Piktori Agim Sulaj rikthehet në Tiranë për ekspozitën e tij “Rrënjët 3”. Ky vit i dedikohet Skënderbeut dhe disa vepra nga krijimtaria e tij do të ekspozohen me datë 26 nëntor për publikun. Me një aktivitet të vlerësuar jashtë Shqipërisë, piktori Agim Sulaj vijon traditën me ekspozitën “Rrënjët”. Pas dy ekspozitave të hapura më parë, ai vjen për herë të tretë me “Rrënjët”, por me vepra të reja që prezantohen për herë të parë në Tiranë. Piktori Sulaj tregon se nga krijimtaria e tij do të ekspozohen 20 vepra, në ekspozitën që do të hapet në sallën te hotel “Plazza” “Disa prej tyre i dedikohen historisë së popullit shqiptar në veshjet e historinë, që përmbajnë, por dhe detajojnë vlera të qëndresës historike në shekuj”, shprehet ai. Mes vepra në pikturë, sipas tij portreti i Skënderbeut do të zërë vendin kryesor. “Ky vit, i cili i dedikohet Skënderbeut më gjen përsëri në Tiranë. Këtë vit prezantoj 20 punime, ku vendin kryesor e zë portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Tabloja përshkruan si një ëndërr meditative portretin e heroit kombëtar. I vendosur në qendër të tablosë portreti të mbërthen dhe pse nuk të shikon, jeton në kohen e tij midis qiellit të madh, që humbet në trajtat e një detajimi artistik të gjetur”, tregon piktori Agim Sulaj. Në ekspozitën “Rrënjët 3” vjen edhe një cikël tablosh me “grimca kujtimesh” të pikturuara, një peisazh i madh si dimension nga qyteti ku jeton prej 27 vjetësh piktori Agim Sulaj, që është Rimini. Këtë herë për publikun artdashës që ndjek aktivitetin e tij artistik, piktori sjell në Tiranë edhe tablonë “Koka e Ali Pashës te Sulltani”. Piktori Agim Sulaj shprehet se varianti i parë i kësaj vepre ndodhet në muzeun dedikuar Ali Pashës. “ Varianti i parë ndodhet që nga viti i hershem 1990 në muzeun dedikuar kësaj figure historike, ndërsa në Tiranë prezantoj një variant të detajuar të tablosë “Koka e Ali Pashës te Sulltani””, shton më tej piktori. Por edhe pse këtë herë ai prezanton pikturat e tij, nuk mungon dhe vepra në karikaturë që u shpall fituese në Portugali. “Nga karikaturat në ekspozitë sjell veprën fituese në Portugali në qershor të këtij viti. Kjo vepër pa fjalë prezanton plastikën si faktor kryesor për ndotjen e fatin e planetit”, tregon piktori. Ekspozita do qëndrojë e hapur deri në fund të muajt janar të 2019.
Aktiviteti dhe vlerësimet
Këtë vit aktiviteti i artistit Agim Sulaj ka qenë me vlerësime ndërkombëtare, që janë dy çmimet e Portugalisë. Çmimi i dytë në konkurrimin ndërkombëtar me veprën e plastikës në qytetin Porto, si dhe çmimi i dytë në Espinhal po në Portugali me veprën “Cikli i jetës”. Gjithashtu në pikturë ka qenë dhe pjesëmarrja në Saragoza të Spanjës në një ekspozitë kolektive me 26 artistë të njohur të ftuar nga gjithë bota, me titull piktura bashkëkohore realiste. Po ashtu piktori Agim Sulaj gjatë këtij viti ka vijuar dhe me pjesëmarrje nëpër konkurset e karikaturës në Danimarkë dhe Rumani, ku pret rezultatet. Në vijim të aktivitetit të tij, ai më 16 dhjetor inaguron në qytetin e Montecchio në Itali një ekspozitë personale me një përmbledhje karikaturash publikuar në revistën “Hosteni” 30 vjet më parë. Agim Sulaj është i vlerësuar si piktor e karikaturist shqiptar. 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg, etj.
Nga Julia Vrapi