Shqipëria 60 vjet në UNESCO kulmoi me një aktivitet në Tiranë. Në njoftimin zyrtar, Ministria e Kulturës bën me dije se në këtë aktivitet u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore. Mes tre ministrave të tjerë, Nikolla, Klosi dhe Bushati, si dhe ambasadorëve e përfaqësuesve të UNESCO-s, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro bëri një kronologji të shkurtër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt kësaj organizate. Ajo përmendi Butrintin, si pasurinë e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992.
“Butrinti dëshmonte se ishim dhe jemi banorë të një vendi ku ka gjurmë të rëndësishme të qytetërimeve të hershme, që nga ai ilir, helen apo romak. Jemi pjesëmarrës në ndërtimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit europian. Është pikërisht ky stof i hershëm i thurur së bashku, që bëhet baza e së ardhmes sonë. Një e shkuar që ndërton të ardhme”, tha Kumbaro.
Për Gjirokastrën dhe Beratin, ministrja u shpreh se këto dy qytete janë shembuj të rrallë që tregojnë edhe një dimension tjetër të ne shqiptarëve; bashkëjetesën fetare. “Dëshmi edhe një here se paqja që mëtojmë ndërtohet përmes njohjes, pranimit dhe pasurimit nga tjetri, i ndryshmi prej teje. Ne mund ta japim një shembull të tillë bashkëjetese fetare pra edhe përmes trashëgimisë së pasurisë sonë kulturore ku ruhen njëlloj pranë njëra tjetrës kisha, xhamia e teqe”, theksoi Kumbaro. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se bashkëpunimi në fushën e kulturës nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm me pranimin e Butrintit, Gjirokastrës, Beratit apo Isopolifonisë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Aktualisht Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera.
“Kjo përpjekje nuk mbyllet këtu por do të vijojë me përpjekjet për praninë në po këtë listë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase, dosja e së cilës është dorëzuar tashmë dhe pritet miratimi në sesionin e korrikut të 2019. E më pas me sitet në tentativë si qyteti antik i Apollonisë, Amfiteatri i Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës”, tha Kumbaro. Duke vlerësuar bashkëpunimin me UNESCO-n, ministrja e Kulturës përmendi gjithashtu edhe punën e përbashkët për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit, që do të përfundojë në pranverën e ardhshme, miratimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ngritjen e muzeve të rinj dhe punën e nisur për rehabilitimin e Muzeut Historik Kombëtar.