Ahilino Palushi: Në monumentet kulturore po bëhen ndërhyrje të gabuara, kishat janë bërë si prodhim fabrike

0
672

Trashëgimia kulture nuk mbrohet dhe ndërhyrjet e gabuara kanë sjellë herë pas herë dëmtime. Specialistë të fushës në reagimet e tyre pohojnë që duhet të ketë më shumë kontrollojnë zbatimet e projekteve në monumentet e kulturës, por sipas tyre kjo nuk ka qenë sa duhet. Dr. Ahilino Palushi shprehet se sot ka objekte kulti monument kulture, që janë bërë ndërhyrje të gabuara dhe sipas tij nuk është përgjegjësi vetëm e firmave që hidhen nga MK dhe IMK, por ai i cilëson përgjegjësi e politikave të mëdha. Në intervistën për “SOT” si specialist  dr. Ahilino Palushi vijon se ka “një traditë të shkatërrimit”, që fillon që në 1967 kur shkatërrohen objektet e kultit me politikat e regjimit komunist, por ai shton se kemi “traditën e shkatërrimit” dhe pas viteve ’90, që kulmon me trafikimin e veprave të artit, por kjo vazhdon edhe pas viteve 2000. Më tej dr. Ahilino Palushi shprehet se në kulmin e turizmit imazhi i vendit është trashëgimia jonë kulturore që nuk ruhet dhe mbrohet, ku politikat duhet të ndryshojnë dhe të merren specialistët e fushës.

-Libri i titulluar “David Selenicasi, piktor i Rilindjes pasbizantine në Shqipëri” sjell një tablo të larmishme të madhështisë së ikonave dhe afreskeve. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj me librin?

Puna nisi në formën e një studimi në degën e trashëgimisë kulturore pranë Fakultetit të Historisë. U punua për një periudhë 6 vjeçare me mbledhjen e materialeve burimore, të shkruar nga autorë të ndryshëm, me zhvillimin e këtyre materialeve, trajtimin dhe shoshitjen, dhe arrita në disa konkluzione llogjike edhe shkencore. Ka qenë pjesë të një kontributit të madh dashamirësish të fushës specialistë dhe jo vetëm, pasi tema të tilla marrin jetë dhe formën e tyre të duhur kur kanë në brendësi kontributin e shumë aktorëve. Është një botim i munguar për mendimin tim, i cili erdhi para lexuesve. Them i munguar pasi në këtë fushë mungojnë monografitë apo studimet e plota për autorë që jo vetëm ne, por dhe në rajon çmohen si figura të spikatura të periudhës së pikturës pas bizantine. Duke filluar në shekullin e 16 më Onufrin, në shekullin e 17 me Onufër Qipriotin, duke vazhduar me Davidin e Selenicës në çerekun e parë të shekullit të 18, me vëllezërit Zografi, me Kostandin Shpatarakun dhe Johan Çetirin. Patjetër duke përmendur këtu që krahas këtyre figurave ka dhe shumë autorë të tjerë, që kanë zhvilluar artin e tyre në afresket dhe ikonat që ne trashëgojmë sot dhe kësaj dite, me emër dhe pa emër. Ishte një botim, që ishte iniciativë e imja private.

-Ju u shprehët se mungojnë monografitë për autorë të njohur, çfarë duhet bërë nga institucionet?

Mendoj se ka ardhur koha që në kulmin e një fluksi të turizmit në vendit tonë, patjetër që ne duhet të imponohemi, duhet të ekspozohemi ndaj atyre pjesëve që i kemi produktive dhe mund të lavdërohemi. Periudha bizantine dhe pasbizantine zë një vend të rëndësishëm në historinë e artit të vendit tonë me plot vepra dhe monumente të trashëgimisë, monumente, me piktorë, skulptorë, etj, që kanë dhënë kontribut të shquar që me thënë të drejtën për shkak të politikave si para ‘90 dhe pas kanë mbetur në hije. Kam mendimin që duhet të kthejmë kokën dhe ti japim respekt dhe vlerën e duhur sidomos piktorëve, të cilët unë i përmenda dhe më lart që janë renditur dhe nga studiuesit e huaj të fushës si figura të spikatura me kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e artit në rajon. E kam thënë dhe në disa intervista më parë, sot piktura pasbizantine është cilësuar si piktura para moderne. Në këtë kuadër këto elementë kanë zhvilluar artin e tyre duke dhënë kontribute duke zhvilluar rryma të ndryshme, koncepte të ndryshme, dhe duke i imponuar ato në artin dhe kërkesën e kohës.

