Rama nis betejën me Bashën dhe Berishën, dorëzon 6 padi në gjykatë ndaj liderëve demokratë, ja detajet

0
522

Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha duket se janë tensionuar. Përveç akuzave dhe sulmeve në media, tani palët do të duhet që të përballen në gjykatë. Pak kohë më parë shefi i qeverisë paralajmëroi se nuk do të ketë më reagime publike për akuzat e opozitës, por do të ketë padi në gjykatë. Për këtë çështje u ngrit madje dhe një departament i posaçëm, i cili monitoron sulmet e opozitës. Edhe pse Rama paralajmëroi padi, asnjëherë nuk deklaroi publikisht t’i ishte drejtuar gjykatës. Por në heshtje Rama ka dorëzuar në gjykatë 4 padi penale ndaj liderit demokrat. Ky i fundit e ka akuzuar Ramën për lidhje me krimin dhe aferë të ndryshme. Por kryeministri ka vendosur që t’i drejtohet gjykatës dhe në ditët në fillim do të nisë procesi gjyqësor mes tyre. Por për të parën herë Rama ka paditur dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit përmes rrjeteve sociale dhe duke përdorur “qytetarin dixhital” ka sulmuar shumë ashpër kryeministrin e vendit. Gazeta ka mësuar se sa i takon Bashës, paditë janë bërë kryesisht për akuzat e tij se Rama bashkëpunoi me krimin në zgjedhje. Një prej padive ka të bëjë me konferencën e shtypit të mbajtur nga Basha më 30 tetor, ku kreu demokrat lëshoi shumë akuza ndaj Ramës. “Ngjarjet e muajve të fundit dëshmojnë një të vërtetë të thjeshtë: Nuk është rastësore dhe as e pjesshme, as në nivele të ulëta, por është e shtrirë në të gjithë vendin dhe ka kapur kupolën e organizatës kriminale fenomeni i bashkëpunimit strategjik me krimin e organizuar për rekrutimin dhe bashkëpunimin me elementë kriminale për të manipuluar zgjedhjet, për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin. Me fjalë të tjera, Edi Rama ka nënkontraktuar fushatën elektorale dhe gjithë përpjekjen elektorale te krimi, proces i cili ka nisur para zgjedhjeve të vitit 2017. Në vend të shtabeve elektorale, ku zakonisht bëjnë pjesë drejtues të partisë dhe drejtuesit lokalë, organizata kriminale e rilindjes ka krijuar shtabe kriminale me qëllim sigurimin e votave përmes blerjes, kërcënimit dhe manipulimit”, deklaronte Basha. Por për kryeministrin këto janë shpifje dhe ai ka kërkuar dëmshpërblim financiar, i cili do shkojë për fondin e edukimit.

Padia ndaj Berishës

Ndaj ish-kryeministrit Berisha, Rama ka dorëzuar dy padie. Që më herët ai e paralajmëroi një gjë të tillë, duke thënë se nuk do tolerojë asnjë akuza të pabazë, edhe kur kjo bëhet përmes “qytetarit dixhital”. Deri më tani Berisha ka lëshuar shumë akuza të rënda ndaj Ramës dhe ministrave, por kryeministri ka vendosur të përballet me të në gjykatë. Një ndër paditë është bërë për akuzat e Berishës se Rama ka blerë këmisha me vlerë 23 mijë dollarë. “Kallam dështaku blen 23.000 dollarë kemisha në një dorë në Nju Jork! Lexoni mesazhin e emigrantit dixhital: Përshëndetje zoti Sali Berisha. Po ti shkruaj këto fjalë prej hallit të madh. Unë jam djalë 22 vjeç. Vendosa me lan çdo biznes të im ati, çdo burim pune që ai ka ndërtu dhe erdha në Amerikë vetëm se nuk shtyhet ma. Nuk shtyhet ma me atë person të poshtër dhe drogaxhi më këtë shtet te shpifun që ka shndërru ky person i pa moral… Nxjerr lot përditë kur shof moshën teme ditë për ditë çdo i ri gjen mënyra të ndryshme me u zhduk nga ai shtet kur ne aty kena kalu jetën dhe e duam me gjithë zemër. Por nuk rrihet ma me atë ekonomi poshtëruse që asht tu ba ai që i jep pare vetëm vetes dhe shokëve të vet dhe të tjerët marojn për buk. Dhe Edvin Rama vjen blen 23 000 dollarë këmisha në Hugo Boss në Time Square”, thuhej në postimin e Berishës. Tani mbetet të shihet se çfarë do thotë gjykata.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here