Atentati mafioz mikut të Shullazit, Edison Harizaj me precedentë të theksuar kriminalë, hetohej për zhdukjen e Albano Xhaferrit

0
531

Qyteti bregdetar i Durrësit do të tronditej mbrëmjen e së martës me një atentat mafioz, ku u ekzekutua, Edison Harizaj, 39 vjeç, i njohur si miku i Shullazit dhe Genci Caci 33 vjeç. Ky i fundit fillimisht mbeti i plagosur rëndë por nuk mundi ti mbijetojë plagëve të marra duke ndërruar jetë dje në Spitalin e Traumës. Harizaj i njohur si i forti i Vlorës dyshohet se ishte pjesë objektiv i këtij atentati mafioz. 39-vjeçari nuk është i panjohur për autoritet në vend, pasi që në vitin 1999, ka qenë i dënuar nga Gjykata e Vlorës, ndërsa ka qenë i dyshuar për një sërë ngjarjesh të tjera. Ai prej 4 muajsh ishte vënë nën hetim nga prokuroria e Vlorës për zhdukjen e Albano Xhaferrit. Gjithashtu viktima e atentatit të së martës është hetuar dhe për atentatin me eksploziv ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen pasi makina e tij u hodh në erë në mes të Vlorës, në 9 shtator të vitit 2011. Ndërsa në qershor të vitit 2012, tek rrethrrotullimi i Shëngjinit, ai u arrestua në një makinë të blinduar me Emiljano Shullazin. Pas verifikimit në polici, i riu nga Vlora u la i lirë por gjatë gjithë kësaj periudhe deri në verën e këtij viti, ka qenë nën mbikëqyrjen e policisë. Ekzekutimi ndodhi në lagjen nr.13 të Durrësit, rreth orës 22:50. Në këtë atentat sipas grupit hetimor kanë marrë pjesë dy automjete ku njëri i ka prerë rrugën “Audit”, me të cilin po udhëtonin dy viktimat ndërsa nga një automjet tjetër është qëlluar me breshëri kallashnikovi duke lënë të vdekur 39-vjeçarin, Edison Harizaj dhe plagosur rëndë mikun e tij Genci Caci, i cili do ndërronte jetë në spitalin e traumës pa u mbushur 24 orë nga ngjarja. Vetëm pak orë pas ngjarjes, policia gjeti të djegur një automjet tip “Mercedes-Benz”, me të cilin dyshohet se është kryer atentati që i mori jetën Harizajt. Referuar burimeve, dyshohet se autorët, të cilën dyshohet se janë të paktën tre persona, e kanë djegur mjetin, në mënyrë që të humbnin gjurmët dhe janë larguar prej andej me një mjet tjetër. Konkretisht, makina është gjetur në Shën Vlash të Durrësit, ndërsa nuk dihet drejtimi nga i cili janë larguar autorët, pasi zona nuk ka as kamera sigurie. Kujtojmë se pothuajse në të gjitha vrasjet e fundit në vend, autorët përdorin mjete të grabitura dhe pas vrasjes, i djegin ato në mënyrë që të humbasin gjurmët dhe çdo provë shkencore. Ende nuk dihen motivet konkrete të krimit dhe as se kush qëndron pas tij, por ajo që dihet se autorët i kanë ndjekur viktima që do të vrisnin. Kjo do të thotë se atentati ka qenë i mirëorganizuar.

Hetimet

Policia e Durrësit, në bashkëpunim me prokurorinë, kanë shtrirë hetimet në tre qytete, Durrës, Vlorë dhe Tiranë. Ndërsa është bërë shoqërimi i mbi 10 personave, për marrjen në pyetje të tyre, por ende nuk ka asnjë arrestim. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, marrja e disa dëshmive pranë vendit ku ndodhi atentati, grupi hetimor ka bërë ndërtimin e ngjarjes. Automjeti tip “Audi”, me shofer Gentian Cacin dhe pasagjer Edison Harizajn, ishte duke udhëtuar në drejtim të Kavajës, kur para i ka zënë rrugën një makinë dhe nga një makinë tjetër është qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke lënë të vdekur në vend Harizajn dhe mikun e tij. Pas atentatin, autorët janë larguar në drejtim të Shën Vlashit, ku kanë djegur makinën, e cila ishte e grabitur dhe janë larguar me një tjetër mjet. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, ka sekuestruar kamerat e sigurisë në disa biznese, pranë vendit ku ndodhi atentati, për të qartësuar më shumë lëvizjet e mjeteve, si dhe janë duke këqyrura tabulatet e numrave që mund të kenë pasur viktimat, për të pare komunikimet e fundi të tyre, gjë që do qartësonte më shumë shkaqet dhe motivet e ngjarjes, por edhe do ndihmonte hetuesit në identifikimin e autorëve. Metoda e përdorur në atentatin ndaj të Edison Harizajt, është e njëjtë me vrasjet e ndodhura në Shkodër përgjatë muajve të fundit, duke krijuar dyshime se autorë të ngjarjes janë vrasës me pagesë, ose kjo një nga metodat efikase, ku deri më tani, asnjëri nuk është zbuluar. Burime nga grupi hetimor, thonë se pista kryesore është ajo e rrëmbimit dhe vrasjes në Vlorë, ndërsa për nga mënyra e atentatit, duket se është një kryer nga grupe kriminale.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here