë” Qaton

Një tjetër pasuri me probleme e Fatos Qatos ishte edhe një apartament në rrugën “Muhamed Gjollesha”, fituar me kontratën e pronësisë individuale në vitin 1997, ku subjekti zotëron 50%. “Sipas parashikimit në kontratën e pronësisë, është parashikuar se çmimi i apartamentit është 28 mijë e 800 dollarë dhe do të paguhej me katër këste. Për këstin e parë dhe të dytë, subjekti ka vërtetuar me dokumentacion ligjor pagesën e tyre. Ndërsa për këstin e tretë dhe të katërt ka paqartësi dhe mungesë dokumentacioni për të provuar që janë paguar. Ai nuk provon me detaje datën, muajin dhe vitin se kur janë paguar dy këstet e tjera”, u shpreh trupa gjykuese. Për tu mbrojtur, Qato tha se nuk i kishte ruajtur faturat sepse nuk e dinte se do të vinte kjo ditë. “Para 20 vjetësh nuk e dija që do të vinte kjo ditë. Po ta dija do t’i kisha mbajtur të gjitha faturat”, tha ai. Pagesa e këstit të katërt për apartamentin shkaktoi debat mes përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe gjyqtarit të Apelit. ONM kërkoi të dinte qartë nëse ky këst ishte paguar apo jo, pasi sipas vëzhguesit, kjo nuk dilte e qartë as në sqarimet e subjektit, as në deklaratat e tij. “Ju keni pranuar që e keni paguar këstin e katërt. Por në përgjigje të KPK këtu në seancë, ju thatë se nuk e keni paguar kurrë këstin e katërt. A mund të na e sqaroni këtë mospërputhje? Cila është e vërteta? S’mund të jenë të dyja të vërteta”, tha ai. Në përgjigje, Fatos Qato sqaroi se një pjesë e këstit të katërt nuk është paguar sepse kishte arritur marrëveshje me pronarin meqenëse një pjesë të punimeve do të kryheshin nga gjyqtari vetë. Por as kjo përgjigje nuk e bindi përfaqësuesin e ONM. / Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here