Daniel Drobaj u mor në pyetje menjëherë pas arrestimit duke pranuar se ka hedhur
Mediat kanë zbardhur ditën e sotme dëshminë e 18-vjeçarit Daniel Drobaj, i cili u arrestua dje me akuzën e plagosjes së efektives së “Shqiponjave” Ina Nuka, pasi gjatë protestës para Kuvendit në drejtim të saj hodhi kapsollën që i hoqi dy gishtat.
Daniel Drobaj u mor në pyetje menjëherë pas arrestimit duke pranuar se ka hedhur kapsolla gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re para Kuvendit. Ai ka deklaruar se ka hedhur tre kapsolla në drejtim të llamarinave, por nuk ka pasur qëllim të dëmtojë policët.
“Protestova dhe unë para parlamentit por nuk kam përdorur sende të kundraligjshme.
Pranoj që kisha 3 kapsolla që ndeza dhe i hodha te llamarinat te Xhamia. Disa punonjës policie donin të më ndalonin por unë nuk pranova të futesha në makinë. Ndërhynë disa persona të tjerë dhe e gjeta veten në turmë dhe më pas u largova”, ka thënë 18 vjeçari.
18-vjeçari u ‘kap’ nga kamerat së bashku me disa persona të tjerë duke hedhur kapsolla në protestën e para dy ditëve para Kuvendit. Ai rrezikon 3-5 vite burg, por detajet mbi akuzat pritet që të mësohen nesër nga kërkesa që prokuroria do i dërgojë gjykatës mbi kërkesën për masën e sigurisë për të riun. Daniel Drobaj pas protestës u ndalua pranë “Ushtarit të Panjohur” nga disa policë.