CIA ka dhënë detajet për marrëdhëniet mes Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës dhe Bashkimin Sovjetik e Kinës. Sipas amerikanëve, Hoxha nisi sulmet ndaj sovjetikëve pas rivendosjes së bashkëpunimit të tyre me Jugosllavinë. Nga ana tjetër, tregohet e ekonomia shqiptare qëndroi në këmbë falë Kinës.
Maj 1971
Marrëdhëniet tregtare të Kinës me vendet e bllokut lindor
Dërgesat e ndihmave të Kinës për Shqipërinë kanë qenë elementi kryesor i lidhjeve tregtare mes dy vendeve, që kur Kina zuri vendin e BRSS si bamirësja e Shqipërisë në 1961. Prej vitit 1957 tregtia Kinë-Shqipëri është rritur nga masa 3 milionë dollarë në rreth 115 milionë në 1969. Nga viti 1955 deri në 1960, Shqipëria kishte arritur një deficit prej 11 milionë dollarë në tregtinë me Kinën, ndërsa për periudhën 1961-1969 deficiti arriti në 340 milionë dollarë, të cilat janë financuar të gjitha nga kredi kineze. Kina eksporton një mori mallrash në Shqipëri si makineri, pajisje, hekur, çelik dhe mallra konsumi. Një tjetër aspekt interesant janë dhe blerjet e Shqipërisë në vende të tjera që paguhen nga Kina. Mallrat me të cilat Kina nuk mund të furnizojë Shqipërinë, blihen nga Kina në vende të botës së lirë ose në Evropën Perëndimore dhe dërgohen direkt në Shqipëri. Të gjitha importet e drithërave të Shqipërisë dhe një pjesë e atyre të makinerive dhe mallrave të konsumit, financohen në këtë mënyrë nga Kina. Ajo ka mbështetur thuajse tërësisht planin ekonomik pesëvjeçar të Shqipërisë 1971-1975 me kredi për ndërtimin e 30 projekteve industriale, duke përfshirë rafineri nafte, hidrocentrale elektrike, uzinë ferro-nikeli dhe metalurgji. Ndërsa importet e Kinës nga Shqipëria ishin kryesisht minerale kromi, mineral bakri, asfalt i rafinuar, naftë krudo, duhan dhe cigare. Tregtia shqiptaro-kineze pritet të rritet në vitet në vijim. Në vitin 1970 janë nënshkruar marrëveshje mallrash dhe pagesash, si dhe hua afatgjata pa interes për planin pesë-vjeçar 1971-1975. Kjo vjen si rezultat i mbështetjes së Shqipërisë në debatin Kinë-BRSS, apo pozitës strategjie dhe burimeve minerare.
Jugosllavia
Këmbimet tregtare të Kinës me Jugosllavinë kanë nisur prej vitit 1956, por pësuan një rënie në 1958 prej armiqësisë së Kinës ndaj politikave “revizioniste” të Jugosllavisë. Kështu në vitet 1961-1965 tregtia mes vendeve ishte e vogël, por në vitet 1966-1969 arriti në thuajse 2 milionë dollarë, me përjashtim të vitit 1967 kur importet masive të Kinës në mish derri e ngritën masën tregtare në 15 milionë dollarë. Pas vitit 1969 lidhjet mes tyre u karakterizuan nga një shkrirje e relatave me këmbime delegacionesh, panaire reciproke tregtare dhe inaugurimin e shërbimit të parë të transportit detar Kinë-Jugosllavi. Masa e tregtisë në vitin 1970 arriti në 7 milionë dollarë, nga të cilat rreth 5 milionë dollarë ishin importe të Kinës dhe 2 milionë eksporte. Jugosllavia nënshkroi një marrëveshje për përdorimin e portit të Rijekës për tregtinë evropiane të Kinës. Kina eksportonte në Jugosllavi mish, tekstile dhe lëndë të para, ndërsa merrte prej saj hekur, çelik, kimikate dhe disa lëndë jometalike. Prej vitit 1969 janë bërë disa kontrata për blerje të motorëve të anijeve, apo të anijeve tregtare dhe tankeve.
