Sali Berisha mesazh Bashës, i kërkon të mbajë përgjegjësi nëse humbet zgjedhjet, lëkundet për koalicionin me LSI

0
417

Ish-kryeministri Sali Berisha doli dje kundër ekspertëve të Komisionit të Venecias. Në një intervistë për “5 pyetje nga Babaramo”, Berisha deklaroi se Komisioni i Venecias nuk mund ta hedhë poshtë draftin e opozitës për veting në politikë, ndërsa renditi edhe disa arsye. “Nuk mund të imagjinoj që Venecia të hedhë poshtë vetingun, kur ka miratuar vetingun për gjyqtarët dhe prokurorët, normalisht jo në këtë formë që po bëhet. Vetingu është një thellim i ligjit për dekriminalizimin, është një proces që thellohet. Nëse sheh ligjin e vetingut është ridimensionim i ligjit për dekriminalizimin, kështu është edhe ligji për vetingun në politikë”, tha ai.

Një deklaratë e tillë e Sali Berishës vjen në një kohë kur të gjitha gjasat janë që ekspertët e Venecias të mos e pranojnë kërkesën e opozitës për veting në politikë. Ata do e marrin vendimin në dhjetor dhe opinionin e tyre do t’ia sjellin Kuvendit tonë. Por me shumë mundësi ky propozim nuk do të pranohet, duke qenë se të gjithë ndërkombëtarët kanë dalë kundër. Gjatë intervistës, Sali Berisha e ndali theksin edhe tek gjendja e opozitës. I pyetur nëse Lulzim Basha duhet të dorëhiqet nëse humb zgjedhjet, Berisha deklaroi se rezultati është përgjegjësi e kryetarit. Në lidhje me koalicionin me LSI dhe kandidatin e përbashkët në zgjedhjet vendore, ish-kryeministri theksoi se kjo çështje është në diskutim.

“Çdo zgjedhje është një betejë. Rezultati është para së gjithash përgjegjësi e liderit. Vendimet që merr ai, janë atribut i tij. Por nuk thotë njeri që zgjedhjet s’janë përgjegjësi e tij. Pas çdo palë zgjedhje duhet bërë analiza, sesi do bëjë është në tagrin e tij. Çdo zgjedhje është e detyrueshme. Unë jam i dorëhequr dhe s’kam më lidhje në drejtim. Konsultohet Basha herë pas here, sipas gjykimit. Nuk ka rëndësi për mua, është i lirë të marrë çdo vendim. Takohem zakonisht me të, rregullisht. Në formë, duhet të testojnë për formën që i çon më të sigurt drejt fitores. Zgjedhjet bëhen me testim, koalicion i pjesshëm, koalicion i plotë, varet. Gjithçka duhet të jetë në funksion të fitores së zgjedhjeve”, tha Sali Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here