“Balkan Contemporary Music Festival” nis edicionin e dytë më 30 tetor. Festivali, i organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve Shqiptarë (A.C.A), synon nxitjen e bashkëpunimit nëpërmjet njohjes mes muzikantëve në rajonin e Ballkanit dhe mbështetjen, të një tregu të qëndrueshëm të zhvillimit të muzikës bashkëkohore në rajon. Drejtor i “Balkan Contemporary Music Festival” kompozitori Dorian Çene pohon se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet krijimit të kontakteve mes artistëve, shoqatave të kompozitorëve, dhe interpretimit reciprok të veprave të autorëve të rajonit. ““Balkan Contemporary Music Festival” edhe në këtë edicion zhvillon idenë fillestare, mbi të cilën është themeluar, pra promovimin e muzikës artistike bashkëkohore të kompozitorëve të vendeve të Ballkanik e në mënyrë të veçantë të atyre shqiptarë. Në edicionin e dytë do të mbahen rreth pesë koncerte”, tregon Çene. Muzika sllovene do të përfaqësohet në koncertin e parë të këtij festivali, ditën e martë datë 30 Tetor në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, nga Matej Grahe (flaut) dhe Luca Ferrini (piano), të cilët do të interpretojnë vepra nga kompozitorët sllovenë dhe dy autorë shqiptarë. Këngëtari Ismet Vejseli dhe pianistja Dunja Ivanova do të përfaqësojnë Maqedoninë në koncertin e datës 8 nëntor, ndërkohë që ndryshe nga edicioni i parë, këtë vit është marrë në konsideratë dhe një koncert me artistë të ftuar nga Italia. Do të jetë një trio fizarmonikash me Francesco Coluccia, Michele Bianco dhe Giovanni Fanizza, të cilët do të interpretojnë në qytetin e Vlorës një repertor të zgjedhur me vepra nga kompozitorë të rëndësishëm të repertorit të fizarmonikës. Krijimtaria muzikore shqiptarë në këtë festival do të materializohet në dy koncerte, njëri prej të cilëve do ti dedikohet tërësisht kompozitorëve të rinj shqiptarë, ndërkohë që tjetri do të përmbajë krijimtarinë muzikore të kompozitorit Thoma Gaqi.
Krijimtaria në skenë
Drejtori artistik Dorian Çene pohon se ndryshe nga edicioni i parë, e reja e këtij viti nënvijëzohet nga rëndësia e pjesëmarrjes së krijimtarisë muzikore të kompozitorëve shqiptarë. “Pavarësisht koncerteve të artistëve shqiptarë në secilin nga koncertet e tjerë, instrumentistët e ftuar nga jashtë, do të interpretojnë edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë”, tregon Çene. Ansambli slloven do të interpretojë vepra të Zacharian dhe Çene, ai maqedonas vepra nga Sina dhe Tole, ndërkohë që trio e fizarmonikave do të interpretojë vepra nga Peçi dhe Naçi. Sipas drejtorit të festivalit, duke implementuar një praktikë të tillë, bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe njohja reciproke mes artistëve të rajonit, përbën edhe synimin kryesor të këtij aktiviteti, që do të mund të sigurojë një vazhdimësi afatgjatë dhe cilësore. Po ashtu, drejtori artistik Dorian Çene bën me dije se dhe kompozitorëve të rinj shqiptarë do t’ju dedikohet një mbrëmje e veçantë, duke sjellë një risi. “Kjo jo për të diferencuar për nga cilësia, por duke qenë të vetëdijshëm që mundësitë e kompozitorëve të rinj për interpretimin e krijimtarisë së tyre janë shumë më të kufizuara se ato të krijuesve tashmë të konsoliduar, për të krijuar më shumë hapësirë dhe mundësi interpretimi”, vijon ai. Por e veçantë e këtij edicioni, do të jetë dhe koncerti portret që do të mbahet datë 13 nëntor për kompozitorin Thoma Gaqi. Ky koncert vjen në kuadër të 70 vjetorit të kompozitorit të njohur dhe programi i tij është konceptuar të përmbajë vepra të para dhe pas viteve 90 duke synuar paraqitjen, për sa është e mundur, progresive të qasjes estetike në muzikën e Gaqit. Drejtori artistik i festivalit dhe president i Albanian Composers Association (A.C.A) Dorian Çene tregon se mbështetja e institucioneve shtetërore për këtë aktivitet, krahasuar me edicionin e parë, ka ardhur në rritje. “Kjo shpresojmë të jetë e qëndrueshme qëkurse mbështetja e këtij aktiviteti, në thelb, përkthehet në mbështetje të kompozitorëve shqiptarë dhe krijimtarisë sonë muzikore” përfundon Çene. “Balkan Contemporary Music Festival” këtë vit gëzon mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, sikurse dhe të Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë, ndërkohë që zhvillohet në partneritet me Universitetin e Arteve dhe shoqatat e kompozitorëve të vendeve të Ballkanit.
Nga Julia Vrapi