Janar 1961
Shqipëria del në mbrojtje të ideologjisë së Kinës
Vazhdimi i kritikave të Shqipërisë ndaj politikës së jashtme dhe ideologjike të Moskës javën e kaluar, është një sinjal se BRSS nuk ka arritur të vërë satelitin e tij të vogël mesdhetar në linjë me të tjerët. Editoriali kryesor i “Zërit të Popullit” i datës 20 janar, rikonfirmonte pakënaqësitë e Tiranës mbi çështjen e revizionizmit dhe dënonte publikisht zbutjen e politikave të bllokut komunist drejt Jugosllavisë, duke kritikuar në mënyrë të tërthortë Hrushovin dhe politikën e tij të jashtme. Pak më shumë se dy javë më parë në Kongresin e Partisë Komuniste Shqiptare u konfirmua linja e saj devijacioniste që u dallua fillimisht në konferencën komuniste të Moskës. Sekretari i Parë i Partisë Hoxha tha me terma të sakta se qeveria e tij nuk do të pranonte kurrë kompromise për çështjet parimore. Hera e fundit kur Shqipëria kritikoi publikisht bllokun sovjetik ishte në 25 tetor kur kryeministri Mehmet Shehu refuzoi propozimet e Bullgarisë dhe Polonisë për çarmatim dhe tërthorazi kritikoi takimin e Hrushovit me Titon në OKB, më herët atë muaj. Prej atëherë, përveç sulmit disi më të hapur në konferencën komuniste në Moskë të nëntorit të shkuar, regjimi vetëm ka mbrojtur pikëpamjet e tij dhe ka evituar kritikat ndaj sovjetikëve. Opozicioni shqiptar ndaj BRSS doli fillimisht haptazi që në konferencën e liderëve komunistë në Bukuresht qershorin e shkuar edhe diferenca kishte pasur që disa vite më parë. Prej atij takimi Tirana dhe Pekini kanë shkëmbyer shumë deklarata mbështetëse dhe admiruese ndaj njëra-tjetrës. Aktualisht një delegacioni i nivelit të lartë nga Shqipëria ndodhet në Pekin, me qëllim rinovimin e marrëveshjeve ekzistuese tregtare dhe të ndihmës. Editoriali i “Zërit të Popullit” gjithashtu kritikonte tërthorazi deklaratat sovjetike si fjalimi i ministrit të jashtëm Gromiko muajin e kaluar, ku thuhej se Moska ishte e gatshme të bashkëpunonte me Beogradin e pozitave sovjetike dhe jugosllave ato ku përputheshin interesat ndërkombëtare të dy vendeve. Artikulli paralajmëronte rreziqet e riafrimit me Titon vetëm për arsye të “pozicionit të ngjashëm politik të Jugosllavisë me atë të vendeve të tjera socialiste”. Duke iu referuar kritikave ndaj Shqipërisë, si ato të kreut gjermano-lindor të partisë Ulbricht ndaj liderëve shqiptarë muajin e kaluar, editoriali akuzonte se shumë njerëz, duke përfshirë dhe komunistë, ishin manovruar nga Jugosllavia.
