Amerikanët i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe ish-Mbretit Zog. Ai bashkëpunoi me të në shumë raste për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, por tentativat dështuan. Më poshtë gazeta po bën një përmbledhje të dokumenteve të amerikanëve, ku tregohet se si iku Zogu nga vendi ynë, bashkëpunimi i tij me CIA dhe përplasjet me qeverinë e Egjiptit.
19 shtator 1949
Sipas kërkesës për informacion mbi ish-mbretin e Shqipërisë Zog, Zoti Church deklaroi informacionet e mëposhtme për të:
Asetet që kishte Ahmet Zogu
Ai ka 108 000 dollarë në bankën National City Bank, rreth 5000 dollarë në fondin Guaranty Trust, toka dhe një ndërtesë në Aleksandri me vlerë rreth 40 000 lira egjiptiane, xhevahiret e kurorës së Shqipërisë me vlerë rreth 200 dollarë, dhe rreth 750 000 dollarë në flori nga rreth 3.000 000 që mori me vete nga Shqipëria. Zogu ka detyrim moral të japë 115 dollarë në muaj për gjyshen e gruas së tij. Ajo është 82 vjeç, jeton në SHBA dhe njihet si Madame de Strahl D’Ekna. Ai nuk ka detyrime të tjera në SHBA. Në vende të tjera duhet të kujdeset për 4 motrat e gruas së tij dhe vëllain e saj, John Apponyi, i cili vuan nga tuberkulozi në një sanatorium të Siçilisë. Më tej nuk di të them, miku i tij Faruk, Mbreti i Egjiptit nuk e lë të futet në borxh në Egjipt. Asgjë nuk ka në SHBA, përveç llogarisë së tij në bankë. Ai nuk merr gjë nga shqiptarët këtu apo në vende të tjera. Ai paguan gjyshen e gruas së tij 115 dollarë në muaj, pagesat bëhen një herë në dy-tre muaj. Kryeministri i tij dhe roja personale, Martini, mbikëqyr gjithçka. Operacionet e tij të tregut të zi kryhet nga Konti Aleksandër de Villa, një zotëri elegant dhe shumë dinak. Por Zogu kryen shumë nga punët vetë, teksa përkthimet i bën gruaja e tij Geraldinë. Vetëm zoti Church dhe askush tjetër nuk komunikon me Zogun. Shumica e komunikimeve bëhet me letra te zonja Geraldinë, asnjë herë të drejtuara Zogut. Për çështjet urgjente përdoret telegrami. Nuk përdoren ndonjëherë korrierë, por Church e ka edhe këtë mundësi.
Çfarë kontaktesh ka Zogu në SHBA?
Përveç gjyshes së gruas së tij, është dhe Joseph Blackburn, i martuar me motrën e Geraldinës, Virginia. Ndërsa gruaja e Church është bija e kontit Seher-Thoss, kreu i inteligjencës gjermane gjatë Luftës I Botërore. Mamaja e saj ishte një amerikane që u detyrua të kryente vetëvrasje nga Gestapo gjatë Luftës II Botërore. Me sa di unë, Zogu nuk ka kontakte të tjera në SHBA.
A ka ai përfaqësues ligjorë në vende të tjera?
Ka një avokat në Aleksandri, por emri i tij nuk njihet. Dokumentet e Zogut i shkruan Church e më pas ato shikohen nga avokati egjiptian.
A ka ndonjë lidhje kompania e zotit Church me Shqipërinë aktualisht?
Kompania e Church nuk ka kontakte në Shqipëri. Zogu ka kontakte të vazhdueshme me individë klandestinë në Shqipëri. Georges Gog i cili kujdeset për sigurinë e Zogut shkon e vjen në Shqipëri, teksa anëtarë të botës së nëndheshme në Shqipëri vijnë shpesh në Egjipt.
A ka regjimi aktual pretendime ligjore ndaj Zogut?
Sigurisht që regjimi aktual pretendon rreth 3 milionë dollarë në flori që ai ka marrë, që me shumë gjasa janë para shtetërore. Zogu pretendon se po i shpenzon për oborrin e tij, por nga to vetëm 750 000 kanë mbetur. Askush nuk e di situatën e vërtetë ligjore apo tjetër.
Cilat janë planet e Zogut për të ardhmen?
Zogu ka në plan të marrë një shtëpi në Francë verën që vjen dhe të kthehet në Aleksandri në dimër. Është i fiksuar me idenë e kthimit në Shqipëri për të nxjerrë jashtë sovjetikët nga vendi. Ai po kërkon ndihmën ushtarake e materiale të SHBA, por mendon se mund të mbledhë mjaftueshëm ushtarë arabë për të formuar një ushtri, pasi është shumë mik me mbretin Faruk të Egjiptit. Church thotë se mund ta kontrollojë Zogun, por dëshiron të shoqërohet nga një oficer ushtarak i rangut kolonel ose më lart, për të folur mbi çështjet ushtarake. Zogu e pëlqen shumë anën ushtarake.
