Vijon zvarritja për çështjen e Izet Haxhisë, gjyqtarët japin dorëheqjen, pritet vendimi i KLGJ për fatin e dosjes “Hajdari”

0
406

Rigjykimi i çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit po zvarriten pafundësisht. Kjo pasi procesi ndaj Izet Haxhisë i njohur ndryshe dhe si dosja “Hajdari”, ka kaluar për shqyrtim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pasi trupa e dytë gjykuese e përzgjedhur me short nuk ka pranuar edhe këtë herë të marrë përsipër kërkesën e të dënuarit për rigjykim. Gazeta ka siguruar vendimin e dorëheqjes së tre gjyqtarëve Astri Haxhialushi, Genti Alushi dhe Valdete Hoxha të dhënë më 23 nëntor 2018, të cilët kanë vendosur të mos marrin përsipër të jenë ata gjyqtarët e çështjes me argumentin se kanë konflikt interesi pasi janë kolegë me Fatmira Hajdarin të venë e Azem Hajdarit. Për këtë trupa e parë e përbërë nga Shkëlqim Mustafa, Andi Civici dhe Fatmira Hajdari, bashkëshortja e të ndjerit Hajdari dha dorëheqjen dhe me short u zgjodhën tre gjyqtarë të tjerë. Por pas kërkesës së Haxhisë se kjo trup mund të ndikohet nga raporti dhe njohja që kanë me Fatmira Hajdarin u pranua dhe kjo kërkesë. Ndërkohë, në seancën e fundit edhe vetë Izet Haxhia kërkoi të gjykohet vetëm nga një trup gjyqtarësh të cilët më parë të kenë kaluar vettingun, ndërsa 3 gjyqtarit e emëruar i ka cilësuar më herët sit ë kapur politikisht dhe miq të gjyqtares Fatmira Hajdari.

Në kërkesën depozituar në procesin e dorëheqjes nëpërmjet avokatit, Izet Haxhia shkruante se nisur nga fakti që znj.Hajdari prej disa vitesh ushtron detyrën e gjyqtares së Apelit dhe për pasojë ka njohje e ndikim tek trupa gjyqësore e kësaj gjykate, kërkoj një tjetër trup gjykuese jashtë Gjykatës së Apelit Tiranë. Sakaq, kërkesa për rigjykim e Izet Haxhisë, i cili njihet dhe si ish truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha për gjyqtarë të cilët kanë kaluar vetingun dhe duhet të shqyrtojnë procesin e tij, pritet të shqyrtohet tanimë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Aktualisht, nga dita e mërkurë kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që përfshin dhe delegimin e gjyqtarëve i kanë kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili pritet të shqyrtojë edhe këtë çështje. Ndërkohë pritet caktimi i një tjetër trupe gjykuese për procesin e Izet Haxhisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here