Arrihet marrëveshja, Berat Gjimshiti edhe një vit tjetër i Atalantës

0
532

Lojtarët e Kombëtares morën një fitore me vlera morale në duelin miqësor kundër Uellsit të luajtur mbrëmjen e të dielës në stadiumin “Elbasan Arena”. Në këtë ndeshje shpëtoi edhe trajneri Kristian Panuçi, të cilin e priste shkarkimi në rast humbjeje, por atij iu dha një shans të vazhdonte më tej në krye të ekipit kuqezi. Ndërkohë, dje lojtarët e Kombëtares u kthyen pranë ekipeve të tyre në kampionatet ku luajnë, me bindjen që mund të përmirësojmë më tej performancën e tyre dhe të kapin rol titullari me skuadrat e tyre. Një pjesë e kanë këtë rol, por ka të tjerë që po punojnë fort për të marrë këtë status dhe duelet e fundit të përfaqësueses i ndihmojnë jo pak. Së fundmi vjen një lajm i mirë për njërin prej lojtarëve tanë të mbrojtjes, Berat Gjimshitin, për të cilin Atalanta po mendon t’i rinovojë kontratën. Sipas mediave italiane bëhet fjalë fillimisht për një rinovim 1-vjeçar dhe më pas për diskutime më të gjera. Ka ndikuar veçanërisht në këto qëndrime performanca e pazakontë dhe goli i shënuar nga Gjimshiti në duelin kundër Interit, një performancë që ia rriti vlerat dhe bëri që klubi nga Bergamo të hidhej në veprim për të rinovuar me mbrojtësin e përfaqësueses së Shqipërisë.

Referuar mediave sportive italiane, Berat Gjimshiti mund të vazhdojë të mendojë i qetë për fushën e lojës, pasi me paraqitjet që ka dhuruar në ato pak ndeshje sa ka luajtur me Atalantën, ka bindur klubin që t’i besojë për të paktën edhe një tjetër sezon. Kontrata e mbrojtësit shqiptar përfundonte në mbyllje të këtij edicioni, por me sa duket palët kanë arritur akordin dhe sipas medieve italiane, ai ka rinovuar me Atalantën. Dy ditë më parë ishte menaxheri i tij, Alesio Çekareli, ai që deklaroi se ishte një lojtar që vështirë se do të largohej nga Atalanta. “Ai është në bllokun e shënimeve të klubeve të ndryshme. Por të shohim se do të jetë e vështirë ta marrin nga Bergamo. Për Atalantën bëhet fjalë për një element thelbësor”, deklaroi ai për “Gazzetta Dello Sport”. Në fakt, gjithçka është konkretizuar sot pasi mediat italiane, të cilat kanë bërë të ditur se Gjimshiti ka zgjatur edhe një vit marrëveshjen e tij me Atalantën. Kjo është një garanci më shumë për futbollistin që të vazhdojë të tregojë vlerat e tij dhe të sigurojë më pas një kontratë afatgjatë me klubin italian. Ndërkohë, administratori i Atalantës, Luka Perkasi, ka treguar një ndodhi interesante rreth futbollistit një ditë para ndeshjes që Atalanta fitoi 4-1 ndaj Interit. Trajneri Xhiampiero Gasperini kishte parashikuar që shqiptari do të shënonte me kokë dhe ashtu ndodhi vërtet.

“Ka shumë dëshirë në skuadër. Impenjimi i lojtarëve me kombëtaret e tyre sjell një energji pozitive dhe na bën të ndihemi mirë fakti që djemtë tanë janë rritur shumë’, ka thënë në fillim Perkasi, i cili më tej ka zbuluar atë çfarë kishte ndodhur me trajnerin Gesperini dhe mbrojtësin Gjimshiti para ndeshjes me Interin, ku Atalanta fitoi thellë: “Një ditë para ndeshjes me Interin, Gasperini na u afrua mua dhe babait tim. Na tha se të nesërmen paraqitja e Gjimshitit do të ishte e shkëlqyer, madje edhe se do të shënonte me kokë. Nuk është një parashikues fati, por ishte bindja e tij si trajner, duke parë që lojtari kishte punuar mirë. Ai e di kur vijnë rezultatet”. Mbrojtësi kuqezi në të vërtetë luajti shumë mirë dhe shënoi ndaj Interit, ashtu siç kishte parashikuar trajneri i tij. Luka Perkasi, administratori i Atalantës, ka folur për disa çështje që kanë të bëjnë me skuadrën bergamaske. Ai beson se Atalanta do të jetë edhe më mirë në vazhdim të kampionatit. Duhet thënë së fundmi se Gjimshiti është kthyer në formacionin bazë të Kombëtares pas tërheqjes së Lorik Canës nga futbolli i luajtur dhe së bashku me Mavrajn kanë qenë një zgjedhje e fortë e trajnerit Kristian Panuçi për duelet ndërkombëtare të përfaqësueses kuqezi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here