-Kemi sot kisha monument kulture që janë të rrezikuara jo pak. Në Voskopojë dhe në Vithkuq janë shpallur një grup kishash në 7 më të rrezikuara në Europë. Për ju sa është shqetësuese?

Ka “një traditë të shkatërrimit”, që fillon që në 1967 kur shkatërrohen objektet e kultit me politikat e regjimit komunist, por kemi traditën e shkatërrimit dhe pas viteve ’90, që kulmon me trafikimin e veprave të artit, ku zhduken ikonostase të tëra, zhduken ikona dhe afreske, që çmontohen dhe për qëllime tregtimi në tregun e zi dalin jashtë kufijve tanë. Por kjo traditë e shkatërrimit vazhdon edhe pas viteve 2000, ku kulmon me prishjen e kishës së Shën e Premtes në Vlash, që është një nga njollat më të errëta për mendimin tim në historinë e trashëgimisë kulturore, kur një kompleks i mrekullueshëm i pikturuar nga Onufri me vlera të jashtëzakonshme, që unë kam pas fatin e mirë ta shikoj 6 muaj para shkatërrimit zhduket njëherë e përgjithmonë pavarësisht se qe e paralajmëruar. Sot e kësaj dite nuk kemi asnjë fajtor. Dhe vazhdon “tradita” me mënyrat e restaurimit, që përdoren sot. Ne kemi dhe humbje të rastësishme siç është djegia e Kishës së Fjetjes së Shën Mërisë në Kozarë, që u dogj nga pakujdesia. Duke qenë kishë me tavan druri të pikturuar ajo mori flakë nga qirinjtë e ndezur dhe humbëm një kompleks artistik të vëllezërve Çetiri me vlera të veçanta tipologjike. Kemi prishjen e  Kishës së Shën Thanasit në Leshnicë të Sarandës, që ha debat dhe kjo. A ishte faji i tërmetit në Janinë apo disa tirandave metalike, që duhet të ishin vënë për të forcuar dhe konstruktuar kolonat e kishës. Vazhdon tani dhe me restaurimin, ku për mendimin tim nuk mund të themi që shteti nuk bën kujdes, sepse janë hedhur sasi të konsiderueshme parash, por unë kam dy shqetësime personale.

-Kush janë?

Një lloj humbje e tipologjisë së monumenteve të kultit me këto mënyra restaurimi. Por unë marr si etalon pozitiv restaurimin e kishës së Shën Gjergjit në Shipskë afër Voskopojës, që gëzon një gjendje të mrekullueshme. Në një kohë, që kur shkojmë në Apolloni apo kur shkojmë në Kosinë të Përmetit apo Labovë të Kryqit kemi një shndërrim, kemi një zhdukje të tjegullave mbuluese dhe kemi zëvendësimin e tyre me tjegulla të reja nga fabrika. Për më tepër sjell këtu në vëmendje çudinë e Labovës së Kryqit kur tjegullat e  kësaj kishe thërrmohen me dorë, gjithçka që bie jashtë hyn dhe brenda. Mbulesa e Labovës së Kryqit shkon drejt shkrirjes dhe zhdukjes pa kthim.

-Pohoni probleme me restaurimin në objektet e kultit, por ato miratohen nga institucionet. Është IMK, projekti shkon dhe në KKR. Sipas jush çfarë ndodh?

