Frikë nga trazirat, Klop nuk e merr Xherdan Shaqirin në Beograd

0
390

Liverpuli do të përballet sot në mbrëmje në Beograd me Crvena Zvezdën në kuadër të xhiros së katërt në grupin C të Ligës së Kampioneve. Ndeshja e parë midis tyre që i takonte xhiros së tretë në grup ka përfunduar me fitoren e thellë të anglezëve 4-0. Në kuadër të këtij takimi të radhës, trajneri Jurgen Klop nuk ka pranuar ta fusë Xherdan Shaqirin në listën e lojtarëve që do të jenë në Beograd mbrëmjen e sotme. Duke parë situatën e krijuar në radhët e kundërshtarëve, qëndrimet mediatike dhe histerinë e tifozerisë serbe, tekniku gjerman i Liverpulit vendosi të mos e grumbullojë Shaqirin për këtë ndeshje dhe në një konferencë për shtyp shprehu dëshirën që lojtari ta kuptojë këtë vendim të tij. duke thënë se ndeshja duhet të ishte brenda kontureve të futbollit, Klop nuk e fshehu që prania e Shaqirit mund të prishte punë dhe të rrezikonte objektivat e skuadrës, pasi në një stadium ku nuk e duan ai mund të ndihej nën presion dhe të shfaqte probleme. Me pak fjalë Jurgen Klop nuk dëshiron të rrezikojë lojtarin në një ambient armiqësor. Siç shprehen edhe mediat angleze, tekniku i Liverpulit, Jurgen Klop, duke parë problemet dhe kërcënimet e shumta në drejtim të shqiptarit, ka sqaruar publikisht se Shaqiri nuk do të udhëtojë me skuadrën në këtë transfertë, ndërkohë që tregon edhe arsyet. Ai është i bindur se Shaqiri do ta kuptojë vendimin e tij dhe se ka shumë ndeshje të tjera ku ai do të luajë, por jo në këtë rast. “Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet dhe flasim për pritjen që Shaqiri do të merrte dhe megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne do të shkojmë dhe duam të jemi të përqendruar 100% vetëm në futboll e nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpuli, një klub i madh, një ekip futbolli dhe nuk kemi asnjë mesazh përtej kësaj. Ne nuk kemi mesazhe politike. Duam që fokusi të jetë në një ndeshje futbolli, që nuk varet nga asgjë tjetër. Duam të jemi të respektueshëm dhe duam të evitojmë çdo problem të mundshëm, pasi po shkojmë vetëm për të luajtur futboll. Pra, për këtë arsye, Shaqiri nuk është i përfshirë dhe ai e pranon dhe e kupton këtë. “Shaqa” është lojtari ynë, e duam dhe do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën. Kam dëgjuar shumë gjëra të mrekullueshme për qytetin e Beogradit dhe vendin e Serbisë në tërësi, nga miqtë dhe kolegët që e kanë vizituar më parë”, u shpreh Klop.

Serbët hiqen sikur nuk u intereson çështja “Shaqiri”

Ndërsa në mediat angleze pëshpëritej deri në një atentat ndaj Shaqirit, për shkak të urrejtjes së serbëve ndaj shqiptarëve, një teknik serb është përpjekur të minimizojë zgjedhjen e Liverpulit për të mos e marrë kosovarin në Beograd. Kështu, trajneri i Cërvena Zvezdës, Vladan Milojeviç, nuk ka pranuar të komentojë vendimin e Liverpulit për ta lënë jashtë skuadrës Xherdan Shaqirin për përballjen mes dy klubeve në Ligën e Kampionëve. Klubi anglez sot njoftoi se nuk është i sigurt se çfarë pritje do të marrë Shaqiri në Serbi. Kjo edhe pas deklaratave nga serbët se ylli shqiptar nuk mund të ketë siguri pas festës që bëri me shqiponjë në Euro 2018 ndaj Serbisë në golin e fitores për Zvicrën. FIFA kishte gjobitur Shaqirin bashkë me Granit Xhakën, të dy futbollistë shqiptarë të Zvicrës, që realizuan golat në fitoren 2 me 1 dhe që festuan me shqiponjë. Në konferencën për media, para takimit të së martës në “Champions”, Milojeviç ka thënë se klubi i tij do të luajë për të bërë krenare gjithë Serbinë. “Për klubin, Beogradin, Serbinë dhe gjithë rajonin nesër është rast i rëndësishëm dhe mezi presim të jemi në spektakël. Do të bëjmë më të mirën që mundemi. Një nga skuadrat më të mira në Evropë dhe botë vjen tek ne. Mendoj se do të jetë spektakël në stadium dhe na pret atmosfera që vetëm tifozët tanë dinë ta bëjnë”, ka thënë ai. Në ndeshjen e parë, Liverpuli i Shaqirit kishte fituar 4-0 në “Anfield Road”.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here