U akuzua për “kallëzimit të rremë”, gazetari Olldashi kërkesë Prokurorisë

0
437

Audiopërgjimi i shumëpërfolur i ‘Babales’ rezultoi sipas prokurorisë, i rremë. Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me dije dy ditë më parë se personi që imitonte zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj është Fredi Alizoti për të cilin ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Prokuroria gjithashtu ka kërkuar detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashin që intervistoi të ashtuquajturin dëshmitari X, i akuzuar gjithashtu për kallëzim të rremë.

Pas u njoh me akuzën e “kallëzimit të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi i cili kohët e fundit kishte qendruar në heshtje, i ka dërguar një letër të gjatë me kërkesa dhe pyetje prtokurorisë.

Në këtë kërkesë drejtuar prokurorisë, përfaqësuesit ligjor të gazetarit kërkojë transparencë të plotë në këtë proces.

MË POSHTË KËRKESA E PLOTË:

Kërkesë

Të nderuar Prokurorë,

Në datën 06.10.2018, u vumë në dijeni nga media audiovizive që ndaj të përfaqësuarit prej nesh, Jetmir Olldashi, i datëlindjes 30.05.1981, lindur në Berat e banues në Tiranë, në adresën Rr. “Mikel Maruli”, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendim nr. 142, datë 06.10.2018, ka vendosur masën e sigurimit personal “detyrim për paraqitje”, në kuadër të procedimit penal nr. 95, viti 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në këtë moment, u vumë në dijeni që i përfaqësuari prej nesh, shtetasi Jetmir Olldashi, ka marrë statusin e personit nën hetim si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “kallëzim i rremë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 e 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Bazuar në nenin 34/a të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë të na vihen në dispozicion:

Kopje e plotë e akteve të administruara deri në këtë fazë të hetimit në ngarkim të shtetasit Jetmir Olldashi, në kuadër të procedimit penal nr. 95, viti 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Përveç akteve të tjera, të ndodhura në dosje, kërkojmë nga ana Juaj që të na vihen në dispozicion, sa më poshtë:

Kopje të procedurës së zhvillimit të shortit për caktimin e prokurorit/prokurorëve për kryerjen e veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 96, viti 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda;

Aktet procedurale të marrjes sëmodel eksperimental të zërit të shtetasit Agron (Geron) Xhafaj;

Urdhrin/urdhrat e Prokurorit për caktimin e ekspertit për marrjen e model eksperimentaltë zërit të shtetasit Agron (Geron) Xhafaj;

Llojin, modelin, numrin e serisë dhe çdo të dhënë tjetër teknike të pajisjes së përdorur për marrjen e model eksperimental të zërit të shtetasit Agron (Geron) Xhafaj;

Kopje tëmodel eksperimental të zërit, të dhënë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të administruar prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhënë nga ana e kallëzuesit Agron (Geron) Xhafaj, në kuadër procedimit nr. 95, viti 2018;

Deklarimet e shtetasit Agron (Geron) Xhafaj, në kuadër të këtij procedimi penal;

Aktet procedurale të marrjes sëmodel eksperimental të zërit të personit nën hetim Fredi Alizoti;

Urdhrin/urdhrat e Prokurorit për caktimin e ekspertit për marrjen e model eksperimental të zërit të personit nën hetim, Fredi Alizoti;

Llojin, modelin, numrin e serisë dhe çdo të dhënë tjetër teknike të pajisjes së përdorur për marrjen e model eksperimental të zërit të personit nën hetim Fredi Alizoti;

Kopje tëmodel eksperimental të zërit të dhënë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhënë nga ana e personit nën hetim, Fredi Alizoti, në kuadër procedimit nr. 95, viti 2018;

Deklarimet e personit nën hetim, Fredi Alizoti, në kuadër të këtij procedimi penal;

Deklarimet, dhënë para prokurorit, nga ana e personit nën hetim, Albert Veliu;

Urdhrin/urdhrat për caktimin e ekspertit/ekspertëve për kryerjen e ekspertimit të audio-regjistrimit për krahasimin e zërave të gjendur në materialin audio, bazuar në nenin 182 të Kodit të Procedurës Penale;

Urdhrin për caktimin e detyrës së ekspertit, në zbatim të nenit 183 të Kodit të Procedurës Penale;

Vendimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për caktimin e ekspertëve të huaj, në rast se ka, për realizimin e ekspertizës të audio-regjistrimit, duke na përcaktuar qartë shkaqet e kësaj vendimmarrjeje;

Kopje të përgjigjes së ekspertit të huaj, nëse ka, mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për kryerjen e aktit të ekspertimit mbi audio-regjistrimin, objekt shqyrtimi në këtë procedim penal;

Kopje të aktit të ekspertimit të ekspertit të huaj, nëse ka, në gjuhë origjinale dhe të përkthyer nga autoritetet shqiptare, mbi audio-regjistrimin, objekt shqyrtimi në këtë procedim penal;

Kopje të dokumentacionit, në të cilin organi procedues, bazon dyshimin për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë” dhe elementët e kryerjes së kësaj vepre në bashkëpunim;

Për realizimin e mbrojtjes efektive të të përfaquarit tonë dhe realizimin e një hetimi të plotë e të gjithanshëm, kërkojmë nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, përgjigje për sa më poshtë:

A janë kryer hetime për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal të RSH, në kuadër të procedimit penal nr. 95, viti 2018? Nëse po, ju lutemi të na vini në dispozicion një kopje të veprimeve të kryera deri më tani në ngarkim të shtetasit Agron (Geron) Xhafaj;

Në bazë të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” të ndryshuar, a po kryeni hetime për shtetasin Agron (Geron) Xhafaj dhe personat e lidhur me të, sipas përcaktimeve të këtij ligji?

A janë administruar deklarimet publike për këtëçështje të shtetasve Edi Rama, me funksion Kryeministër i Republikës së Shqipërisë; Fatmir Xhafaj, me funksion Ministër i Brendshëm, Taulant Balla, deputet i Kuvendit të Shqipërisë?

A janë thërritur nga organi procedues zyrtarët e sipërcituar si persona që mund të kenë dijeni për kryerjen e veprës penale?

A është administruar akti i ekspertimit “model eksperimental zëri”, i kryer në mënyrë private, nga ana e shtetasit Edi Rama, me funksion Kryeministër i Republikës së Shqipërisë për vërtetësinë ose jo të audio-regjistrimit, objekt shqyrtimi në procedimin penal nr. 95, viti 2018?

A ka kryer organi i Prokurorisë hetime mbi faktin që zyrtarët e sipërcituar, në mënyrë publike dhe të përsëritur, kanë deklaruar se kanë dijeni të plotë mbi rezultatet e hetimit, kohë para se të njihej i përfaqësuari prej nesh, personi nën hetim, Jetmir Olldashi?

Ju lutem na shpjegoni arsyen përse Prokuroria ka njoftuar me SMS gazetarët dhe median përpara se të njoftohej zyrtarisht personin nën hetim, i përfaqësuari prej nesh, Z.Jetmir Olldashi.

Kjo kërkesë bëhet në bazë të nenit 34/a të Kodit të Procedurës Penale me qëllim që të njihemi me të gjitha provat, aktet dhe të gjitha veprimet procedurale të ndodhura në fashikullin hetimor të procedimit penal nr.95 të vitit 2018, për të garantuar një mbrojtje të plotë dhe efektive për të përfaqësuarin prej nesh, Z.Jetmir Olldashi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here