Amerikanët kanë zbardhur detaje mbi dënimin që ju bë një numri të madh qytetarësh që kishin bashkëpunuar me CIA. Mes tyre ishte dhe Hamit Matjani dhe një numër i madh emrash të njohur. Gjyqi i tyre u bë publik dhe vazhdoi disa ditë. Sipas CIA, e gjithë kjo u bë për t’u dhënë një mesazh të gjithë atyre që bashkëpunonin me vendet e huaja.
6 prill 1954
Raporti i gjyqit të spiunazhit në Tiranë
Gjyqi kundër bandës së diversantëve dhe spiunëve në shërbim të imperialistëve amerikanë, të cilët ishin dërguar për të organizuar një kryengritje të armatosur, u hap më 5 prill në Kinemanë e Brigadave. Të akuzuarit janë si më poshtë: Zenel Ali Shehu nga Bulqiza e zonës së Dibrës, ish-kapiten i rojës personale të mbretit Zog dhe më vonë agjent sekret i shërbimit amerikan të spiunazhit. Halil Jusuf Branica, nga Bugajeti i Dibrës, ish-kapiten i rojës personale të mbretit Zog dhe më vonë agjent sekret i shërbimit amerikan të spiunazhit; Hamit Hasan Matjani, nga fshati Garmujas në Peqin, një kriminel i urryer, kolaboracionist me italianët dhe gjermanët dhe mercenar i Ballit Kombëtar. Agjent i spiunazhit grek dhe amerikan; Naum Vasil Sula, nga Bujarasi i Elbasanit, bashkëpunëtor i pushtuesit, anëtar i bandës kriminale të Hamit Matjanit; Gani Mehmet Malushi nga fshati Tac i Ersekës; Rrapush Qerim Agolli nga Mocani i Maliqit Ibrahim Sulejman Lamçe nga Shtepanja.
Seanca
Salla e Kinemasë së Brigadave është e mbushur plot me njerëz dhe një numër i madh njerëzish ndiqnin procedurën gjyqësore me në transmetim në radio. Gjyqi u ndoq nga korrespondentët e huaj si më poshtë: Skaçenko, korrespondent i Pravda; Alitovski, korrespondent i Tass; Piskov korrespondent i Bullgarisë, Lina Angel korrespondent i gazetës italiane UNITA. Në orën 09.00 trupi gjykues hyri në sallë, i drejtuar nga Shuaip Panariti, dhe me anëtarë Major Loni Dimoshi dhe Kapiten Hilmi Telegrafi. Syri Çarçani është Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Këshilli i mbrojtjes përbëhet nga Niko Zoto, Koço Dilo, Dhimitër Vangjeli, Koço Dilo, Pandeli Kosturi dhe Fejzulla Sejdini. Presidenti Shuait Panariti therët përpara trupit gjykues dëshmitarët dhe emëron ekspertët e kriminalistikës. Më pas ai i jep fjalën prokurorit, i cili lexon aktakuzën. Në një cep të sallës duken pushkë, automatikë, pistoleta, granata, aparate radio-transmetues, monedha ari, dollarë amerikanë dhe materiale të tjera të sekuestruara nga të akuzuarit.
Marrja në pyetje
I pari që merret në pyetje është i akuzuari Ahmet Agush Kabashi, i cili tregoi se pas çlirimit të Shqipërisë ishte arratisur në Greqi bashkë me të vëllanë prej frikës së do të jepte llogari për krimet e tij. Në Greqi ai u çua nga xhardarmëria në kazermat ushtarake të Follorinës ku u stërvit nga britanikët. I akuzuari tha më tej se kishte ardhur në Shqipëri i lëshuar me parashutë nga një avion amerikan. Gjatë kohës së qëndrimit në Greqi, Shehu tha se disa prej refugjatëve shqiptarë ishin përdorur për të luftuar kundër partizanëve grekë, teksa më vonë ishin transferuar në Itali, ku ishin grumbulluar shumë kriminelë të tjerë shqiptarë dhe bullgarë. Pas përfundimit të kursit stërvitor i akuzuari tha se kishin fluturuar mbi Shqipëri gjatë natës dhe ishin lëshuar me parashutë por gabimisht piloti i kishte lëshuar në vende të ndryshme, prandaj Kabashi, Matjani dhe Qerim Godeni që ishin së bashku, humbën kontaktet me të tjerët dhe u rikthyen nga frika në Greqi. Pas një qëndrimi të shkurtër ata u vunë përsëri në avion më 25 qershor dhe me të njëjtat direktiva u nisën për në Shqipëri. Kësaj here avioni i kishte lëshuar në një zonë të ashpër shkëmbore, ku dy prej të lëshuarve thyen këmbën. Destan Berisha qëlloi njërin prej tyre dhe i mori armën automatike. Përsëri të ndjekur nga forcat e sigurisë ata u kthyen në Greqi me pretekstin se u ishte shkatërruar radioja e transmetimit. Vetëm Destan Berisha dhe Ahmet Kabashi arritën të shpëtonin duke u larguar nga kufiri me Jugosllavinë. Atje u morën në ngarkim nga amerikanët në një qendër spiunazhi në Kalamaki. Kësaj here stërvitja e tyre u mbikëqyr nga një amerikan me origjinë shqiptare i quajtur “Qose”. Herën e fundit Kabashi u nis për në Shqipëri më 29 janar, me qëllim të kontaktonte me Zenel Shehun, për të cilin i kishin dhënë një letër të detajuar. Prokurori lexoi letrën ku “Qose” i kërkonte Zenel Shehut të mos merakosej pasi do të kishte të gjithë mbështetjen e mundshme. I akuzuari Kabashi u kap nga forcat e sigurisë sapo u ul në Shqipëri.
