Myslim Pashaj: Pakti i ri detar me Greqinë rrezikon të bjerë në kthetrat e marrëveshjes së parë, Athina s’duhet të lejohet të na marrë territorin

0
526

Ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë Myslym Pashaj, i njohur tashmë dhe si Koloneli i Detit, ka ngritur dyshime se marrëveshja e detit që po negociohet tani me Greqinë mund të bjerë në kthetrat e asaj të vitit 2009. Në këtë vit qeveria “Berisha” i fali territor Athinës, por që më pas gjithçka u ndalua nga Gjykata Kushtetuese. Momentalisht Shqipëria e Greqia janë duke negociuar për një pakt të ri, por që sipas Pashajt, ka shumë pikëpyetje mbi këtë çështje. Në një shkrim për gazetën “SOT”, Pashaj sqaron si për autoritet shqiptare dhe për ato greke, nëse vendi ynë ka zonë ekonomike në Ngushticën e Otrantos apo jo. Duke marrë shkas nga një deklaratë e ministri Plotësues i Jashtëm grek, Georgios Katrugalos se Greqia do të tentojë të zgjerojë terrorin e saj sa i takon Zonave Ekskluzive, Pashaj shprehet se dhe vendi ynë ka Zona Ekonomike Ekskluzive dhe nuk duhet të lejohet që ato t’i marrë Athina.

Rreziku i paktit Greqi-Shqipëri

E nisim shkrimin me këtë pyetje therëse për vetveten tonë të mjeruar, për kokëuljen dhe inferioritetin skajor ndaj fqinjit jugor, Greqisë për cenimin e Integritetit Territorial të Shqipërisë, ditën për diell, si askund në botë. A ka Shqipëria Hapësirë Ekonomike Ekskluzive në Ngushticën e Otrantos? Marrëveshja për delimitimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese është unikale, e vetme në llojin e saj. Tani po kryehet Rinegocimi. Që në fillim duket se ky Rinegocim po bie në kthetrat e Marrëveshjes së vitit 2009. E pabesueshme, sigurisht. Greqia arriti në mënyrë aq të butë të pushtonte pjesë të Detit Territorial dhe Hapësirë Ekonomike Ekskluzive në Ngushticën e Otrantos. Kurse Shqipëria kokëulur, inferiore pa dinjitet, me lëshim territori dhe cenim real i integritetit territorial, historia do ta mbytë në detin e turpit.

Pretendimet e grekëve

Në një intervistë të ditëve të fundit, ministri Plotësues i Jashtëm grek, Georgios Katrugalos është përgjigjur ndaj një pyetjeje se çfarë do të bëjë Athina për Zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon. Dhe shpjegohet troç e krenarisht se Greqia do të promovojë ligjërisht zgjerimin e territorit të saj detar në detin Jon, pasi është një e drejtë sovrane e padiskutueshme, e njohur nga Konventa mbi të Drejtën e Detit. Ky është synimi i Greqisë në Otranto. Kuptohet lehtë se në Marrëveshjen e re që po kryhet, ka gjasa, Greqia e ka fituar zgjerimin e 12 m.d. në Othonoi me një efekt të plotë dhe pas kësaj sipas parimit të vijës së baraslarguar kërkon të fitojë edhe HEE. Jo me kot Greqia bllokun nr. 1 të kërkimeve për naftë dhe gaz e ka parashikuar në këtë hapësirë.

Qeveria Berisha duke marrë parasysh si metodikë të vetme “Vijën e Mesme , të baraslarguar” lëshoi hapësirën detare historike dhe tradicionale në Ngushticën e Otrantos dhe kanalin e Korfuzit, në Hapësirën Ekskluzive Ekonomike dhe në Detin Territorial, duke përdorur si vija bazore detyruese gjithë formacionin e ujdhesave dhe shkëmbinjve para ujdhesës Mëmë Korfuzit. E tëra kjo në kundërshtim me UNCLOS-82 që trajton faktorët gjeografikë si rrethana speciale dhe titujt historikë.

