BE dënon rritjen e fuqisë së pushtetit mbi sistemin e gjykatave në Hungari

0
405

Në një përshkallëzim të konfrontimit të Brukselit me qeverinë konservatore të Hungarisë, parlamenti i Budapestit ka aprovuar dje krijimin e një sistemi të ri gjykatash për çështjet e administratës publike, i cili i jep kryeministrit Viktor Orban kontroll më të rreptë ndaj asaj që bëhet pjesa më e rëndësishme e gjyqësorit të vendit. Ndryshimet shkaktuan protesta në kryeqytet, ndërsa grupi civil evropian Komiteti hungarez i Helsinkit tha se sistemi i ri lejon qeverinë që ‘ligjërisht’ të mbushë vendet e trupit gjyqësor me njerëz besnikë të saj. Sipas ligjit të ri, ministri i drejtësisë jep verdiktin final për emërimet, ngritjet në detyrë dhe rrogat e gjykatësve të sistemit të ri, i cili do të përdoret për çështjet mbi policinë, autoritetet taksore, prokurimet publike, qeverinë lokale, çështjet zgjedhore dhe ato të medias. Opozita tha se kushtet e ministrit vënë në dyshim pavarësinë e gjykatësve dhe paanësinë e vendimeve të tyre, për çështjet ku qeveria apo shteti pritet të jetë një nga palët e padive. Gjykata ere dot nisë dëgjesat nga viti 2020 dhe pritet të drejtohet nga Andras Patyi, ish-kreu i komitetit zgjedhor të Hungarisë, i cili këtë vit i kërkoi falje kryeministrit Viktor Orban pasi e kishte gjobitur dy herë për fushatë elektorale me fëmijët pa lejen e prindërve.

Vendim politik për rritjen e influencës

Kreu i degës hungareze të grupit të të drejtave Amnesty International, David Vig tha se sistemi i ri është një vendim politik për rritjen e influencës së qeverisë. “Me këtë vendim qeveria po rrit influencën e saj mbi gjykatat. Ky është hapi i parë ndër masat e qeverisë për reduktimin e rendit ligjor,” tha Vig. Hungaria është aktualisht përballë një procesi ligjor të hapur nga BE për rrezikim të vlerave demokratike dhe rendit ligjor, ku vendi mund të humbasë të drejtën e votës në BE sipas procedurës së nenit 7, edhe pse ekspertët thonë se kjo masë është shumë e largët. Që prej rikthimit në pushtet të Orban në 2010, Hungaria është detyruar nga BE të anulojë ose amendojë ndryshime të shumta në sistemin ligjor, duke përfshirë dhe uljen e moshës së pensionit të gjykatësve. Në të njëjtën mënyrë është kritikuar dhe qeveria e Polonisë, e lidhur ngushtë me atë të Orban, e cila përballet me procedura penalizmi për pavarësinë e gjyqësorit.

 Qeveria: Protestat të paligjshme

Kabineti qeveritar tha dje se demonstratat në Budapest kundër ndryshimeve ishin të jashtëligjshme, ashtu si dhe sjellja e opozitës pro-evropiane që kishte tentuar të bllokonte kalimit e ndryshimeve. Zëdhënësi i qeverisë Gergely Gulyás, tha se opozita e kishte bërë veten qesharake me fishkëllimat e bilbilëve dhe bllokimin e foltores për të ndaluar votimin. “Ligjshmëria e votës është e padiskutueshme, ndërsa demonstratat në rrugë janë një formë  e lirisë së shprehjes dhe grumbullimit që mbrohen nga kushtetuta e vendit. Por duhet bërë kujdes që këto të praktikohen brenda kufijve ligjorë”, tha Gulyás duke shtuar se disa nga protestuesit kishin lëshuar objekte kundër forcave të policisë dhe kjo ishte e paligjshme. Ai shtoi më tej se mes demonstruesve kishte aktivistë të organizatave të financierit amerikan George Soros, operacionet e të cilit janë ndaluar në Hungari. “Disa nga protestuesit tregonin urrejtje për kristianizmin”, tha Gulyás. Mediat vendase thonin se në protestë ishin arrestuar 34 njerëz dhe 5 oficerë policie kishin marrë plagë të lehta. Gulyás e quajti ligjin e gjykatave një “arritje e rëndësishme”, dhe shtoi se ai mbështetet si nga akademikët dhe nga gjyqtarët.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here