7 shkurt 1952
Raport i përmuajshëm aktiviteti
Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet, këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të papraktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200 000 pamfleta propagande në Tiranë dhe në Veri të Shqipërisë, më 21 janar. Në frontin politik, Radio Shqipëria e Lirë vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta Shqipëria vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike ka vazhduar.
Informacionet e agjentëve
Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës, në Veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion. Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine, Zëri i Shqipërisë së Lirë, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane. Në 21 janar kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në Veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese me nga 300 gramë miell secila.
Lëshimi i broshurave
Një mision për lëshime fletushkash, këtë muaj, u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës, për arsye të kushteve të këqija të motit. 200 000 broshura të palosura dhe 5000 koje të Shqipëria u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmendim, Ishan Toptani i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, i cili mori pjesë në takimin e lëvizjes evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër. Lidhja shqiptare e azilantëve politike në Jugosllavi e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë”, e cila, në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët mund të jenë duke ndjekur një politikë unilaterale veprimi në lidhje me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Trajnimi
Caktimi i Ibrahim Kelmendit dhe Adem Selimit në SHBA u anulua në momentin e fundit, për arsye të paaftësisë së anëtarëve të komitetit të NCFA për të rënë dakord në zgjedhjen finale të dy individëve. Sa i përket rekrutimit, është angazhuar një guidë si agjent mbështetës për infiltrime tokësore në të ardhmen. Shërbimet britanike kanë ofruar të japin për operacionin tonë tre studentë të operacioneve radio, trajnimi i të cilëve thuhet se është kompletuar në tre të katërtat e masës. Ndërkohë janë duke u testuar aftësitë e tre agjentëve britanikë dhe nëse vendoset se janë të aftë, ata do të pranohen në kurset e agjentëve radio në Gjermani. Njëzet shqiptarë që kryen kursin e agjentëve dhe mbaheshin të gatshëm në Athinë, janë kthyer në Gjermani te Kompania e Gardës. Ky veprim u bë për të shtuar sigurinë e infiltrimeve të ardhshme.
4 prill 1952
Raporti i aktiviteteve të refugjatëve shqiptarë, Athinë
Më 27 shkurt 1952, burimet tona dorëzuan raportin e mëposhtëm sipas kërkesës tonë mbi situatën e aktivitetit të refugjatëve shqiptarë në Athinë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet identifikimit të … si agjent i shërbimeve greke dhe versionit për afrimin e tij në shërbimin tonë. Me interes të veçantë konsiderohen pikëpamjet e Hamit Matjanit, në lidhje me mundësitë aktuale dhe të ardhshme për operacione në Shqipëri.
Numri dhe vendndodhja e refugjatëve në Greqi
Ka rreth 300-320 refugjatë shqiptarë në kampin e Lavrion, rreth 40 km larg Athinës; 25-35 prej tyre jetojnë në afërsi të Athinës, ndërsa rreth 40-50 të tjerë mbahen në kampin disiplinor të përqendrimit, bashkë me refugjatë të kombësive të tjera në ishullin e Siros.
Figurat kryesore
Përfaqësuesi kryesor i Partisë Balli-Agrare është ish-komunisti Skënder Duma, nip i kolonelit të njohur komunist Petrit Duma, komandant i njësive të mbrojtjes popullore të Korçës. Partia e Legalitetit përfaqësohet nga Myftar Spahiu, mbështetës fanatik i mbretit Zog. Blloku Kombëtar Indipendent përfaqësohet nga Isa Toptani, i cili kalon shumicën e kohës në Athinë, i cili gjithashtu merr pjesë në aktivitetet e NCFA, por përgjithësisht konsiderohet si agjent i shërbimeve greke. Ai udhëton shpesh në Athinë, Romë, Paris, Londër e Munih, dhe natyra e vërtetë e aktiviteteve është e papërcaktuar.