Strakosha “kërcënohet” nga ultrasit e Lacios, përgjegjës për zhgënjimet e ekipit

0
451

Thomas Strakosha është në qendër të kritikave nga një pjesë e analistëve dhe tifozëve ultras të Lacios, pasi është kapur “mat” nga kamerat teksa i thotë mbrojtësit Açerbi “mbylle gojën”. Një sjellje e tillë në një moment të lojës kur pësohet gol, për më tepër kur Lacio nuk i ka rezultatet e duhura, ka sjellë furtunë në rrjetet sociale, ku Strakosha akuzohet si i dhunshëm dhe egoist, për më tepër që fyen në mënyrë vulgare shokët e ekipit e sidomos ata të repartit të mbrojtjes. Në fillim ka pasur përplasje brenda dhomave të zhveshjes e më pas edhe në media. Është e qartë se gardiani i Kombëtares Shqiptare të Futbollit ndodhet në pozita të vështira, pasi kritikat kanë ardhur dhe nga një grupim i tifozëve ultras, të cilët i kujtojnë Strakoshës gabimet e shumta në ndeshjet vendimtare, e madje njëri ka shkuar deri aty sa t’i kujtojë që Lacio mbeti jashtë Champions League sezonin e shkuar pasi Lacion e mundi Interi në duelin e fundit direkt, në një ndeshje ku Strakosha bëri gabime të shumta. Gjithsesi, situatat rrokullisen dhe ka zhvillime të shumta në ekip, kështu që gardiani kuqezi është i fokusuar tërësisht tek ndeshjet e radhës të Lacios. Në të vërtetë, Lacio nuk di të fitojë dhe këtë po e tregon si në kampionat, ashtu edhe në Europë. Një nga më të kritikuarit te Lacio, është portieri shqiptar Thomas Strakosha i cili po merr kritika të shumta nga tifozët dhe mediat italiane duke vënë në dyshim edhe aftësitë e tij si portier. Megjithatë, vetë trajneri i Lacios, Simone Inzagi ka folur për mediat në lidhje me kritikat karshi Strakoshës, duke u kthyer në një ‘engjëll mbrojtës’ për gardianin kuqezi. Ai u shpreh se po flitet për një portier që është vetëm 23 vjeç dhe se nuk i meriton kritikat. “Nuk i meriton Strakosha kritikat. Nuk duhet harruar që po flasim për një portier të vitit 95 dhe që është vetëm 23 vjeç. As nuk duhet harruar që për 3 sezone, ai ka mbrojtur portën e një ekipi të rëndësishëm si Lacio”, u shpreh Inzagi. Është e qartë dhe për mediat se Strakosha në këtë moment po vuan situatën e vështirë të ekipit të Lacios, një gjendje që nuk gëzon askënd, pasi mungojnë rezultatet e mira të ekipit. Pozicionimi në top-4 duket i vështirë, për më tepër që në lojë ka hyrë fuqishëm Milani, i cili ka pasur rezultate relativisht më të mirë. Sidoqoftë, trajneri Inzagi, drejtori Tare, presidenti Lotito dhe pjesa më e madhe e klubit dhe e tifozëve kanë një besim të madh te vlerat sportive të portierit Thomas Strakosha. Mbrojtësi/ Gjimshiti në pikëpyetje përballë Lacios, shpreson të luajë në derbi me Strakoshën Fati i Berat Gjimshitit ka ndryshuar në mënyrë të paparashikuar këtë verë. Mbrojtësi ka pranuar se as nuk priste t’i bashkohej Atalantës në gusht, por dëmtimet e disa lojtarëve jo vetëm që i mundësuan që të kthehej te zikaltrit, por edhe të fitonte gjithnjë e më shumë hapësira. Tani, ai shihet si një bast i fituar nga Gasperini dhe në klub kanë parë me prioritet situatën e tij pak ditë para një ndeshje të komplikuar si ajo me Lacion. Gjimshiti vuajti një problem muskulor gjatë javës së kaluar dhe mungoi në sfidën kundër Udinezes. Por prania e tij duket e nevojshme në radhët e bergamaskëve për sfidën e radhës, ku ai duhet të kontrollojë Imobilen, sulmuesin më të rrezikshëm të skuadrës kryeqytetase. Ndaj gjatë ditëve të kaluara, Gjimshiti ka punuar me program specifik dhe me sa duket ia ka dalë të rikuperojë në kohë për duelin e të hënës. Që sot ai do të kthehet në stërvitje me grupin për të qenë i gatshëm për një fanellë titullari, ashtu si Etrit Berisha, përballë skuadrës që ka një numër të madh shqiptarësh në përbërje, pasi përveç Strakoshës te Lacio aktivizohen edhe Valon Berisha dhe Riza Durmishi. Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here