Venger këshillon Zidane: Trajner të madh të bën vetëm Premier League

0
397

Trajneri Arsen Venger, aktualisht i papunë, vijon të japë intervista në media të ndryshme, të bëjë opinionistin në studiot televizive etj, por në asnjë rast nuk ka deklaruar se do të tërhiqet nga trajningu, duke shpresuar të gjejë një skuadër për ta drejtuar. Por ofertat nuk kanë qenë më të mirat, madje Venger refuzoi dhe një “sinjal” të Bajernit të Mynihut. Por Venger nuk resht së këshilluari. Së fundmi ai i ka dhënë ide të qarta edhe teknikut tjetër francez, Zinedin Zidane, duke i thënë se trajner të madh të bën Premier League angleze, pra duke e këshilluar të marrë drejtimin e ndonjë skuadre në futbollin elitar anglez. Në fakt, prej kohësh Zidane po sheh mundësinë e rikthimit në fushë, si trajner, por për momentin është në shqyrtim të ofertave. Mançester Junajtid është një mundësi dhe referuar këshillave të Vengerit ai mund të mendojë për të ardhmen.

Sipas mediave sportive angleze, por edhe atyre franceze, ish-trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, e ka këshilluar bashkëkombësin e tij, Zinedine Zidane, ta marrë drejtimin e ndonjë klubi të Premierligës, duke i nxitur kështu përsëri spekulimin për emërimin e ish-trajnerit të Real Madridit si trajner të Mançester Junajtid. Zidane tani ka mbetur pa punë pasi që u largua nga Real Madridi në fund të sezonit të kaluar, pasi u shpall kampion në Ligën e Kampionëve për tri vite radhazi dhe një herë e fitoi titullin e La Ligës. Një numër i madh i ofertave raportohet se i janë bërë Zidanet për shkak të sukseseve që i pati me “Los Blancos” gjatë vetëm dy viteve e gjysmë në pozitën e trajnerit. Klubi për të cilin është spekuluar më së shumti është Mançester Junajtid. “Po, pse jo? Nëse dëshiron të punosh në nivelin më të lartë, duhet të shkosh në Angli. Por tani ka disa pasiguri për shkak të “BREXIT”-it, pasi që nuk dihet nëse Premierliga do të vazhdojë të dominojë në aspektin financiar”, ka thënë Venger.

“Anglia është i vetmi vend ku gjashtë klube garojnë për ta fituar kampionatin. Në të gjitha vendet mund të themi në dhjetor se kush do të fitojë, por ka edhe vende si Franca, ku fituesi dihet edhe në shtator”, u shpreh Venger. Më pas ish-tekniku i Arsenalit kujtoi se për Zidanin është e vështirë të marrë drejtimin një skuadre dosido, sepse është mësuar me një top-ekip, sikurse është Reali i Madridit. “Ai është në një pozitë shumë të vështirë, ka qenë në klubin më të madh në botë dhe ai mund të shkojë tani vetëm te klubi i dytë më i madh në botë. Kjo do të thotë se ai është para dilemës a të shkojë për një projekt afatgjatë ose ta marrë një punë më ndryshe”, shtoi Venger. Në fund vjen dhe momenti që sipas Venger duhet vlerësuar seriozisht nga Zidane, që të lakmojë një projekt afatgjatë, pavarësisht emrit të klubit, por gjithmonë duke i rekomanduar Premier League angleze. “Do të thotë se ka diçka përballë, ose të marrë një projekt afatgjatë dhe të jetë i përfshirë në ndërtimin e një klubi. Tjetra është që të marrë përsëri një ekip që është i fortë dhe të fitojë përsëri Ligën e Kampionëve. Kjo nuk do të jetë e lehtë”, përfundoi Venger.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here