19 mars 1963
Situate aktuale në Shqipëri dhe politikat e SHBA
Gjatë pesëmbëdhjetë muajve që prej prishjes së lidhjeve diplomatike, partiake dhe tregtare me BRSS, kreu i regjimit në Shqipëri, Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu kanë ruajtur pozita të qëndrueshme. Ka pasur përkeqësim të gjendjes ekonomike por deri tani nuk është serioze. Ka pasur rënie të rritjes ekonomike por jo rënie të theksuara të prodhimit. Standardet e jetesës janë ruajtur disi me asistencën e Kinës komuniste. Megjithëse të dhënat janë të fragmentuara ne besojmë se asistenca kineze po vazhdon dhe lidhjet mes dy vendeve aleate duken të ndërthurura mirë. Sjellja e Shqipërisë është e rëndësishme pasi SHBA e konsideron atë një element të rëndësishëm për të trazuar lidhjet mes Kinës dhe BRSS. Prova më e mirë për stabilitetin e regjimit Hoxha-Shehu është aftësia e tyre për të qëndruar në pushtet edhe pas sfidës së hapur ndaj BRSS. Aparati i tyre shtetëror duket i padepërtueshëm ndaj tentativave sovjetike apo jugosllave të subversionit. Tentativa e fundit e sovjetikëve kundër regjimit të Shqipërisë ishte në verën e vitit 1960, shumë përpara kulmit të konfliktit shqiptaro-sovjetik. Kjo duket se ka çuar në zhdukjen e anëtares së byrosë politike Liri Belishova dhe kreut të Komisioni të Kontrollit, Koço Tashko, në shtator të atij viti. Në të njëjtën kohë ka prova se disa shqiptarë, intelektualë, ushtarakë apo nga ata që kanë studiuar në vendet e Bllokut Sovjetik, kundërshtojnë linjat pro-kineze dhe anti-sovjetike të qeverisë. Kjo ka bërë një pjesë e tyre, si të radhëve të ulëta të partisë deh të rangut të lartë, të spastroheshin nga regjimi që në muajt e parë të prishjes me BRSS. Ne dyshojmë se këto spastrime kanë eliminuar të gjithë ata që mund të quheshin pro-sovjetikë, por besojmë se presioni dhe frika ka bërë që edhe të mbeturit të mos kenë më influencë dhe të jetë të shtypur dhe të izoluar. Populli shqiptar është i pakënaqur me gjendjen e tij ekonomike dhe politike. Por lindja e debatit me sovjetikët dhe rinisja e izolimit të vendit nuk duket se po fuqizojnë apo shtojnë aktivitetin opozitar. Thirrjet e qeverisë për nacionalizëm pas prishjes me BRSS funksionuar duke shtuar disi mbështetjen, por tashmë po humbasin efektin. Regjimi ka parandaluar përhapjen e pakënaqësive duke ruajtur një sasi mallrash konsumi,si ushqim dhe veshje, të përshtatshme sipas standardeve shqiptare. Disa aktivitete guerile të gradës së ulët janë evidentuar në zonat jugore, por është e vështirë të vlerësohet masa e tyre apo nëse janë të huaja apo të brendshme. Gjithsesi regjimi ka kontroll të fortë mbi vendin me anë të ushtrisë dhe terrorit të Sigurimit, i cili ka luajtur rolin kryesor gjatë 18 vjetëve të fundit në shtypjen e çdo opozicioni ndaj regjimit.
Roli i Kinës
Standardet e jetesës në Shqipëri kanë qenë gjithmonë të ulëta dhe nuk është kërkuar një masë e madhe mallrash konsumi nga Kina apo financime për drithëra. Por gjithsesi ndihma kineze nuk ka plotësuar pritshmëritë e udhëheqjes shqiptare. Ndërsa stafi teknik kinez në Shqipëri ka kryer lëvizje të shumta prej vjeshtës së shkuar. Informacionet janë të pakta mbi arsyet e lëvizjeve por besohet se specialistët mund të kenë qenë aty për studime paraprake, që tashmë mund të jenë kompletuar. Ndihma kineze nuk ka arritur të ruajë vrullin e ekonomisë shqiptare, siç parashikohej në planin shqiptar të zhvillimit, prandaj