“Mbreti” i kazinosë: Skema e përfshirjes së Ervis Martinajt në tregun ilegal të bixhozit, transaksione pronash në cash prej mijëra eurosh

    0
    501

    Më 1 gusht 2018, Departamenti i Policisë Kriminale në Tiranë referoi një kallëzim penal për një rrjet kompanish dhe transaksione multimilionëshe, që dyshohet se fshehin një skemë të pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë-një pjesë me rrënjë në tregun ilegal të lojërave të fatit.

    Kallëzimi u kthye në një procedim penal nga Prokuroria e Tiranës, por skemës së dyshuar iu vendos një emër vetëm pas atentatit të përgjakshëm në lokalin “Monopol” në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabjan Gaxha dhe mbeti i plagosur Ervis Martinaj, një 36 vjeçar kontrovers i botës së krimit në Tiranë.

    Martinaj u arrestua mesnatën e 4 tetorit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, i akuzuar si organizator i përplasjes së armatosur që shkaktoi një të vrarë, dy të plagosur dhe shumë panik në zonën e ish-Bllokut. Më 10 tetor, dosjes së tij penale iu shtuan një mori akuzash të reja për “pastrim parash”, “organizim të llotarive të palejuara”, “fshehje e të ardhurave” dhe “falsifikim dokumentesh”.

    Dyshimet për përfshirjen e Martinajt në pastrim parash apo në tregun ilegal të lojërave të fatit në kryeqytet nuk janë një çështje e muajve të fundit.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se përgjatë një dekade, Martinaj themeloi një rrjet kompanish të lojërave të fatit, kreu transaksione pronash në cash prej mijëra eurosh dhe qarkulloi përmes sistemit bankar rreth 1.5 milionë euro, ndërkohë që një seri agjencish shtetërore bënë një sy qorr ndaj origjinës së panjohur të parave.

    Pas zgjerimit të hetimeve mbi Martinajn, grupi i përbërë nga prokurorët Anisa Qilimi, Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulaj paralajmëron verifikime edhe për një sërë institucionesh shtetërore, të cilat kanë për detyrë sinjalizimin e rasteve të tilla. Një burim nga grupi hetimor i tha BIRN se po kryhen verifikime nëse Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave apo ajo e Tatimeve kanë referuar informacione mbi transaksionet apo evazionin e dyshuar fiskal në organet e zbatimit të ligjit.

    BIRN i drejtoi pyetje të detajuara Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave mbi transaksionet e Martinajt, por ky institucion u përgjigj se nuk mund të jepte të dhëna mbi raste konkrete.

    “Mbështetur në ligjin për informacioni e klasifikuar sekret shtetëror dhe aktet nënligjore përkatëse, DPPPP nuk mund të shpërndajë të dhëna për raste konkrete, duke cituar personat e investiguar prej nesh,” u përgjigj DPPP.

    Akuzat e Prokurorisë kundërshtohen nga avokati i Ervis Martinajt, Mirash Martini. Në një përgjigje me shkrim, avokati Martini hodhi poshtë si të pabazuara në prova akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, “organizim lojërash fati të palejuara” apo  “pastrim të produkteve penale”.

    “Është alogjike trajtimi i viktimës së një vepre penale, si kriminal nga Prokuroria,” tha avokati Mirashi, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë që e lidh klientin e tij në ndonjë rol me ngjarjen e 4 tetorit. Sa i përket transaksioneve bankare, Martini tha se ato kanë lidhje me kompaninë e këmbimit valutor “Mati Union” në emër të babait të Martinajt.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here