Kuvendi i Kosovës ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës. Ndonëse emri i FSK-së nuk mund të pësojë ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.
Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Seanca ka filluar me një minutë heshtje për të nderuar, siç u tha, “të gjitha ata që u vranë dhe sakrifikuan” duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Votimi është përcjellë me duartrokitje të gjata në Kuvend.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se me ketë votim po fillon një epokë e re për shtetin e Kosovës. Ai tërhoqi vërejtjen se në pjesën për mysafirë në Kuvend ishin të pranishëm edhe disa kadetë të FSK-së që po e prisnin këtë vendim.
“Nga ky moment zyrtarisht e kemi ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës të cilëve ua urojmë ushtrinë e Kosovës”, tha Veseli.
Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës po përcillet me një atmosferë festive në Prishtinë. Sheshet e kryeqytetit janë mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi atë.
Në seancën e Kuvendit kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.
Ndërkohë që një atmosferë ndryshe mbizotëron në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me popullatë serbe, ku sheshet e Mitrovicës Veriore janë mbushur me flamuj të Serbisë. Deputetët e Listës Serbe kanë bojkotuar seancën, duke kundërshtuar kështu vendimin për Ushtrinë.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar të premten që për të është “një ditë e rëndë”, por që Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes. Deklaratën e tillë Bërnabiq e ka bërë duke komentuar vendimin e autoriteteve të Prishtinës për transformimin në ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendim ky i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës.
“Për mua kjo është ditë e rëndë. Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Bërnabiq për mediat serbe.
Nëpërmjet këtyre tri ligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.