Ministria e Kulturës u refuzon kërkesën për rikthimin e festivalit, regjisorët: Ndjehemi të përjashtuar

0
477

Festivali i regjisorëve, i cili për disa vite u zhvillua në skenën teatrore është një kërkesë që deri tani nuk ka pasur përgjigje për zhvillimin e tij nga Ministria e Kulturës. Edhe pse në reagimet e tyre herë pas here regjisorë të ndryshëm janë shprehur se ka qenë me rëndësi për tu shpërfaqur krijuesit me punën e tyre në teatër, asgjë nuk është folur për këtë projekt. Në shkurt të këtij viti mes kërkesave, që artistët i drejtuan Ministrisë së Kulturës ishte dhe rikthimi i këtij festivali për regjisorët e rinj. Një festival garues, i cili realizohej përmes një fondi që akordonte Ministria e Kulturës çdo vit. Regjisorja Elma Doresi i drejtohet ministres së Kulturës, se kur do të rikthehet festivali në jetën artistike. “Znj. ministre, librat që kemi lexuar……! Po e nis me librat duke qenë se është e vetmja gjë që ju ka tërhequr këtë periudhë për t’iu pyetur dhe njëherë: Me festivalin e regjisorëve të rinj çdo bëhet? Të kuptohemi znj. ministre nuk kam pretendimet për të garuar për veten time se jam pak e “moshuar” për atë festival, përpos që jam shprehur që në 2010 ku dhe isha pjesë se: nuk do të konkurroja më për ti lënë hapësirë dhe të tjerëve pas. E dini përse? Më vijnë aktorë, skenografë, kostumografë për bashkëpunim dhe unë si të tjerët u them: Duhet një lloj eksperience. Por znj. ministre ku do ta marrin ata eksperiencën?”, shprehet regjisorja Doresi. Sipas saj, festivali i regjisorëve ishte dhe “trampolina”, që shërbeu për atë dhe shumë brezave në atë kohë për ti njohur kolegët dhe publiku. “Znj. ministre, këtë vit Babagjyshit do ti kërkoj që të rikthejë për vitin 2019 këtë festival për të gjithë brezat e rinj, që mbarojnë akademinë dhe ndeshen me fjalinë: Ti nuk ke eksperiencë. Unë do të kryqëzoj duart, që kësaj rradhe, kërkesa jonë të mos bie në vesh të shurdhët dhe ti rikthehet ajo mundësi. Marr përsipër të jem në komision përzgjedhës dhe gjykues për ta, nëse doni dhe një gjykim pa miqësira! Duke qenë se mbeta pa punë, me një gur dy zogj thotë populli, dhe unë gjej një punë dhe ju riktheni festivalin”,  pohon regjisorja. Më tej regjisorja Doresi shton se herë pas here edhe në media janë shprehur për këtë festival, por duket se për këtë projekt askush nuk kujtohet. “Meqenëse jemi tek leximi, lexojeni dhe librin tonë të intervistave ndër vite kur ne ju kërkojmë këtë festival, por që kurrë nuk morëm një përgjigje. Ju ndoshta i keni lexuar, por neve nuk na e dhatë kurrë atë përgjigje. Kemi disa vite, që kërkojmë këtë festival dhe e keni injoruar”, vijon regjisorja Elma Doresi.

Pa mundësi për në skenë

Anëtar i grupit nismëtar për festivalin e regjisorëve të rinj vite më parë, pedagogu i arteve Genci Fuga  shprehet se deri tani Ministria e Kulturës duhet të kishte reaguar se si ka funksionuar ky projekt. “Nga Ministria e Kulturës përderisa nuk kemi ndonjë të dhënë prej saj që ky si projekt nuk ka funksionuar, është e detyruar që projektet pilote ti kalojë në bazike. Pra ministria duhet të japë argumentet pse, dhe të vish me një projekt pilot shumë herë më të mirë si ministri, për të plotësuar nevojat jo vetëm të regjisorëve, por edhe publikut. Në momentin që nuk jep asnjë argument për heqjen e tij, dhe e dyta nuk ke sjell diçka më të mirë, kjo mund të konsiderohet si qëndrim i qëllimshëm për çrrënjosjen e këtij projekti fitues. Fakti që ka qenë fitues, ka qenë gjashtë vjet në jetë”, pohon Fuga. Regjisori Endri Çela gjithashtu shprehet se festivali kërkon buxhete dhe kjo duhet menduar nga ministria. “Ministria ka përgjegjësi, por mendoj që është çështje fondesh që duhen. Na duhet ndihmesë nga shteti, që e ka për detyrë të hapë një derë dhe gjithsecili prej nesh të shpërfaqet se kush është, më pas bën apo ajo e gjykon tjetër kush. Ministria duket sikur e mbyll me ato buxhete që janë te projektet e pavarura për teatrin, por festivali është tjetër. Thërret më shumë kur thua festival dhe përqasja me publikun është më e fortë kur garon në një festival se sa merr një buxhet x dhe bën një shfaqje”, pohon regjisori.  Festivali i regjisorëve, një aktivitet i cili u zhvillua për disa vite edhe pse me një fond modest ishte një mundësi më shumë për krijuesit.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here