Në kuadër të implementimit të projektit ADNICH, i cili bën pjesë në programin e bashkëpunimit ndërkufitar Interreg IPA II Itali, Shqipëri, Mal i Zi 2014-2020, ku Universiteti i Arteve është një nga partnerët e tij përfitues, sektori i projekteve pranë Rektoratit të UA zhvillon sot një takim informues. Projekti ADNICH “ADriatic Network of artistic production for the development and enhancement of Intangible Cultural Heritage” (Rrjeti Adriatik i produksioneve artistike për zhvillimin dhe shtimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale) bën pjesë në propozimet që kanë si objektiv kryesor të programit Interreg IPA II Itali, Shqipëri, Mal i Zi, menaxhimin inteligjent të trashëgimisë kulturore e natyrore për shfrytëzimin e turizmit të qëndrueshëm ndërkufitar dhe të atraksionit territorial. Projekti ADNICH propozon krijimin e një rrjeti të Adriatikut Jugor mes Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, i cili do të duhet të rrisë trashëgiminë jomateriale të të tre vendeve, përmes artit dhe teatrit, duke dialoguar me elemente të ndryshëm ekspresive antropologjikë, të peisazhit, (identiteti, tradita etj) për të krijuar produkte kulturore inovative e ndërkufitare. Zona e përfshirë nga Programi Interreg IPA II, përbën një shembull të jashtëzakonshëm të pasurisë dhe diversitetit të kulturës Mesdhetare dhe në të njëjtën kohë, përballet me probleme tipike, për sa i takon minoriteteve etnike dhe integrimit të emigrantëve, dallimeve gjinore etj. Nga ana tjetër, për të arritur të prodhojë rezultatet e pritshme, ADNICH dhe Universiteti i Arteve, pas një faze kërkimesh sociologjike dhe analizash antropologjike synojnë të zhvillojnë rezidenca teatrore dhe workshope duke përfshirë komunitetet lokale të të tre vendeve, me qëllimin që të zhvillojë produksione të përbashkëta për t’u promovuar përgjatë Festivalit të Teatrit Eksperimental të Adriatikut Jugor. Përveç aktiviteteve të koordinimit ndërkombëtar, komiteteve drejtuese të projektit, takimeve teknike, si dhe pas fazës kërkimore sociologjike dhe përpunimit e analizimit të të dhënave të mbledhura, ADNICH: do të realizojë një cikël me rezidenca artistike në të 3 vendet pjesëmarrës, për 20 artistë të rinj të Universitetit të Arteve, në qytetin e Pogradecit; do të themelojë një Festival Teatror Adriatiko-Jonian mbi Trashëgiminë Jomateriale, ku Universiteti i Arteve do të ketë një dramë të re dhe performancat e saj me aktorët e saj, do të krijojë gjithashtu, një branch të Institutit Ndërkombëtar të Teatrit në Malin e Zi.