27 maj 1953
Memorandum drejtorit të inteligjencës
Subjekti: Lejimi i hyrjes në SHBA të mbretit Zog dhe familjes së tij
Ju kërkohet që të përdorni autoritetin tuaj sipas ligjit publik 110, për të kryer hyrjen në Shtetet e Bashkuara të mbretit Zog të Shqipërisë, gruas, shtatë motrave të tij, për arsye të kërkesave urgjente operacionale. Divizioni ynë ka konsultuar mënyra të ndryshme të arritjes së kësaj çështjeje, por pa sukses. Prej rreth dy vjetësh, mbreti Zog ka qenë një aset me vlerë për divizionin SE dhe infiltrimin e agjentëve të nivelit të lartë në Shqipëri dhe sinjalizimet tregojnë për avantazhe edhe më të mëdha në të ardhmen. Për arsye të vlerës së tij operacionale, ne po e ndihmojmë atë të vendosë familjen në shtëpinë e tij në Long Island në Nju Jork, ku ai kërkon të qëndrojë për një kohë të pacaktuar, derisa situata politike në Shqipëri të lejojë kthimin e tij. Për arsye të natyrës patriarkale të familjes së tij, dëshira e tij për t’u vendosur në SHBA nënkupton shoqërimin e tij nga familja. Zogu nuk dëshiron të avancojë pretendimet e tij politike duke hyrë në SHBA, dhe mendon se hyrja në vend me vizë emigranti do të cenonte prestigjin e tij në lidhje me fronin mbretëror. Asistenca e CIA për Zogun përfundon me marrëveshjen për hyrjen e tij në SHBA pa pagesa financiare.
Justifikimi operacional
Marrëdhënia e CIA me mbretin Zog të Shqipërisë vitet e fundit është bërë mjaft e vlefshme në një operacion delikat dhe kompleks. Megjithëse mbreti Zog nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me frontin politik të CIA, në formën e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), partia e tij e Legalitetit që favorizon kthimin e monarkisë, është e përfaqësuar në Komitet. Vetë Zogu ka qëndruar në hije, por ka prestigjin personal si një faktor i rëndësishëm në skenën politike shqiptare. Zogu ka treguar në disa raste se e konsideron mendimin e Shteteve të Bashkuara të rëndësisë së parë, dhe ky favorizim së bashku me faktin se ka një numër të madh ndjekësish, është i rëndësishëm për operacionet tona, teksa në dy vitet e ardhshme mund të bëhet e mundur përmbysja e regjimit në Shqipëri. Për nga pikëpamja e CIA, prania e Zogut në Nju Jork lehtëson kanalet e ndërlidhjes mes divizionit të CIA, SE dhe mbretit shqiptar në emigracion.
Gjatë viteve 1951-1952, Zogu na ka mbajtur të informuar për tentativat e tij të afrimit me jugosllavët për përmbysjen e pushtetit të Tiranës, me një raport të detajuar të bisedës me dy përfaqësues të qeverisë jugosllave në Shkup, në gusht të vitit 1952. Megjithëse u pranua se çështja do të ndiqej më tej, asnjë avancim nuk është bërë nga jugosllavët. Zogu do të na mbajë të informuar dhe ka ndërmend ta rihapë çështjen me ta.
Shtator 1953
Raport i zhvillimeve operacionale
1. Zhvillime të përgjithshme
Radio Greqia e Lirë, më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator, qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht.
Dëbimi i Zogut
U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-mbretit shqiptar Zog në SHBA. Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të Ministrisë së Brendshme Egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh. Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona. Me anë të kontakteve të tij, Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i Jashtëm i Egjiptit se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë juridiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga Ministria e Brendshme.
Viti 1953
Versioni sovjetik i historisë moderne të Shqipërisë
Publikuar në Moskë dhe Prishtinë
Pjesët e mëposhtme janë marrë nga libri i Nikolali Shmelev, “Novaja Albanija” (Shqipëria e Re), i publikuar fillimisht në Moskë në 1951. Duke parë këmbënguljen e vazhdueshme të BRSS me ndihmën për çlirimin e Shqipërisë, është interesante të shikojnë se çfarë saktësisht Bashkimi Sovjetik pretendon se ka bërë për çlirimin e Shqipërisë. Këtu ia vlen gjithashtu të theksohet se emri i Mehmet Shehut nuk përmendet asnjëherë gjatë tregimeve të luftës çlirimtare, të gjitha datat janë dhënë ashtu si në tekst. Në të kaluarën, Shqipëria ka shërbyer si para të gatshme në duart e imperialistëve. Populli shqiptar ka luftuar kundër banditëve imperialistë për të rifituar territorin e tij. Me forcë dhe stoicizëm ai ka luftuar kundër pushtuesve italianë, gjermanë e grekë, që kanë përpjekur të uzurpojnë pjesë të ndryshme të vendit. Fitorja e revolucionit të madh socialist të tetorit në Rusi, frymëzoi shqiptarët të nisnin luftën deçizive për liri dhe pavarësi. Lufta shqiptare e pavarësisë arriti dimensione të paprecedenta. Në janar 1920, një takim i përfaqësuesve të prefekturave shqiptare u mbajt në Lushnje, i cili refuzoi idenë e protektoratit të huaj (mandatin italian të shpallur nga Konferenca e Paqes e Parisit në 1920) dhe e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke formuar qeverinë e saj. Më 28 qershor 1920, për të parandaluar një revolucion popullor në Shqipëri, qeveria italiane hoqi dorë nga protektorati. Më 9 nëntor 1920, këshilli i ambasadorëve në Londër u detyrua të konfirmojë formalisht pavarësinë e Shqipërisë. Por ky veprim përsëri nuk e ndryshoi pozitën e vendit, i cili mbetej i varur nga fuqitë imperialiste. Të korruptuar prej bashkëpunimit të gjatë me pushtuesit e huaj, fisnikëria feudale e vendit që kishte uzurpuar postet drejtuese, bënte Pazar sa majtas, djathtas me interesat e vendit të tyre. Politika të tilla tradhtare ishin simbol i regjimit të Ahmet Zogut, një nga fisnikët më të mëdhenj feudalë, drejtues i klikës feudale myslimane. Politikat antipopullore dhe antikombëtare të Ahmet Zogut zgjuan zemërimin mes masave. Në vitin 1923, qeveria e Zogut humbi në zgjedhjet kombëtare por përsëri, me gjithë shprehjen e vullnetit të popullit, ai ruajti pushtetin.