Prej orës 09.00 kanë mbërritur në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare, Mid’hat Frashërit.
Aktualisht, po zhvillohen homazhe në ambientet e Akademisë së Shkencave, ndërsa ka rënë në sy një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, madje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë për t’i bërë nderimet.
Megjithatë, pavarësisht interesit të madh për të marrë pjesë në homazhe, duket se Garda e Republikës ka vënë në zbatim masa të rrepta sigurie.
Gazetarët dhe mediat nuk janë lejuar të ndjekin nga afër ceremoninë. Ky fakt është konfirmuar nga gazetari i ‘News 24’, Erion Skëndaj, i cili raportoi në transmetim ‘live’ se nuk kanë munguar edhe incidentet.
“Kjo s’na kishte ndodhur më parë, pra që gazetarët të mos lejohen të marrin pjesë në ambientet e brendshme të Akademisë së Shkencave. Madje, u shënua edhe një incident me një fotoreporter, i cili nuk është lejuar nga Garda të shkrepte as edhe një foto. Madje, edhe një tufë me lule është skanuar”, u shpreh gazetari.