Këshilltarja ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Fiona Papajorgji, e cila ka aplikuar për tu bërë anëtare e kësaj gjykate, u rikonfirmua ditën e djeshme në detyrë. Ajo u përball me sukses me procesin e vetingut, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi dje që ajo të vijonte detyrën sepse nuk iu gjetën probleme me pasurinë, aftësitë profesionale apo integritetin e figurës.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 21.11.2018 për subjektin e rivlerësimit, znj. Fiona Papajorgji, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 26.11.2018 vendosi: Konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Fiona Papajorgji, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Brunilda Bekteshi, z. Roland Ilia relator, z.Olsi Komici anëtar, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në njoftimin e KPK. Po dje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi edhe vendimin e plotë për rikonfirmimin në detyrë të kandidates për magjistrate pranë Shkollës së Magjistraturës, Arnisa Këlliçi. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, raportin dhe rekomandimet e relatorit të çështjes, si dhe pasi dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancën dëgjimore publike, konstaton se: subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë; subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës; subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale; në përputhje me nenit 59/1, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet midis të tjerash në vendimin e KPK.