Suela Bako sjell dramën “Tri gra dhe Misugi” premierë në Teatrin Eksperimental

0
866

Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen me regji nga Suela Bako premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra është një dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët. Vepra teatrore vjen premierë në skenë më 18 tetor për të vijuar dhe net të tjera për publikun. Rolet në dramën premierë luhen nga Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj. E njohur në skenën e teatrit si aktore, këtë herë si regjisore Suela Bako tregon se ka qenë një vepër që e ka pasur në mendje për ta realizuar në skenë para disa vitesh. “Veprën e kam menduar që para 13 vitesh. Nuk kam mundur dot ta sjell më parë në skenë, kam tentuar herë pas here, por nuk ka qenë e mundur ta realizoja. Më në fund erdhi momenti për ta sjellë në skenën e teatrit për publikun”, pohon regjisorja Suela Bako. Për herë të parë si regjisore në skenën e teatrit, Suela Bako tregon se ka qenë një punë shumë impenjative për realizimin e shfaqjes premierë. “Në Shqipëri ka ardhur para shumë vitesh me përkthimin e Elena Kadare, por unë veprën time e sjell me përkthimin e Anxhela Çikopanos, që është dhe në dramatizimin e veprës bashkë me mua. Ne vijmë me një projekt me të cilën kemi ambicie për të sjellë një shfaqje të mirë dhe një frymë të re. E rëndësishme, që unë vij për herë të parë në teatër si regjisore dhe bashkëregjisore me Romirin. Vij me një punë kaq impenjative sa është dramatizimi dhe përshtatje për në skenë e veprës”, vijon të tregojë regjisorja Suela Bako për shfaqjen, që do të jetë në skenë në datat 18-19-21-25-26-27-28 tetor në sallën Gëte, në Teatrin Eksperimental.

Drama në skenë

Sipas regjisores Suela Bako në dramën premierë “Tri gra dhe Misugi” publiku do të gjejë ndjesitë njerëzore. “Publiku do marri dashurinë, pasion, trishtim, dhimbje. Kam një ndjesi timen që nuk do të flerë i qetë ai që do të vijë të shohë këtë shfaqje, sepse autori ka hyrë kaq thellë te femra dhe mashkulli, dhe të gjithë e ndjejnë veten brenda veprës të përfshirë. Është kaq pranë nesh me ato që përcjell vepra”, tregon mes të tjerave regjisorja Suela Bako. Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen si një shfaqje brenda shfaqjes. Regjisorja Suela Bako tregon se kjo pjesë vjen në kohë, por duke e ruajtur veprën. “Në një shfaqje të konceptuar si teatër brenda teatrit, përmes distancimit në intervalet mes monologjeve (letrave) zbërthejmë marrëdhënien njerëzore aktor- regjisor me kompleksitetin e saj, e cila shkon në rrafsh paralel me rrëfimin e personazheve të Inoues. Unë e kam sjell në kohë, duke ruajtur atë që ka vepra”, vijon regjisorja Bako. Regjisore dhe aktore në dramë, Suela Bako para publikut vjen me tre personazhe japoneze në skenë. Për aktoren Suela Bako vështirësia qëndron në faktin se si ato transformohen. “Në vepër jam nën petkun e tri personazheve japoneze, të tri grave. Ato zhvillohen, transformohen në skenë. Mendoj që në këtë rast vështirësia qëndron pikërisht tek kalimi nga njëra tek tjetra”, shprehet ajo. Premiera vjen në skenë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë, Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Përkthyer nga Anxhela Çikopano, dramatizuar nga Çikopano e Suela Bako, skena, kostumet dhe poster design nga Laedia Hajdari, lighting designer Edi Dingu, video dhe foto nga Gert Izeti dhe muzika Eliona Ismalaj.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here