Sandër Lleshaj nis spastrimet në polici, efektivët e korruptuar do të zëvendësohen me ushtarakë, hapet rruga për largimin e Ardi Veliut

0
662

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dhënë sinjale se po mendon të largojë Ardi Veliun nga drejtimi i Policisë së Shtetit. Ardi Veliu e mori këtë detyrë gjatë kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj, por mesa duket Lleshaj po planifikon ndryshime rrënjësore në radhët e policisë, qoftë në nivel vartësish, ashtu edhe drejtorësh. Ditën e djeshme është dorëzuar në Kuvend projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”, i cili pritet të shqyrtohet nëpër komisionet parlamentare. Ajo që bie në sy është fakti se ministri i Brendshëm ka kërkuar që në ligjin aktual të Policisë së Shtetit të ndryshojë neni për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. “Këshilli i Ministrave emëron Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me propozim të ministrit përgjegjës, një nga punonjësit e policisë që mban gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë” dhe i jep gradën “Drejtues madhor”. Përveç kriterit të gradës,  kandidati i propozuar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet të plotësojë kriteret si vijon: të ketë vetëm shtetësinë shqiptare; të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit; të ketë integritet dhe figurë të pastër morale; të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë; të mos ketë masa për shkelje të rënda disiplinore të policisë brenda 3 viteve të fundit; dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës”, thuhet në nenin 13 të ligjit aktual. Por Sandër Lleshaj ka vendosur ta ndryshojë këtë nen, duke shtuar që në krye të Policisë së Shtetit mund të vendosen edhe persona nga strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, ku theksi vihet tek ushtarakët. “Shkronja “b”, e pikës 2, të nenit 13, ndryshohet, si më poshtë: “b) të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici ose në strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, nga të cilat, të paktën, 10 vjet në pozita të larta drejtuese në këto struktura”, thuhet në nenin e ndryshuar. Kjo do të thotë se Sandër Lleshaj mund të jetë duke përgatitur largimin e Ardi Veliut për t’i hapur rrugë më pas emërimit të ushtarakëve.

Ndryshimet e tjera në ligj

Në projektligjin e depozituar në Kuvend i hapet po ashtu rruga edhe pranimit në polici të ushtarakëve. Një gjë e tillë është e përcaktuar në nenin 40, ku thuhet se edhe ushtarakët që plotësojnë kriteret, mund të jenë pjesë e Policisë së Shtetit. “Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji. Për ushtarakët e shërbimit, pranimi realizohet mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet pas nxjerrjes në lirim të ushtarakëve nga  autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”, thuhet aty. Përmes kësaj lëvizjeje, Sandër Lleshaj po nis spastrimet në radhët e policisë. Ai po planifikon që të gjithë efektivët e korruptuar të largohen dhe në vend të tyre të emërohen ushtarakë me integritet, të cilët do të jenë edhe të besuarit e tij. Sipas projektligjit, pranimi i ushtarakëve do të realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke njohur  ruajtur vjetërsinë e shërbimit.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here