Filmi “Delegacioni”, premierë në kinemanë “Kadri Roshi” në Kuçovë

0
481

Filmi “Delegacioni” u shfaq premierë në kinemanë “Kadri Roshi” për publikun në qytetin  Kuçovës. Filmi me skenar nga i ndjeri Artan Minarolli dhe regji nga Bujar Alimani u bë i munduar në kuadër të aktivitetit “7 Netët e Kinemasë Evropiane”. Në shfaqjen e filmit “Delegacioni” në kinemanë “Kadri Roshi” ishin të pranishëm dhe aktorët Viktor Zhusti dhe Ndriçim Xhepa. Për aktorin e njohur Ndriçim Xhepa projeksioni i filmit në Kuçovë merr një rëndësi tjetër pasi shfaqet në një kinema, që i ka mbijetuar shkatërrimeve. “Ajo kinema kaq me histori dhe e vjetër, ka vlerë dhe ruhet akoma, nuk është prishur. Për popullatën në Kuçovë është pozitive që ti shkojë një film shqiptar premierë, që pati çmim të madh në Varshavë dhe në TIFF në Tiranë po me vlerësime. Publiku shikon një produkt të ri të kinemasë shqiptare, ka rëndësi që jemi në një kinema që e ruan autenticitetin e saj”, u shpreh aktori Xhepa para shfaqjes së filmit. Producenti i këtij aktiviteti Skënder Jaçe tregon se pas javës së filmit italian dhe pesë ditëve të filmit spanjoll në këtë qytet zhvillohen dhe netët e kinemasë evropiane. “Në qytetin e Kuçovës, me një histori 100 vjeçare, të naftës dhe gazit organizohet në kinemanë që mban emrin e aktorit tonë të madh “Kadri Roshi”  aktiviteti kinematografik “7 Netët e Kinemasë Evropiane”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Production Cinemania, Bashkia Kuçovë, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të saj Selfo Kapllani, në Vitin e Skënderbeut si dhe për festat e pavarësisë dhe çlirimit të vendit organizojnë këtë aktivitet të bukur kinematografik”, tregon kineasti Jaçe. Norvegjia, Anglia, Gjermania, Franca, Spanja, Italia, Shqipëria me filmat e fundit në “7 Netët e Kinemasë Evropiane” për publikun. Nën mikrofonin e prezantueses së njohur Silvana Braçe, emra të njohur të skenës dhe ekranit shkelën tapetin e kuq të kinemasë. Dhe në këtë aktivitet sipas producentit Skënder Jaçe promovohet dhe filmi shqiptar. “Në këtë festë të bukur të kinemasë Evropiane promovohet dhe filmi i ri shqiptar me regji të Bujar Alimanit “Delegacioni”, i cili triumfoi në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës në Poloni dhe u shpall si prodhimi më i mirë kinematografik i edicionit të 34-të. Magjia e ekranit të madh i cili mbetet i pazëvendësueshëm në historinë e kinematografisë, padyshim risjell projeksionet e fundit, vlerat më të mira të kinemasë evropiane”, vijon Jaçe. Por sipas tij ky aktivitet do të vijojë dhe në qytetin Lezhës, menduar të shfaqen filma në kuadër të Vitit të Skënderbeut.

Filmi me ngjarjet në 1990

Në “Warsaw Film Festival” një festival i kategorisë A, filmi “Delegacioni” u dha premierë botërore ku edhe u shpërblye me çmimin e madh Grand Prix. Ky film është bashkëprodhim mes Shqipërisë (Art Film), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films). Në film me regji nga Bujar Alimani luajnë aktorët Viktor Zhusti, Xhevdet Feri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi. Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë, një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar. Më herët regjisori Alimani është shprehur se ky projekt përfundoi me sukses.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here