Si specialist them që projektet janë, paratë hidhen, por zhvillimi dhe kontrolli i konkludimit të tyre çedon. Patjetër që institucionet përkatëse duhet të gjejnë specialistët e duhur. Pra duhet të ketë një kontroll se si u zhvilluan këto projekte, si u konkluduan këto monumente. Kush mban përgjegjësi nëse ka devijim apo jo, pasi unë nuk mendoj që në projekt mund të ketë qenë që në Kishën e Labovës së Kryqit në Gjirokastrës ato tjegulla jashtë standartit. Unë kam mendimin që ka një debat sot, sepse po preken ato që unë do ti quaja thelbi përfaqësues i monumenteve të kultit të krishterë të Shqipërisë, Kisha e Shën Kollit në Mesopotam të Sarandës, Labovë e Kryqit në Gjirokastër, dhe Kisha e Peshkëpisë po në Gjirokastër që janë më përfaqësuese. Ato kanë disa faza, por unë shoh që po zhduken fazat. Unë shoh që Labova e Kryqit ka mbaruar, kurse Peshkëpia dhe Mesopotami janë në proces. Ka mbaruar Kosinja dhe Apollonia. Kam mendimin që duhet një kontroll dhe rishikim, të ketë një komision të specializuar. Në monumentet tona ka ndërhyrje të gabuara, që duhen shikuar. Unë si njeri që jap kontributin tim modest më vjen keq që monumenteve të tilla iu zhduket imazhi. Ti shkon për të parë kishën gri me atë mbulesën e saj. Në çdo ligj të trashëgimisë kulturore nuk ke të drejtë ti ndryshosh elementin tipologjik stilistik. Por ti shkon dhe shikon një kishë të prodhuar në fabrikë, shikon atje diçka që ka dalë nga fabrika dhe nuk është më kisha objekt kulti e shekullit x, por është e ditëve të sotme. Kjo sepse ka ndërhyrje të gabuara. Ne kemi dhe në afreske ndërhyrje të gabuara dhe të çuditshme. Mua më ka rastisur të shkoj në Kishën e Shën Triadhës, ku ka ndërhyrje nga dikush i cili është paguar atje dhe nuk e di kush mban përgjegjësi. Është paguar me pretekstin e rigjenerimit të pikturës, dhe e ka shkatërruar gjithë afreskun në mënyrë të pakthyeshme. Politikat e reja kanë sjellë një modelim të tillë që një firmë ndërtimi merr me tender restaurimin e një kishe, por nuk më duket korrekte. Nuk jam dakord me ndërhyrjet e tyre që janë bërë. Një shqetësim që më kanë thënë kolegët ka qenë që janë hequr kujdestarët e kishave, që në kohë reale lajmëronin për një rrezik. Përgjegjësia shkon te politikat e mëdha, jo faji i një firme që hidhet, nuk besoj se zonjat në institucione kanë 100 përqind të fajit. Por janë politikat e mëdha, janë trysnitë e këtyre firmave të ndërtimit, që duan të marrin tenderat.

-Çfarë ndodh sipas jush?

Në Kishën e Shën Kollit është bërë një ndërhyrje në çati, është bërë zëvendësimi i kavaletave me dru të ri. Shqetësimi i banorëve të zonës ka qenë që mbajtëse e tjegullave ato të kavaleteve të drurit me dru të stazhonuar janë ndërruar me dru të ri bredhi, i cili për 3-4 vjet fillon shtrembërohet dhe lëviz. Por duhet patjetër ti vihet rëndësi kontrollit të zbatimit të këtyre projekteve. Nuk ka dalë ministrja e Kulturës të thotë me drejtoreshën e IMK, që firmat e ndërtimit do merren me restaurimin. Kjo nuk është ide e tyre, por e politikave të mëdha. Sot është problem trafikimi i ikonave, ndërhyrjet e gabuara në monumente dhe neglizhenca. Këto janë për politikat gabuara, institucionet janë mekanizma të zbatimit të politikave të gabuara nga moskontrolli i ushtrimit dhe zhvillimit të projekteve. Rrezikon monumentet e kulturës nga mungesa e specialistëve të fushës në stafet zbatuese. Nëse një firmë ndërtimi ka dhjetëra punonjës ka vetëm një specialist të fushës. Por çfarë mund të bëjë një atje? Fajin për këtë situatë e kanë politikat që i bën shteti, por shteti nuk janë institucionet, shteti janë kokat. Institucioni zbaton politikat që ia sjell shteti, që ka këshillat shkencorë. Duhet të ndryshojnë politikat e shtetit, ne kemi për detyrë si specialistë të sensibilizojmë gjithë opinionin dhe institucionet do të reflektojnë. Të merret përvojë nga jashtë se si do zhvillohen projektet. Nuk e ka fajin firma e ministres së Kulturës, por politikat e mëdha që janë nga shteti. Ne jemi në kulmin e turizmit dhe prurjeve dhe imazhi i vendit tonë është trashëgimia jonë kulturore që nuk ruhet dhe mbrohet, sepse politikat duhet të ndryshojnë dhe të merren specialistët e fushës.

Intervistoi: Julia Vrapi 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here