Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka përshëndetur qëndrimin e Gjermanisë që po e kushtëzon progresin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se mendësia gjeopolitike e Serbisë duhet të ndryshojë rrënjësisht përpara se asaj t’i hapet rruga drejt BE “Përshëndesim qëndrimin e Gjermanisë, që po e kushtëzon progresin e Serbisë drejt BE. Mendësia gjeopolitike e Serbisë duhet të ndryshojë rrënjësisht përpara se asaj t’i hapet rruga drejt BE-së. Orientimi momental i Serbisë nuk është në përputhje me objektivat për integrim euro-atlantik që ka Ballkani. Kushtëzimi i Serbisë duhet gjithashtu të lidhet me ndërtimin e raporteve normale me fqinjët e saj dhe, mbi të gjitha, me ndalimin e menjëhershme të agresivitetit të saj kundër shtetit dhe popullit të Kosovës. Për paqen dhe sigurinë evropiane, kjo qasje e Gjermanisë duhet të bëhet politikë zyrtare e BE. BE duhet t’i ndihmojë popullit serb, sepse pa dyshim që ka nevojë për ndihmë për tu shkëputur nga e kaluara dhe nga orientimi i gabuar gjeopolitik. Kjo është me interes për paqen afatgjate në Ballkan”, shkroi Hoti.