Në edicionin e 21 të Panairit të Librit shkrimtari Ismail Kadare ishte me lexuesit për prezantimin e librit të tij “Kur sunduesit grinden”. Subjekti ka marrë shkas nga biseda telefonike, një shekull më parë, mes Stalinit dhe Pasternakut. Ky është subjekti që bashkohet me penën e shkrimtarit Ismail Kadare në librin e tij të fundit, paraqitur në panairin e librit “Tirana 2018″. Gjatë prezantimit shkrimtari foli rreth librit të tij, duke pohuar se sjell dhe sunduesit shpirtërorë. “Sunduesit janë dy palët e librit, ata që janë sundues, që quhen tiranët, diktatorët, por nga ana tjetër unë sjell këtu edhe sunduesit shpirtërorë. Këtu është një grindje mes Stalinit edhe Pasternakut. Është kaq e ngatërruar sa ka një shekull që nuk zbërthehet tamam”, u shpreh Kadare. Gjatë prezantimit të librit përkrah tij qëndronte bashkëshortja, shkrimtarja Helena Kadare. Për Helenën kjo është vepra, që shkrimtarit i ka marrë më shumë kohë nga gjithë të tjerat. “Ky libër nga gjithë përvoja ime, i ka ngrënë më shumë kohë se të gjithë librat e vështirë, sepse dokumentacioni sa vinte edhe shtohej, sepse tre minutat që Stalini ka marrë Pasternakun për ta pyetur përbën një nga enigmat më të mëdha. Për këtë bisedë janë dhënë shumë variante, shënimet e këtyre e kanë mbushur shtëpinë tonë ndër vite, sepse Ismailin gjithnjë e ka integruar kjo gjë. Ai ka dhënë variantet e tij bazuar në dëshmitë e shumë njerëzve, që kanë asistuar apo dëgjuar më pas se çfarë ka ndodhur. Po bëhen një shekull që kjo gjë ka ndodhur”, tregon shkrimtarja Helena Kadare. Ismail Kadare ka përfshirë edhe elementë autobiografikë në këtë libër. Ndonëse i gjithë libri është i përfunduar, ka dëshirën që në vazhdim ta rishikojë edhe njëherë mbylljen e këtij libri. “E gjithë pjesa që është shkruar, është krejtësisht e përfunduar. Mbetet fundi. Nuk është i kënaqur me fundin. Në fakt, nuk donte që ta çonte në shtyp. Edhe fundi bëhet fjalë për disa faqe, që mund ta ribëjë më vonë, siç ka bërë “Mosmarrëveshjen””, vijon Helena Kadare. Më tej ajo tregon se shkrimtari Ismail Kadare gjithmonë e ka çmuar faktin që lexuesi shqiptar e ka mbështetur. “Këtu mes lexuesit shqiptar ai është shumë i emocionuar”, pohoi më tej Helena Kadare gjatë prezantimit të librit.