Dyfishohen çmimet e biletave në Teatrin Kombëtar, 300 lekë në ditët e javës, 500 lekë në fundjavë

0
492

Qeveria dyfishon çmimin e biletës për publikun në katër ditë të javës në Teatrin Kombëtar, por rritje ka dhe në fundjavë. Deri tani çmimet e biletave për shfaqjet e Teatrit Kombëtar në ditë jave kanë qenë nga 150 lekë dhe në fundjavë nga 300 lekë. Por vendimin e qeverisë, çmimet e biletave në katër ditë të javës, të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten arrijnë 300 lekë. Në fundjavë bileta për shfaqjet që janë produksion i Teatrit Kombëtar të premten, të shtunën dhe të dielën nuk do të jetë më 300 lekë, por sipas vendimit të qeverisë do të jenë me çmimin 500 lekë. Vendimi i qeverisë merret në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3 të nenit 12 të ligjit nr. 10352, datë 18.11. 2010 “Për Artin dhe Kulturën” të ndryshuar, me propozim të Ministrit të Kulturës. Po sipas këtij vendimi thuhet se të ardhurat, që realizohen nga shitja e biletave do të përdoren 30 përqind për llogari të Teatrit Kombëtar, sipas limitit të përcaktuar në planin e shpenzimeve, dhe 70 përqind do të derdhen në buxhetin e shtetit. Sipas pikës 3 të vendimit, këto të ardhura nuk do të përdoren për shpërblimin e punonjësve, ndërsa ngarkohen Ministria e Kulturës dhe ajo e Ekonomisë së bashku me Teatrin Kombëtar për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi i qeverisë i datës 5 dhjetor 2018 është i botuar në fletoren zyrtare, por kërkesa për rritjen e çmimit të biletave është pohuar dhe më parë nga artistët. Tashmë jeta artistike e Teatrit Kombëtar është zhvendosur te “arTurbina” dhe çmimet e reja për shfaqjet do të vijojnë të aplikohen me veprat që do të jetë në atë skenë. Rritja e çmimit të biletave pritet që të sjellë dhe më shumë të ardhura për Tetarin Kombëtar edhe pse sërish vendimi i qeverisë 70 përqind të buxhetit nga shitja e biletave ia kalon buxhetit të shtetit.

 Shfaqje në skenë

 Për publikun në skenë te “arTurbina” mbrëmjet e datave 12, 13, 15 dhe 16 dhjetor vjen komedia “Tag”. Vepra shkruar nga Bashkim Hoxha në skenë me regji nga Andia Xhunga. ““Tag” rikthehet për t’ju falur më shumë buzëqeshje në këtë prag festash, në datat 12-13-15-16 Dhjetor ora 20:00 ,salla 400 në “arTurbina””, njofton teatri Kombëtar. Genc Shkodranin si skenograf, Berina Kokonën si kostumografe dhe Agim Krajkën dhe Saimir Çilin si realizues të muzikës. Pjesë e rëndësishme e komedisë janë edhe aktorët të cilët janë Olta Daku,Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muça, Naun Shundi, Mehdi Malka, Ardian Cerga, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku,Genti Deçka si dhe Rajmonda Bulku. Nga vetë titulli, “Tag”, kuptohet që vepra lidhet me rrjetet sociale, të cilat janë kthyer në një virus, pse jo edhe shkatërrues për shoqërinë. Dramaturgu nxitet nga një shqetësim i së përditshmes për të ndërtuar një vepër, e cila nuk të bën vetëm të qeshësh me situatat e krijuara prej ngatërresave e krijuara pikërisht nga komunikimi virtual mes njerëzve, por edhe të reflektosh mbi largësinë shpirtërore që kanë mbjellë rrjetet sociale. Në mënyrë ironike, autori i ka vendosur ngjarjet në një fshat, i cili i ka harruar të gjitha punët dhe është zhytur në “Facebook”. Tag” ishte e para në skenë këtë sezon artistik për Teatrin Kombëtar. Është një nga veprat e lexuara në “Netët e dramës shqipe”, e cila fitoi të drejtën për t’u ngjitur në skenën e teatrit, dhe për të qenë pjesë e repertorit të tij. Nga vetë titulli, “Tag”, kuptohet që vepra lidhet me rrjetet sociale, të cilat janë kthyer në një virus, pse jo edhe shkatërrues për shoqërinë.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here