Europol instalohet në Tiranë, BE jep sqarime: Asistencë policisë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar

0
352

Bashkimi Europian vijon të mbështesë Shqipërinë në çdo fushë. Pas mbështetjes që Brukseli po i jep reformës në drejtësi dhe ngritjes së organeve të reja të drejtësisë siç janë KLP, KLGJ dhe SPAK, BE ka menduar të mbështesë vendin tonë edhe në luftën kundër krimit të organizuar. Lajmi është bërë i ditur dje nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Soreca ka bërë të ditur se një zyrtar i Europol do të jetë tashmë në Policinë e Shtetit nga janari i 2019. Sipas tij, misioni i zyrtarit është lufta kundër krimit të organizuar. “Lufta kundër krimit është një prioritet për BE dhe Europol. Së bashku me forcat policore kanë ngritur rrjetin @ON për të forcuar bashkëpunimin e tyre kundër grupeve kriminale të stilit mafioz, duke përfshirë krimin e organizuar shqiptar”, deklaroi ditën e djeshme ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigji Soreca. Ndërkohë, edhe qeveria shqiptare ka intensifikuar lëvizjet për të bërë sa më të thjeshtë luftën kundër krimit të organizuar dhe gjurmimin e parave që pushtetarët shqiptarë kanë fshehur jashtë vendit. Për të ardhur në ndihmë në këtë drejtim, pak ditë më parë Komisioni i Sigurisë miratoi një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Eurojust. Marrëveshja përcakton që nuk do të ketë më shkëmbim letër-porosish për të dhënë apo marrë informacione për një çështje të caktuar mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Shkëmbimi i informacioneve tani do të bëhet përmes emaileve të enkriptuara. Kujtojmë që kjo lëvizje vjen në një kohë kur shumë prej pushtetarëve shqiptarë kanë para të fshehura jashtë vendit dhe përmes miratimit të kësaj marrëveshjeje, gjetja e tyre bëhet edhe më e lehtë për shkak se autoritetet shqiptare nuk duhet të presin më afatet e letër-porosive për të marrë një informacion nga vendet e BE, por mund të kenë kontakt dhe informacione përmes emaileve. Një marrëveshje e tillë po miratohet në një kohë kur për pak kohë pritet të ngrihen SPAK dhe BKH, të cilët do të kenë prioritet luftën antikorrupsion në nivele të larta dhe “skanimin” e pushtetarëve të lartë. Shkëmbimi i informacioneve do të vlejë edhe për luftën kundër krimit të organizuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here