Filmi “Hija e diellit” është një tjetër projekt për të cilin pritet të nisin xhirimet. Me skenar nga Dritan Masareja, filmi sjell në role aktorë të njohur në jetën artistike. Dy regjisorët e filmit Dritan Masareja dhe Julian Canameti në filmin e tyre kanë aktorë si Bruno Shllaku, Eva Alikaj, Mimoza Marjanku, Gjergj Doçi, etj. Aktori i njohur Bruno Shllaku tregon se është një projekt, i cili që në skenarin e tij është ndryshe në kinemanë shqiptare. “Ky film pavarësisht se si është i konceptuar prej Dritanit, e shikoj katërcipërisht në filmat e neorealizmit italian. Nëse dikush do të lexojë skenarin e filmit do të thotë jashtëzakonisht i bukur. Nuk është një skenar filmi klasik siç jemi mësuar ne në kinemanë tonë, por është me disa personazhe që janë dhe ireal, si gjigandi përshembull”, pohon aktori Bruno Shllaku. Sipas aktorit, filmi “Hija e diellit” xhirimet do ti ketë kryesisht në det. Ai tregon se vendi i përzgjedhur është porti i Gjenovas në Itali. Udhëtimi i dy regjisorëve për filmin nisi nga mbështetja që i dha Qendra Kombëtare Kinematografike skenarit. Historia që ata kanë zgjedhur për ta ekranizuar nuk ngjason me historitë e prodhimeve kinematografike të viteve të fundit. Personazhi kryesor në film duket se i ngjan përpjekjeve të tyre për të ecur në rrugën e kinemasë. Si skenarist Masareja ka shkruar një skenar për të gjithë ata që besojnë tek ëndrrat, duke u dhënë një mundësi që t’i ndjekin. Këtë herë në rolin është dhe aktorja e njohur Eva Alikaj. Me një aktivitet të pasur artistik aktorja e njohur vjen me një tjetër personazh, ku së bashku me aktorët e tjerë do të sjellin ngjarjet dhe historinë në filmin “Hija e diellit”. Një subjekt, i cili kërkon të tregojë përpjekjet e dy artistëve të rinj jo vetëm për të realizuar një film, por dhe për të prekur ëndrrën e tyre. Një histori e marrëdhënieve të thjeshta njerëzore, siç është dhe personazhi që do të interpretohet nga Eva Alikaj, marrëdhënia e saj me vajzën e sëmurë, dhe drama e jetës.Personazhet kryesore në këtë film do të jenë, dy miq të ngushtë fëmijërie. Juli është një regjisor i përkushtuar, i martuar me gruan shtatzënë, ndërsa Tani aktori i tij i preferuar. Tani punon në një fermë kuajsh pronë e zotit Frederik të trashëguar brez pas brezi. Ai është i pasionuar pas kuajve dhe merret me gara me pengesa, ku ka dalë dhe dy herë rresht kampion. Të dy djemtë po mundohen të çajnë në rrugën e filmit.
Puna me filmin
Në filmin “Hija e diellit”, që pritet të nisë xhirimet aktori i njohur Bruno Shllaku tregon se regjisorët i kanë besuar rolin e kapitenit. Sipas aktorit në qendër të filmit është jo vetëm ndjekja e ëndrrave për ti realizuar ato, por është dhe familja. “Filmi ka në qendër të vëmendjes familjen. Çdo njeri niset me ëndrra për të kryer diçka siç është ëndrra e këtyre dy djemve, që duan të jenë regjisorë filmi dhe të xhirojnë. Ky në fakt është një lajm sensacional për trevën ku jetojnë, dhe janë të bindur që do t’ia arrijnë qëllimit të tyre, dhe deri diku e arrijnë. Ata fillojnë të vënë në vijë punën e xhirimit të filmit, pagave të artistëve, etj, por kur ata kthejnë kokën pas kanë lënë familjet e tyre pothuajse në mëshirë të fatit, duke u marr pas pasionit të tyre me xhirimin e filmit. E gjithë historia e filmit është familja, ku njerëzit merren me biznesin, merren me të gjithë planet e përditshme, dhe këta të dy si regjisorë harrojnë familjet, dhe automatikisht fillojnë dhe shpërbëhen”, pohon aktori Bruno Shllaku. Roli i kapitenit duket se i përshtatet aktorit të njohur Bruno Shallkau. Me një peshkarexhë personazhi i tij duhet të largohet për disa muaj nga shtëpia, dhe pas lë gruan në pritje.“Personazhi im është roli i një kapiteni, që drejton një peshkarexhë. Një peshkarexhë që nuk kthehet për 3-4 muaj në udhëtim. Ky kapiten ka një familje të mrekullueshme. Ka një grua, por ky njeri vërtetë fiton para, por e di që spirancën me anijen e hedh në det, dhe sa herë që ikën kur kthehet pas 3 muajve e gjen atë duke pritur. Në film është drama e dy regjisorëve që kanë filluan punën me filmin, si dhe e këtij peshkatari”, pohon aktori Bruno Shllaku.
Nga Julia Vrapi