Autoritetet shqiptare kanë nisur verifikimet për të zbuluar të gjithë itinerarin që ndoqi Nikola Gruevski gjatë arratisjes përmes vendit tonë, si dhe nëse u ndihmua nga dikush dhe roli që pati ambasada hungareze. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të prokurorisë raportuan në komision për marrëveshjen me Eurojust, ku ndër të tjera u prek dhe çështja e Nikola Gruevski. Ishte deputeti Spartak Braho i cili ka kërkuar të dijë nëse po kryhen hetime apo verifikime për këtë çështje, pasi sipas tij, është mjaft e rëndë dhe sensitive. Përfaqësuesit e prokurorisë kanë konfirmuar se janë duke u kryer hetime shumë të thella. Ata kanë bërë me dije se Shkupi ka dërguar në Tiranë dy letër-porosi për të kërkuar informacion mbi rrugën që ndoqi Gruevski dhe rolin që pati ambasada apo persona të tjerë. Nga ana tjetër, prokuroria ka konfirmuar se po bëhen hetime të thella dhe detajet janë tepër sekrete. Gazeta pak kohë më parë e deklaroi se Gruevski mund të jetë ndihmuar nga bashkëpunëtorë të tij në vendin tonë. Ai ka miq shumë politikanë të njohur dhe dyshimet janë se ata kanë ndërhyrë. Por dje është bërë e ditur se kalimi i tij nuk po kalon në heshtje, pasi përveç policisë, edhe prokuroria është vënë në lëvizje duke bashkëpunuar dhe me autoritetet maqedonase. Duhet theksuar se dhe ndërkombëtarët janë të angazhuar dhe po ndjekin me shumë vëmendje këtë proces.
Mandati i Gruevskit
Përveç informacioneve të dhëna dje nga prokuroria, ka pasur lëvizje dhe në Maqedoni për arratisjen e Gruevskit. Mediat maqedonase kanë raportuar dje se pesë kërkesa i janë parashtruar Kuvendit të Maqedonisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikola Gruevski, i cili tashmë ka fituar azil politik në Hungari. Mediat maqedonase raportojnë se kërkesat në fjalë do të shqyrtohen në seancën e sotme të Komisionit për Çështje të Rregullores dhe Mandatit të Imunitetit, me të cilin kryeson Pavle Bogoevski nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.
Kujtojmë se Gruevski u dënua me dy vite burg për rastin “Tank”, për blerjen e një mercedezi luksoz. Gruevski akuzohet edhe në lëndët gjyqësore “Trajektorja”, “TNT”, Titanik” dhe “Dhuna në Qendër”, të gjitha këto gjithashtu raste të PSP-së, për të cilat do t’i gjykohet në mungesë. Përveç kësaj, Gruevski është i dyshuar edhe në disa hetime të hapura të PSP-së, midis të cilave “Talir”, “Propaganda”, “Harmonia”.
Kalimi në territorin shqiptar
Mediat serbe ishin ato që zbuluan se Gruevski kishte kaluar në territorin shqiptar gjatë arratisjes. Më pas ishte policia shqiptare ajo që e konfirmoi. “Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, tha policia.
Kliti Topalli