vendi u detyrua të ulë pritshmëritë e programit. Në fund të vitit të shkuar qeveria njoftoi për kompletimin e punës në të paktën 16 nga 25 projektet industriale të premtuara nga Kina në marrëveshjen e viteve 1961-1965. Kjo mund të sjellë një prishje të mundshme të lidhjeve edhe mes Kinës e Shqipërisë, prandaj ne nxisim të gjitha vendet perëndimore të qëndrojnë të gatshme për ndonjë hapje të mundshme të Shqipërisë apo kontakte me vendet e Perëndimit, për të reduktuar varësinë nga Kina. Organizatat e të rinjve në fshatra mblidhen dy herë në muaj kryesisht me analfabetët dhe organizohen ekskursione në qendrën e rrethit ose në kryeqytet, ku për ta flasin liderë autoritarë të partisë duke i rrëfyer për arritjet dhe sukseset e qeverisë ose tema të ngjashme. Leksionet shoqërohen me pije freskuese dhe ndonjëfarë shfaqje zbavitjeje. Kjo bujari dhe kujdes i shtetit i bën ata të ndjehen entuziastë dhe kthehen në vegla të partisë. Pas këtyre ekskursioneve të rinjtë kthehen në fshatrat e tyre dhe u tregojnë të tjerëve ato që panë e dëgjuan… Në fillim të nëntorit 1957 nisi një konferencë e sekretarëve të organizatave bazë dhe të organizatave të të rinjve në të gjithë Shqipërinë, e cila zgjati deri në 8 nëntor 1957. Konferenca u drejtua nga Mehmet Shehu dhe subjekti kryesor i diskutuar ishte kultivimi i tokave të Shqipërisë. Konkretisht, u vendos se asnjë copë tokë në Shqipëri nuk do të mbetej pa u kultivuar. Pas konferencës krerët e organizatave rajonale mblidheshin një herë në muaj duke bërë propagandë në çdo fshat, sipas direktivave që merrnin nga komitetet rajonale të partisë. Kjo besohet se pati efekt pozitiv te fshatarët pasi shumica e tyre ishin të papunë…
Tetor 1961
Shqipëri-Blloku sovjetik
Regjim në Shqipëri po përpiqen të akumulojë mbështetjen publike për sfidën e Enver Hoxhës ndaj liderit sovjetik Hrushov. Në një deklaratë të partisë së punës në 20 tetor, Radio Tirana bëri një lexim të telegrameve të marra nga e gjithë Shqipëria në mbështetje të veprimeve të Hoxhës dhe në indinjatë ndaj Krushovit. Në të gjithë vendin po organizohen takime dhe demonstrata në mbështetje të regjimit dhe legata italiane në Tiranë thotë se në demonstratat duket se ka një element spontaniteti, që reflekton ndjesitë e vjetra antisovjetike të Shqipërisë. Sipas raportimeve të shtypit nga Beogradi, policia shqiptare ka ndërhyrë për të mbrojtur legatën sovjetike nga “demonstrues armiqësorë”. Ambasadori sovjetik të Tiranë, Josef Shifin, thuhet se është “shumë i nervozuar” nga reagimet në Shqipëri ndaj fjalimit të Hrushovit. Shifin raportohet të ketë thënë për një nga mediat ruse: “Do t’ia tregojmë ne Shqipërisë”. Ndërkohë Tirana ende nuk ka vënë në jetë kërcënimin e saj se do të publikojë dokumentet që faktojnë fajin e sovjetikëve në marrëdhëniet me Shqipërinë. Tjetër provë e mbështetjes së vazhdueshme kineze për qeverinë shqiptare është një transmetim i Pekinit më 25 tetor, i cili dy herë iu referua besimit në “udhëheqjen e partisë së punës nga shoku Enver Hoxha”. Ndërsa më 26 tetor gazeta shtetërore e Pekinit publikoi për herë të parë detajet e akuzave kundër Shqipërisë së Hrushovit dhe qeverive aleate, si dhe përgjigjen e komitetit qendror të Shqipërisë. Publikimi i këtyre deklaratave ishte në kontrast me politikën e asnjëanësisë së Çu En Lait, dhe mund të reflektojë pikëpamjen e re të Pekinit se mbulimi i debatit tashmë është i padobishëm.
