Tre javë pas vendimit, Prokuroria ankimon vendimin ndaj Shullazit dhe bandës së tij

0
412

Kur kanë kaluar gati tre javë nga dënimi i Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, prokuroria ka ankimuar vendimin. Organi i akuzës ka depozituar kërkesën e ankimimit, ku kërkohet shpallja fajtor e Emiljano Shullazit dhe 4 anëtarëve të grupit të tij për të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata nuk e gjeti fajtor këtë grup për të gjitha episodet për të cilat i akuzonte prokuroria. Sipas gjykatës nuk kishte prova që Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endri Qyqja, Endri Zela dhe Blerim Shullazi të kishin kërcënuar dy profesorët Dhori Kule dhe Mënyr Koni me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga gara për rektor. Gjithashtu për togat e zeza nuk faktohej se ishin këta persona ata që kishin hedhur tritol në biznesin e Adriatik Kërçukut në Lushnje dhe që kishin kërcënuar dhe vënë tritol në garazhin e Jani Zakës. Prokuroria e ankimon këtë vendim një javë pas ankimimit të mbrojtjes. Kujtojmë që javën e kaluar 5 avokatët mbrojtës të Shullazit dhe pjesëtarëve të grupit të tij, kanë depozituar në apel animimin ndaj klientëve të tyre duke kërkuar pafajësi për klientët e tyre. Sipas tyre gjykata dënoi Shullazin dhe antarët e tjerë të grupit si pasojë e një presioni të madh të jashtëm që kanë pasur nga politika dhe ndërkombëtarët. Gjithashtu në kërkesën e tyre drejtuar apelit ata shprehen se organi i akuzës ka ngritur ndaj të pandehurve akuza pa prova, të cilat gjykata i ka provuar. Sipas avokatëve ata kërkojnë rrëzimin e kërkesës për grup të strukturuar kriminal, pasi sipas tyre në asnjë moment kjo akuzë nuk është vërtetuar dhe nuk është pranuar nga gjykata. Pas ankimimit të prokurorisë dhe avokatëve, pritet hedhja e shortit të gjyqtarëve të Apelit për këtë dosje dhe të nisë procesi në Apel ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij. Kujtojmë se më 13 nëntor pas gati 50 seancash gjyqësore ndaj këtij grupi të dyshuar kriminal, togat e zeza të krimeve të rënda, të kryesuara nga Fran Prendi, dënuan këtë grup me 55 vite burg. Krimet e Rënda dënuan me 14 vite burg Emiljanon Shullazin, i konsideruar si kreu i këtij grupi kriminal. Shullazi u dënua për akuzën e gjobëvënies dhe atë të krijimit të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e kanosjes ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni si dhe për shkatërrimin e pronës në rastet e vënies së tritolit në garazhin e Jani Zekës dhe biznesit së Adriatik Kërçyku. Ndërkohë mbështetësi kryesor i Shullazit, Gilmando Dani u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 12 vite burg. Gjykata dënoi me nga 10 vite burg dy antarët e tjerë të bandës, Endri Qyqa dhe Endrit Zela, ndërsa Blerim Shullazi u dënua me 10 vite burg. Gjykata dha gjithashtu një masë shtrënguese, që të pandehurit të mos përfitojnë nga e drejta e lirimit me kusht, dhe dënimin do e kryejnë në një burg jo të sigurisë së lartë.

Akuzat dhe dënimi i Shullazit

Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtor nga gjykata për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqajt. Kjo vepër penale sipas gjykatës është kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimi i prokurorisë, ka rezultuar se, ka qenë fillimisht biznesmeni që ka kontaktuar me Emiljano Shullazin dhe pas këtij takimi janë bërë edhe 4 takime të tjera. Beqja ka kontaktuar me Shullazin, me qëllimin që ta ndihmojë në lidhje me procedurat mbi pronësinë e hotel “Vollgës”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se duke vepruar si grup i strukturuar kriminal kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare. Ndërkohë Emiljano Shullazi është shpallur i pafajshëm nga gjykata për kërcënimin e bërë ndaj dekanit Mynyr Koni dhe rektorit Dhori Kule. Referuar pretencës së prokurorisë, Konit i është afruar një makinë e zezë, ata kanë hapur xhamin dhe e kanë ftuar që të futej në makinë. Pasi është futur në makinë, i kanë thënë se duhet të jepte dorëheqjen nga pozicioni dhe gara. Ky deklarim i dekanit, mbështet nga veprimi i tij për të dhënë dorëheqjen, kohën dhe momentin që e ka bërë. Por kërcënimit për shkak të detyrës, nuk i ka shpëtuar as rektori Dhori Kule. Sipas prokurorisë, këtij të fundit, i kanë dalë para 3 makina me xhama të zinj, ku dikush i kishte thënë se nuk duhet të ndalonte Konin të jepte dorëheqjen.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here