Zona ekonomike

Para pak kohësh Ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, solli kumte të rëndësishme për Marrëveshjen e Delimitimit të Detit. Ishte një lloj tejdukshmërie për ecurinë e Negociatave Detare me Greqinë dhe mbi dorëzimin të një draft-marrëveshjeje palës greke. Fjalët, shpjegimet, statistikat, terminilogjitë, kriteret etj, mbase nuk mund t’i lihen në shpjegim të ministrit, që t’i shtjellojë, por i duhet dhënë specialistëve të institucioneve përkatëse shqiptare që të hyjnë në detaje aq të nevojshme për të ndricuar opinionin public shqiptar. Nuk thuhet asnjë fjalë nëse Shqipëria ka Hapësirë Ekonomike Ekskluzive në Otranto (!!) Ceket në një absurd grafik se Shqipëria dhe Greqia kanë një pikë të vetme ku ndërpritet njëllojshëm zgjerimi në 12 m.d. Në drejtim të perëndimit mbeten pas rreth 300 km2 Det i Puqur, tej 12 m.d. për t’u ndarë midis brigjeve detare të Karaburunit kundruall ujdhesës Othonoi. Nuk thuhet askund nëse pala Greke e ka pranuar parimin e Ekitesë= Equitable Solution për të drejtat e kësaj ujdhese. Kjo të lë të dyshosh se HEE sërish kalon në pushtim të plotë të fqinjit jugor, kjo zonë jetike historike-ekonomike dhe strategjike për Shqipërinë. Dhe ja ligjerimi i homologut grek: “Greqia do të promovojë ligjërisht zgjerimin e territorit të saj detar në detin Jon, pasi është një e drejtë sovrane e padiskutueshme, e njohur nga Konventa mbi të Drejtën e Detit”. Ndërsa në Shqipëri askush nuk flet për të drejta Sovrane. Dhe kjo është e pakonceptueshme! Siç dihet vendimi për zgjerimin e hapësirës detare në Jon dhe Egje, nga Athina, të nesërmen, u prit nga Turqia me “Casus Belli = gjendje të një konflikti Lufte”. Lexuesi i këtij shkrimi duhet që të na ndjekë me përfytyrim në një figurë hartografike që shfaqet në shkrim, se ku ndodhet Hapësira Ekonomike Ekskluzive në Otranto, përmidis tre shteteve: Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Për këtë term e për këtë çështje aq të koklavitur në të drejtën e detit, gjatë këtij viti të rinegocimit nga pala shqiptare, nuk flitet fare.

Vendimi i Kushtetueses

E për të gjithë lexuesit po përcjellim edhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kriteret e së Zgjidhjes së Drejtë dhe të Ndershme lidhur me praninë e ishujve:

92. Përveç kësaj, siç u theksua me sipër, me rrethana të veçanta përgjithësisht kuptohet konfigurimi i bregdetit, prania e ishujve, etj. Për këtë arsye, pavarësisht debatit teorik lidhur me dallimin ndërmjet kuptimit të shprehjes “rrethana të veçanta” të nenit 15 të Konventës dhe “parimeve të Ekitesë”, me të drejtë theksohet se përmes nocionit “rrethana të veçanta” edhe në këtë rast synohet të shmangen padrejtësitë që mund të vijnë si rezultat i zbatimit mekanik të metodës së Vijës së Mesit (ekuidistante). Pra, në thelb, nëse konstatohen rrethana të tilla (të veçanta), edhe në delimitimin e Detit Territorial kërkohet zbatimi i parimit të Ekitesë. Kjo konfirmohet edhe nga praktika dhe jurisprudenca ndërkombëtare.

89. Në fund, për të verifikuar nëse elementet e marrë në konsideratë kanë garantuar ose jo zgjidhje të drejtë e të ndershme, zbatohet i ashtuquajturi test i proporcionalitetit, si aspekt i kontrollit të parimit të Ekitesë, i cili merr në konsideratë apo vendos në raport të drejtë hapësirat detare të përfituara nga secili shtet bregdetar, në përputhje me kriterin respektiv të zbatuar, që zakonisht është gjatësia e bregut, madhësia e ishullit, etj.

Masat që duhen marrë

Shqipëria e ka Hapësirën Ekonomike Ekskluzive në Otranto dhe në bazë të Konventës së Montego Bay-it, s’do do ta lërë atë që të kërcënohet dhe pushtohet padrejtësisht, çka mirëfilli, nuk mund të jetë faji i Greqisë, por marrëzisë fatale së vetvetes sonë tragjike. Kjo s’mund të ndodhë kurrë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here