Një ditë pasi do dilte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarja e Gjykatës së Apelit në Vlorë, Alma Liçaj ka gjykuar çështjen e ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe tre personave të tjerë.
Ndoshta kjo është çështja e fundit që gjyqtarja gjykon në karrierën e saj, pasi ditën e martë doli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe tashmë pritet vendimi nga KPK nëse Liçaj ka arritur të kalojë procesin e Vettingut.
Sipas ‘Shqiptarja.com” të hënën, një ditë para se Liçaj të udhëtonte në drejtim të Tiranës, ku do përballej me raportin e anëtarëve të KPK, kjo gjyqtare ka zgjedhur të gjykojë çështjen penale me të pandehur ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe të pandehurit e tjerë Artur Haxhi, Doriana Sulaj dhe Ridvan Mersinaj. Gjika në këtë proces penal akuzohej nga prokuroria e Vlorës për katër akuza dhe më konkretisht “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentash”, “Fshehje të provave të krimit” dhe “Ndërtim të paligjshëm”.
Lidhur me këto katër akuza, prokuroria e Vlorës dhe më konkretisht prokurori Albert Kuliçaj, ka kërkuar në pretencën e tij të dhënë në shkallën e parë, 8 vite burg për Gjikën, por këto akuza janë rrëzuar në gjykatën e Apelit Vlorë, e cila ditën e hënë e ka shpallur të pafajshëm ish-kryebashkiakun.
Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj, Petrit Aliaj dhe Iliba Bezati, i kanë dhënë pafajësinë ish-kryebashkiakut.
Kujtojmë se Prokuroria e Vlorës akuzonte ish-kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika në lidhje me akuzat e ndërtimit të një pallati 11-katësh në Vlorë.