Hakerat sulmojnë qeverinë: Më 5 nëntor, do dalin të dhëna “bombastike”

0
494

Anonymous Italia, grupi i aktivistëve hacker të lidhur me rrjetin e piratëve informatikë botëror Anonymous, ka nisur një fushatë sulmi kundër portaleve institucionale italiane me objektiv final, të godasin qeverinë e formuar nga koalicioni politik “5 Yje dhe Lidhja”.

Përmes një videomesazhi të shpërndarë në Youtube, hakerat kanë informuar se më 29 tetor e deri më 5 nëntor kanë nisur javën e zezë “black week”, kundër sistemit qeverisës në Itali.

“Në këtë javë synojmë t’i japim fund kësaj heshtje, thuhet në këtë video-komunikatë të tyre. Nëse nuk keni parë asgjë e nëse krimet e kësaj qeverie mbeten të panjohura për ju, këshillojmë të mos i kushtoni vëmendje datës 5 nëntor, por nëse shihni atë që shohim ne, nëse mendoni atë që mendojmë ne, e nëse jeni në kërkim të asaj çka kërkojmë ne, qëndroni pranë nesh për të mos pranuar më gënjeshtrat e mbytjen nga heshtja që detyron ky shtet.”

Anonymous Italia informon se në emër të barazisë, lirisë e drejtësisë, diçka e pazakontë do të ndodhë më 5 nëntor 2018, një zgjedhje jo e rastësishme e kësaj date e lidhur me ngjarjen historike të 5 nëntorit 1605 kur Guy Fawkes, anëtar i një grupi komplotistësh katolikë anglezë tentuan të vrasin mbretin Giacomo të Anglisë e të gjithë anëtarët e parlamentit anglez të mbledhur në Dhomën e Lordëve.

“E dimë, shprehen hakerat italianë, se pse e votuat këtë qeveri. Kishit frikë nga luftrat, atentatet, shpërthimet, sëmundjet, kishit frikë nga masa e emigrantëve dhe refugjatëve, e kaosi mendor ju çoi të votoni këtë qeveri. Ju premtuan rregull e paqe në shkëmbim të heshtjes tuaj e konsensusit bindës.”

“E vërteta është se në këtë vend ka diçka të tmerrshme, mizore, të padrejtë, jo toleruese e shtypëse. Po kush është fajtori’?” pyesin piratët e informatikës.

Prej 29 tetorit e deri më sot, Anonymous Italia ka hakeruar disa portale Universitetesh italiane me shpjegimin se “kanë vendosur të godasin fillimisht Universitetet pasi për ta studimi e kultura u intereson shumë e se janë të mendimit se duhet të jenë të arritshme për të gjithë”.

“Universitetet janë vendet ku shkruhet e ardhmja e një vendi dhe ne këtë synojmë”, thonë ata.

“Synojmë të përfshijmë sa më shumë të rinj e studentë të Universiteteve në betejat që Anonymous kryen prej vitesh.”

Në blogun e tyre Anonymous Italia ka publikuar listën e portaleve institucionale të hakeruar nga 29 tetori deri më sot. Sulmet informatike janë të koordinuar ditë pas dite e në bazë sektori.

Më 29 tetor, piratët informatikë kanë sulmuar sektorin e arsimit duke hakeruar Departamentin e Inxhinierisë Informatike në Universitetin e Romës si dhe Universitetin e Veronës.

Më 30 tetor kanë hakeruar portalet e disa sindikatave italiane e të organizmave të idustrialistëve sipërmarrës italianë.

Më 31 tetor kanë hakeruar sektorin e shëndetësisë publike në disa institucione në rajonin e Reggio Calabrias e në provincën e Legnanos.

Në shënjestrën e tyre është vënë dhe Partia Lidhja e zëvëndëskryeministrit Matteo Salvini.

“Ju kujtohet , thonë Anonymous Italia, ajo shumë “e vogël” parash që Lidhja thotë se është vjedhur e që shteti italian kërkon t’i kthehet pas me një taksë interesi shumë më të vogël sesa taksa që paguan një qytetar i thjeshtë për të paguar kredinë e shtëpisë. E pra një pjesë e vogël e kësaj shume “të vogël” prej 49 milionë euro mund të shërbente për të financuar Universitetet ashtu si dhe shumë e shumë fonde të tjera të shpërndara anekënd vendit pa asnjë qëllim të caktuar e veç për t’u futur në xhepin e hajdutëve që ulen në poltronet e shtetit.”

Media dhe gazetarët italianë po i kushtojnë një vëmendje të veçantë kësaj jave të zezë të sigurisë informatike në Itali, duke kujtuar datën 2 nëntor, Ditën Botërore kundër krimeve ndaj gazetarëve, që i kujton çdo gazetari e punonjësi të informacionit se pretendon fort të drejtën e tij për të dhënë informacionin e të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Pavarësisht nga qëllimi final i Anonymous, për mediat italiane përbën shqetësim fakti i shpërndarjes e publikimit të të dhënave private të personave online, por dhe detyrimi për të infromuar publikun mbi rrezikun që sjell ndaj çdokujt mos mbrojtja si duhet i të dhënave personale.

Të gjithë presin kuriozë e me shqetësim atë çka do të ndodh më datë 5 nëntor, ditë kur Anonymous Italia ka premtuar zbulimin e të dhënave “bombastike”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here