Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja u përball dje me procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi seancën dëgjimore me të në orën 13:00, ndërsa procesi i rivlerësimit për të ishte kryer në të trija kriteret. Sipas trupës gjykuese, ILDKP kishte dorëzuar një raport pozitiv për Arben Krajën, duke konstatuar se deklarimi i pasurisë nga ana e prokurorit Arben Kraja është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Ndërsa nga gjetjet e trupës gjykuese kishte rezultuar se Arben Kraja ka në zotërim: një shtëpi në Shkodër me sipërfaqe 117 m2 dhe truall 542 metra katrorë të përfituar përmes trashëgimisë. Kjo shtëpi është blerë nga prindërit e prokurorit në vitin 1956. Kraja zotëron gjithashtu një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë me vlerë 56 mijë euro si dhe 16.6 për qind pjesë takuese në një sipërfaqe toke në Gjirin e Lalzit në Durrës, e blerë për 466 mijë lekë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se prokurori Arben Kraja kishte burime të ligjshme financiare për pronat e mësipërme. I njëjti konstatim u arrit edhe për një makinë të blerë për 2 mijë euro nga bashkëshortja dhe një autoveturë tip “Benz” me vlerë 500 mijë lekë. Prokurori Kraja ka deklaruar se ka paguar këstin e parë prej 15 mijë eurosh të një apartamenti në Gjirin e Lalzit, vlera totale e së cilës është 130 mijë euro. Sipas KPK, Kraja ka burime të ligjshme për pagesën e këstit të parë. Relatorja Shuli tha se pas verifikimit të pasurive, për subjektin nuk janë konstatuar deklarime të pamjaftueshme, ka pasur burime të ligjshme si dhe nuk ka fshehje të pasurisë. Prokurori Arben Kraja rezultoi i pastër edhe në kriterin e figurës. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar nëse ai ka lidhje apo kontakte me krimin e organizuar, por nuk ka rezultuar diçka e tillë. Po ashtu, edhe Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë raport pozitiv për të. Ndërsa për kriterin e aftësive profesionale, ai është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme. I pyetur nga Komisioni për qëndrimin e tij, prokurori Arben Kraja u shpreh se falënderon trupën gjykuese për objektivitetin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi u vendos të shpallet më datë 17 dhjetor, ora 09:30.Kujtojmë që Arben Kraja njihet si prokurori qe ka hetuar Lulzim Bashën për aferën e rrugës së Kombit.








































