Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është shprehur për herë të parë lidhur me tezën e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kadare shprehet se është pro një marrëveshje, por kjo nuk duhet të ndodhë në dëm të sovranitetit të Kosovës.
Copëtimi i Kosovës, këmbimi i territoreve, ridefinimi apo “korrigjimi” i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, etj, të gjitha këto propozime dhe hipoteza, për shkrimtarin nuk janë të panjohura, por ai, më shumë se ide, i quan spekulime dhe lojë me zjarrin për destabilizimin e rajonit.
Kadare në intervistën e dhënë për ‘’Presheva jonë’’ pajtohet plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe i bashkohet zërave të tyre për paprekshmërinë e kufijve, të cilat sipas shkrimtarit të njohur, janë “gjëra jo vetëm të ndjeshme në Ballkanin e përzierë, por edhe të rrezikshme për perspektivën e rajonit pas gjithë atij mundi, pas gjithë atij investimi, energjie nga ndërkombëtarët për promovimin e paqes dhe vënies së stabilitetit në rajon, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe tmerrit që kishte përjetuar Ballkani këto vitet e fundit”.
Madje, sipas z. Kadare, “nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë…”.
Më pas, duke komentuar situatën e nxehtë në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” .
Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”.
Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekullit te shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare ne thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Krahinës së Preshevës të cilat treva i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu. Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë.”
“Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thënë në fund Kadare shkruan Presheva Jonë.