Ish-sulmuesi i Çelsit dhe i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale njoftoi fansat dhe dashamirësit e tij se është tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur dhe se tani e tutje vetëm do ta ndiqte këtë sport por nuk do të ishte lojtar në fushë. nuk i dihet, ndoshta ai mund të punojë në pankinën e ndonjë klubi apo të marrë rol drejtuesi, por për momentin bujë bëri vetëm fakti që ai vendosi të varë këpucët në gozhdë pas 20 vjetësh karrierë të shkëlqyer. Ishte një largim i pritshëm, pasi lojtari kishte vajtur në një moshë që ishte e pamundur të vijonte më tej të luante në nivele profesioniste.
Në këtë situatë, ai vendosi ta bëjë publik vendimin e tij për t’u tërhequr pikërisht nga rrjetet sociale, teksa falënderon njerëzit e tij të afërt, fansat dhe klubet që e kanë mbështetur. Ishin mediat britanike në fillim pastaj thuajse të gjitha mediat europiane që i kushton rëndësi lajmit, duke e cilësuar Didier Drogba një prej lojtarëve më të mirë të viteve 2002-2012. Golat e tij për Çelsin dhe sukseset e mëdha me blutë e Londrës do të mbahen mend gjatë. “Lamtumira e një legjende. Didier Drogba, ish-bomberi i Çelsit ka bërë publike tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur”, shkruajnë mediat angleze. 40-vjeçari ka shënuar 164 gola në 381 ndeshje për Çelsi, duke fituar 4 herë titullin në Angli dhe duke u shpallur kampion Europe në 2012, ku kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Gjithashtu, sulmuesi ka fituar 4 herë Kupën FA dhe 3 herë Kupën e Ligës, gjatë kohës që ka luajtur në Angli. Kohët e fundit Drogba ka luajtur në Amerikë, për “Phoenix Rising”, klub i divizionit të dytë, ku Drogba është bashkë-pronar. Tërheqja e Drogba ishte paralajmëruar prej kohësh dhe që në fillim të muajit u fol për vendimin e marrë, por tashmë sulmuesi i jep fund zyrtarisht, me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet sulmuesi kur ishte shumë i ri në moshë.
“Kur mendoj për 20 vitet e fundit të karrierës sime profesionale, duke parë këtë fotografi ndihem më krenar se kurrë për ato që kam arritur si futbollit, por mbi të gjitha si më ka formuar si njeri ky udhëtim. Nëse dikush të thotë se ëndrrat e tua janë tepër të mëdha, thjesht falënderoje dhe puno edhe më shumë, duke u treguar i zgjuar, për t’i kthyer ëndrrat në realitet. Falënderoj lojtarët, trajnerët, klubet dhe tifozët që ma kanë bërë këtë udhëtim kaq të këndshëm. Një faleminderit shumë të madhe dhe shumë dashuri për familjen time, skuadrën time personale që më ka mbështetur pa kushte gjatë gjithë karrierës. Uroj që Zoti të më bekojë po aq shumë për të ardhmen, sa ka bërë për karrierën time futbollistike”, thekson Drogba. Lojtari ka kaluar një karrierë të spikatur, pavarësisht se nuk e nisi përnjëherë në nivele shumë të larta. Ai kulmin e arriti me Çelsin, por me Bregun e Fildishtë nuk la shumë gjurmë. Gjithsesi, për Çelsin do të mbetet një nga ikonat e skuadrës, sepse korri shumë sukses me tituj kampionë, kupa e Champions.