“11 deputetë të përfshirë në korrupsion?”, Vangjeli paralajmëron furtunë në politikë

0
505

Emisioni “JAVA” në RTSH ka sjellë një këndështrim më të gjerë rreth hetimeve për atë që tashmë quhet në media si ‘grupi i Lezhës’. Analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se në këtë rast duhet të ndiqet gjurma e parave, ndërsa sipas tij për këtë rast ka dyshime se janë të përfshirë dhe deputetë dhe të zgjedhur të tjerë vendor.

“Për të hetuar krimin apo një rrjet kriminal mënyra më e mirë është të ndiqet gjurma e parave.

Paratë të çojnë tek krimi dhe paratë shpjegojnë motive, arsye dhe dëshmojnë emrat e autorëve të krimeve.

Kësaj here, gjithçka nisi nga Lezha, u kryqëzua në Lezhë dhe po përgatit një kryq ndëshkimi në segmentin Tiranë – Lezhë.

Një raport i hershëm i KLSH-së zbuloi një dramë të egër tjetërsimesh me pronat në qarkun verior të vendit, me det, laguna, pyje e lumenj.

Prona shtetërore që kishin ndërruar pronarë njëri mbas tjetrit dhe pronarë fallso të cilët kishin të gjithë një gjë të përbashkët: kishin profesione të lidhura me politikën.

Ndër ta, deputetë, të zgjedhur vendorë, zyrtarë lokalë, drejtues policie të cilët kanë të regjistruara në hipoteka troje, apartamente, lokale dhe pasuri të tjera të patundshme.”

Ndërsa më tej, ai shtoi se përgjimet për këto prona sollën edhe një seri arrestimesh javën e shkuar, në një operacion që u shtri në disa qytete. “Përgjimet për llogari të hetimit për këto prona dhe kryqëzimi me përgjime të tjera të bëra nga shërbime partnere që prej dy vjetësh të shkuara që synonin hetimin e trafikut të drogës nga kufiri me Kosovën drejt portit të Durrësit, sollën një mori arrestesh javën e shkuar, në Has, Shkodër, Durrës e të tjerë.”.

Por, Vangjeli gjithashtu paralajmëroi edhe furtunë në politikë, pasi sipas tij tetë deputetë të së djathtës dyshohen për korrupsion, po ashtu një tjetër deputet socialist dhe dy të LSI-së. “Dy ish-deputetë socialistë ranë në pranga, tetë deputetë të së djathtës janë nën dyshime të forta për korrupsion, një tjetër deputet socialist, dy të LSI-së dhe dy kryetarë e ish-kryetarë bashkie janë gjithashtu nën dyshime të forta për manipulime me pronat dhe marëdhënie të parregullta me botën e krimit.”-tha ndër të tjera Vangjeli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here