Instituti Danez i Filmit (Danish Film Institute) prezantoi në Cinematekën e Kopenhagës regjisoren e mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko përmes një triologjie. Ky tribut është i pari që i dedikohet një autori shqiptar me triologji të plotë në një prej tempujve të kinemasë botërore. “Tomka dhe shokët e tij” i pasuar nga projeksioni i një prej filmave më të dashur nga fëmijët “Mimoza llastica”, për të vijuar me “Kur Xhirohej një film”, një ndër filmat më provokues për kohën kur u realizua u shfaqën nga data 7-9 nëntor në Kopenhagë të Danimarkës. Distributori Genc Përmeti tregon se është një vlerësim shumë i madh, që i bëhet një autori shqiptar me filmat, por triologjia do të vijojë dhe në Norvegji dhe Suedi. “Instituti Danez i filmit është institucioni më i rëndësishëm kulturë në marrëdhënie me artin e shtatë në Danimarkë, dhe një nga më të rëndësishmit të programacionit në Europë. Zakonisht bëjnë programimet e filmave, që janë elitar dhe klasikët më të mirë që janë prodhuar ndër vite, dhe në muajin nëntor programuan një triologji nga Xhanfise Keko. Pas Kopenhagës filmat do të programohen edhe në Institutin Norvegjez të Filmit dhe në Institutin Suedez në Stokholm po triologji. Dhe në këtë mënyrë filmat e saj do të fillohen të njihen akoma dhe më shumë”, pohon Përmeti. Të tre filmat projektohen në formatin bashkëkohor DCP, çka e bën të jetë risi për filmat tanë të prodhuar para viteve 90-të. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” sajë punës së “Albania Film Project” është skanuar dhe restauruar nga Libraria e Kongresit Amerikan, ndërkohë që “Mimoza llastica” dhe “Kur xhirohej një film” sajë mbështetjes financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (Shqipëri) dhe Sweescom (Zvicër) dhe në bashkëpunim me Arkivën Qendrore Shtetërore të Filmit u skanuan në studiot Timeless Recordings-Shai Drori (Israel). Sipas Genc Përmetit, në këtë mënyrë Xhanfise Keko po bëhet dhe më atraktive. “Duke pas disa tituj si autore Xhanfise Keko po bëhet akoma dhe më atraktive. Ne jemi në kontakt dhe me programues të tjerë në festivale botërorë. Synimi është që të jemi në festivale të mëdhenj, që të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm të programuesve, por dhe të distributorëve, që kjo autorë të shikojë dritën e projeksionit akoma dhe më tepër se sa ka arritur. Kjo është fitore jo vetëm për Xhanfise Kekon, por për të gjithë kinemanë shqiptare”, vijon distributori Genc Përmeti. Kjo vëmendje nuk është e rastësishme, por rezultat i një udhëtimi të suksesshëm që kjo autore ka arritur të ketë pesë vitet e fundit në cinemateka, festivale, programime dhe distribucione në platforma nga më të njohurat. Në vitin 2012 një nga kritikët dhe njohësit më të mirë të kinemasë botërore si dhe realizuesi i dokumentarit më të mirë deri sot mbi historinë e kinemasë botërore, britaniku Mark Cousins, ra në kontakt me krijimtarinë e Xhanfise Kekos. Në dokumentarin i cili pati premierën botërore në Cannes Film Festival në 2013 me titullin “Story of Film and Children”, mes shumë filmave, ai analizon edhe interpretimet kinematografike të Xhanfise Kekos në filmat “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Qyteti më i ri në botë”. Po i njëjti autor në edicionin më të fundit të Festivalit të Venecias (2018), prezantoi dokumentarin “Wamen Make Film” mbi historinë e kinemasë botërore nga autoret femra, një film që kishte për narratore figura të ekranit botëror si Tilda Swinton, Jane Fonda etj, e ku në tre segmente të tij ai fokusohet edhe tek regjisorja Xhanfise Keko.
Projektet me kinemanë
Në fushën e kinematografisë si prodhues i filmave Genc Përmeti vijon dhe me të tjera projekte me kinemanë. “Me kompaninë “Skandal” operojmë prej vitesh kemi xhiruar filma si “Muaji i Mjaltit” me Goran Paskaljevic. Në vijim të projekteve tani jemi në përfundimin e filmit të Lindita Zeqirajt që quhet “Aga”. Kemi filmin me regji nga Kushtrim Bekteshi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, që do të jetë premierë ndërkombëtare dhe më pas dhe shqiptare. Por kemi dhe një bashkëpunim shumë interesant midis Shqipërisë, Italisë dhe Argjentinës për filmin “Njeriu, që bleu hënën” me Paolo Zhucca që u shfaq premierë botërore në tetor në Korenë e Jugut, dhe tani presim të fillojmë me premierat e tjera në vendet përkatëse”, tregon producenti Genc Përmeti. Por në vijim të punës, sapo kanë mbaruar dhe dokumentarin “Rrënimi i historisë së një qyteti” me regjisor Erion Bubullima. “Aty ne ngremë shqetësimet e komunitetit, shqetësimet e shoqërisë për disa nga fenomenet që janë kthyer problematikë”, tregon më tej Genc Përmeti. Ky dokumentar që pati premierën në Durrës do të jetë dhe në vende të tjera, ndoshta jo në kinema por do të jetë i aksesueshëm për publikun.
Nga Julia Vrapi