Studiues dhe historianë u bënë bashkë në aktivitetin, që sillte në vëmendje pasurinë kulturore në muzetë polakë, por dhe periudhën e Holokaustit. Ambasada e Polonisë në Tiranë në bashkëpunim me Shoqatën Poloni -Shqipëri dhe Muzeun Historik Kombëtar organizuan dy leksione të hapura nga dr. Joanna Minksztym: “Bukuria e gjetur. Koleksione të artit popullor në muzetë polake”, si dhe prof. asc. Jolanta Mindak-Zawadzka: “Hebrenjtë dhe Shqiptarët në periudhën e Holokaustit-narrativë interneti”. Aktivitetin e përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, i cili tha se bashkëpunimi me Ambasadën e Republikës së Polonisë në Tiranë dhe Shoqatën Poloni -Shqipëri nisi me dy referate interesant dhe tregues për trashëgiminë tonë kulturore. “Kufijtë kulturorë mes dy popujve janë të bashkuar tashmë nëpërmjet ekspozimit të objekteve të trashëgimisë kulturore nga Shqipëria dhe Kosova në muze të ndryshëm në Poloni”, tha mes të tjerave dr. Dorian Koçi. Më tej në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar vijoi se referati i dytë nga prof. asc. Jolanta Mindak-Zawadzka na sjell në mendje periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku shumë shqiptarë strehuan dhe mbrojtën shumë familje hebrenje nga pushtuesit nazistë. “Edhe këtu në Muzeun Historik Kombëtar kemi një kënd, në Pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dedikuar familjeve hebreje në Shqipëri dhe familjeve shqiptare të cilët i ndihmuan” vijoi drejtori Dorian Koçi gjatë këtij aktiviteti në muze. Po ashtu në fjalën e tyre dhe dy studiuesit folën për punën që kishin bërë për veprat e tyre studimore dhe faktet që përcillnin. Në kampin e Aushvicit u vranë mbi 2.000.000 hebrenj. Përveç hebrenjve, në kampet e përqendrimit u vranë dhe u zhdukën edhe pjesëtarë të popujve të tjerë. Këtu numërohen rreth 22.600.000 polakë, 750.000 rusë, 750.000 rumunë, 402.000 hungarezë, 180.000 çekë dhe sllovakë, 108.000 holandezë, 104.000 lituanezë. Nga këto shënime del se hebrenjtë kishin pësuar më së shumti. Në disa vende të Evropës, popullsia vendase vetë i dorëzonte hebrenjtë në duar të nazistëve. Por pati popuj të atillë që i fshihnin dhe strehonin dhe i mbronin hebrenjtë. Shembulli më i njohur janë shqiptarët. Hebrenjtë në Shqipëri nuk përjetuan fatin tragjik të bashkëkombësve të tyre.