Tetor 1968
Hapjet Shqipëri-Jugosllavi
Shqipëria ka nisur kohët e fundit hapje për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Privatisht Tirana ka nisur të testojë Beogradin për sa më sipër, por nuk kemi më shumë detaje. Shqiptarët kanë ndaluar polemikat e tyre me jugosllavët dhe sipas zëvendës-ministrit të jashtëm jugosllav, Beogradi është përgjigjur pozitivisht ndaj një interesimi të Tiranës për qëndrimin e Jugosllavisë në lidhje me ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Shfaqjet sovjetike të forcës dhe vendndodhja e izoluar e Tiranës mund të jenë arsyet e heshtjes së përkohshme të saj ndaj frikave territoriale jugosllave. Shqipëria ndoshta ka kuptuar se dhe aleatja e saj e largët Kina, nuk mund të japë ndihmën e duhur në rast nevoje. Ministri shqiptar i mbrojtjes do të shkojë së shpejti në një vizitë të nivelit të lartë në Pekin për të kërkuar siguri dhe mbështetje.
Prill 1970
Lidhjet Shqipëri-Itali
Në lidhje me hapjet e kohëve të fundit të Shqipërisë drejt vendeve evropiane jo-komuniste, Tirana duket se po fton Italinë për shtim të lidhjeve ndërshtetërore. Lëvizja e fundit e këtij lloji erdhi në 28 mars kur regjimi i Hoxhës propozoi negociata për një marrëveshje të kontrollit të cilësisë së importeve ushqimore, njohjen reciproke të patentave të drejtimit, shtrimin e një kabulli telefonik dhe një vizitë nga një trupë e muzikës popullore shqiptare në Itali. Shqipëria dhe Itali tashmë kanë ambasadorët e tyre reciprokë dhe marrëdhëniet mes vendeve janë korrekte, për të mos thënë të mira.
13 korrik 1978
Ndihma kineze
Dje radio zyrtare shqiptare konfirmoi raportimet e mëparshme se Kina do të ndërpresë të gjithë asistencën ekonomike ndaj vendit. Megjithëse regjimi i Hoxhës e kishte pritur diçka të tillë, humbja e ndihmës kineze, e cila ka arritur deri në 800 milionë dollarë që prej vitit 1961, me siguri do të krijojë vështirësi për ekonomin e dobët të vendit. Lidhjet Kinë-Shqipëri janë tashmë në pikën e tyre më të ulët që prej nisjes së krisjeve pas vizitës së presidentit amerikan Nixon në Pekin në 1972. Mbështetja e Shqipërisë kohët e fundit ndaj Vietnamit në debatin me Kinën me siguri që i ka inatosur kinezët, pasi prej disa kohësh tashmë shqiptarët po kritikonin politikën e jashtme kineze. Ata mendojnë se Kina po përzihet shumë me Perëndimin dhe në veçanti me SHBA. Pekini ka shprehur irritimin e tij duke reduktuar gradualisht asistencën e tyre dhe kontaktet bilaterale gjatë vitit të fundit. për më tepër, kryeministri kinez Hua Kuo-feng ha hequr Tiranën nga ndalesat e nj turneu në rajon, ku përfshihen vizita në Jugosllavi dhe Rumani. Nuk është e qartë sesa rëndë tërheqja kineze do të prekë procesin shqiptar të industrializimit, por Shqipëria do të ketë pak shanse për të blerë pajisje dhe teknologji perëndimore, prej paaftësisë së saj për shtimin e eksporteve dhe prej refuzimit të pranimit të huave të huaja. BRSS mund të dëshirojë të përfitojë nga situata duke i bërë oferta shqiptarëve, por udhëheqja aktuale atje me shumë gjasa nuk do të pranojë riafrimin me sovjetikët prej frikës së humbjes së pushtetit të tyre personal. Përkeqësimi i lidhjeve me Kinën është një shqetësim dhe për jugosllavët të cilët e shikojnë me dyshim rritjen e influencës sovjetike në Ballkan, prandaj Beogradi do të përpiqet edhe më shumë të përmirësojnë lidhjet me Shqipërinë, veçanërisht në fushën ekonomike.