Partizani skuq derbin dhe mban kryesimin, Tirana zhgënjen dhe thellon krizën

0
452

Derbi është i Partizanit. Kështu ka ndodhur vazhdimisht këto katër vjetët e fundit, ku Tirana nuk ka regjistruar asnjë fitore dhe mbrëmë fiksoi disfatën e radhës, duke bërë që Partizani të jetë një “mace e zezë” dhe një pengesë e pakalueshme tashmë dhe jo një “morr i kuq” siç preferojnë ta quajnë tifozeria bardheblu. Edhe në derbin e mbrëmshëm që u luajt në “Selman Stërmasi”, triumfoi sërish Partizani, me rezultatin 2-1. Tirana bën gabime foshnjarake në mbrojtje dhe pavarësisht se kalon e para në avantazh nuk ia del të ruajë epërsinë. Ajo pëson dy gola në fundin e ndeshjes dhe rrëzohet, duke dalë kokëulur nga fusha dhe duke vënë në rrezik serioz mbijetesën në Kategorinë Superiore. Sa i takon ndeshjes, Tirana e nisi mjaft mirë lojën dhe u mundua t’i imponojë ritmin e saj derbit dhe arriti të krijojë disa aksione sulmuese, por pa ia dalë të kërcënojë rrezikshëm kuadratin e portës së Alban Hoxhës.ky i fundit ishte përfolur se do të rrinte në stol, por në momentin e fundit trajhneri Skënder Gega vendosi të jetë ai në kuadrat. Në një duel derbi ka nevoijë për liderin dhe gega e kuptoi mirë këtë dhe kithimi i Hoxchës së pezulluar fillimisht në formacionin titullar ishte gjetje vendimtare në kiohën e duhur. Ndërkohë, teksa Tirana përpiqej të çante mbrojtjen e kuqe, Partizani zbriti shpesh rrezikshëm dhe në një moment goditi edhe traversën e portës së Abibit, me anë të sulmuesit me numrin 10, Jasir Asani, ndërsa pati edhe një pretendim për 11-metërsh me Trashin, por që arbitri e cilësoi si stimulim dhe ndëshkoi futbollistin e kuq. Me barazim pa gola përfundoi pjesa e parë, ndërsa 45-minutëshi i dytë startoi menjëherë me Tiranën si protagoniste. Ishte pikërisht një nga surprizat në formacionin e bardhebluve, djali i presidentit të Tiranës, Grent Halili, që dërgoi topin në rrjetën e Alban Hoxhës në minutën e 50-të, pas një aksioni të shpejtë të skuadrës së drejtuar nga Ardian Mema, ndërsa dedikimi ishte për babanë e tij, Refik Halilin. Pak minuta më vonë, ishte sërish Tirana që i shkoi pranë golit të dytë, ku fillimisht Daja testoi aftësitë e Alban Hoxhës dhe më pas topin e kthyer nga portieri i Partizanit, e gjuajti Sentamu, por që e përplasi në rrjetën e jashtme. Vetëm dy minuta më vonë Skënder Gega mori masat për të shkuar drejt golit dhe rriti fuqinë sulmuese, duke larguar nga fusha Ibrahimin, për t’i bërë vend sulmuesit shkodran, Rubin Hebaj, që u pozicionua menjëherë në majë të sulmit. Ishte një lëvizje e zgjuar në një moment delikat të ndeshjes, por rezultoi lëvizje efikase. Ishte pikërisht Hebaj, që riktheu baraspeshën në minutën e 67-të të takimit, teksa pasi mori një krosim nga Mensah, gjuajti dy herë radhazi me kokë, ndërsa portieri Abibi priti goditjen e parë, por nuk arriti të reagojë në të dytën dhe pa që topi të ndalej në rrjetë. Ritmi në minutat në vijim erdhi në rritje, veçanërisht në 10 minutat e fundit, kur aksioni zhvendosej sa në një zonë, në tjetrën, me dy skuadrat që nuk pajtoheshin aspak me barazimin dhe kërkonin golin me vlerën e 3 pikëve. Në minutën e 85-të ishte Hila që u shërbye në hyrje të zonës nga Çinari dhe gjuajti menjëherë, por topi u përplas në traversën e portës së Abibit, ndërsa menjëherë më pas Tirana zbriti në një kundërsulm të rrezikshëm, ku këtë herë ishte Alban Hoxha që u mohoi golin bardhebluve. Menjëherë pas pritjes, Hoxha nis një aksion të shpejtë për Partizanin dhe topi përfundon në të majtë të sulmit, ku Eraldo Çinari kroson bukur në zonë dhe aty është shkodrani tjetër, Rubin Hebaj që përfiton nga një gafë e Erjon Hoxhallarit dhe dërgon topin për herë të dytë në rrjetën e bardhebluve. Reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm, ku fillimisht Blazhevski dhe më pas Maveje, kërcënuan kuadratin e Alban Hoxhës, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë dhe të rikthejnë baraspeshën. Pesë minutat shtesë të akorduara nga arbitri kryesor i takimit, nuk mjaftuan që Tirana të rikuperojë disavantazhin, ndërsa Partizani mori një fitore të madhe dhe u shkëput në krye të renditjes, me 4 pikë më tepër se Skënderbeu ndjekës. Nga ana tjetër, Ardian Mema duhet të presë ende për të festuar fitoren e parë të tij si trajner i Tiranës.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here