Opera “Rozafa” vepër e kompozitorit David Tukiçi ishte programuar në kalendarin artistik për këtë vit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra nuk u vu në skenë gjatë këtij viti, çka ka sjellë dhe reagimin e kompozitorit David Tukiçi “Mjeshtër i Madh”, i cili i drejtohet drejtoreshës së TKOB, se ku duhet të shkojnë autorët shqiptarë për të vënë në skenë operat kombëtare. Kompozitori Tukiçi shprehet se vepra e tij ka qenë dhe fituese në projektet e Ministrisë së Kulturës. Përmes një reagimi në rrjete sociale, kompozitori shprehet se operën “Rozafa” e përfundoi së shkruari në fund të vitit 2021. “Babai im thoshte që një kompozitor i vërtetë duhet të shkruajë patjetër një opera lirike në karrierën e tij. I frymëzuar nga këshilla e tij, por edhe nga dashuria për gjininë e operës, arrita të përfundoj operën time të parë “La vita è sogno”, e cila u shfaq me sukses për tre net radhazi në Teatrin e Operës dhe Baletit në vitin 2010, në Tiranë. Në fund të vitit 2021, përfundova së kompozuari operën time të dytë, bazuar në legjendën “Rozafa”, me libret të dramaturgut të mirënjohur shqiptar, z. Fadil Kraja”, shprehet Tukiçi në rrjete sociale.
Më tej kompozitori thotë se pas shumë përpjekjeve për ta shfaqur në Shkodër apo Tiranë, më në fund vepra arriti të planifikohej në kalendarin artistik të TKOB-së për tu vënë në skenë në datën 22 – 23 shtator 2023. “Gjithashtu kjo opera u shpall projekt fitues nga Ministria e Kulturës për vitin 2023. Por, në fillim të muajit mars 2023, pra 6 muaj përpara datës së shpallur në kalendar, skenografi dha dorëheqjen nga ky projekt dhe po atë ditë, drejtoresha e përgjithshme znj. Abigeila Voshtina, e hoqi nga programacioni operën “Rozafa”!”, shprehet kompozitori. Tukiçi thotë se ndihet i keqardhur nga ky veprim dhe se i ka kërkuar drejtoreshës së TKOB, që të mund të zëvendësohej skenografi me një tjetër. Por kompozitori thotë se nuk mori përgjigje për operën, që u hoq nga programacioni. “E cilësoj si një vendim arrogant, pa një shpjegim logjik dhe dashamirës, do të thoja edhe mediokër për një person të diplomuar në muzikë! Sigurisht, i keqardhur nga ky veprim arbitrar, i kërkova zonjës Voshtina që të mund të zëvendësohej skenografi me një tjetër, pasi kishim gjysëm viti kohë. Njëkohësisht, duke i rikujtuar drejtoreshës, se në një opera lirike, kryesore janë libreti dhe muzika, ndërsa skenografia, kostumografia, regjia etj., janë shumë të rëndësishme, por gjithmonë në funksion të libretit dhe muzikës. Por drejtoresha nuk denjoi të më kthejë asnjë përgjigje!”, shprehet ai.
Vepra jo në kalendarin e vitit 2024
Në datën 20 dhjetor 2023 kur u shpall kalendari i vitit 2024 për TKOB, kompozitori David Tukiçi tregon se mori pjesë i bindur që opera e tij “Rozafa” do të ishte vendosur në kalendarin e vitit që vjen. “Por, për habinë time, vura re që pavarësisht se jemi në 70 vjetorin e themelimit të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit Shqiptar, dhe kur zonja Voshtina nuk rresht së thëni që “TKOB nuk do të pushojë së foluri shqip”, kishte vetëm një vepër shqiptare, me shpjegimin qe 30 për qind e publikut janë të huaj! E pyeta drejtoreshën Voshtina: -Kur mendoni ta vendosni në skenë operën legjendë “Rozafa” që këndon në gjuhën shqipe? Nuk më ktheu përgjigje!!”, thotë kompozitori. Më tej Tukiçi shkruan se shpjegimi i saj është absurd, në një përvjetor shumë të rëndësishëm për operën kombëtare (70 vjetori), ku prezantohet një opera e re shqiptare, bazuar mbi një legjendë shqiptare (Rozafa), me kompozitor dhe dramaturg shqiptar (Fadil Kraja). “Do të ishte në kënaqësinë dhe nderin e publikut shqiptar, por edhe çdo publiku të huaj (30 për qind), të dëgjonte dhe të njohë një opera të re shqiptare, natyrisht edhe në nderin tim si David, kompozitor shqiptar! Opera ime “Rozafa”, e aprovuar nga Teatri i Operës dhe fituese nga Ministria e Kulturës, nuk interpretohet me vendim personal të “drejtoreshës” Voshtina!”, thotë kompozitori.
Më tej në reagimin e tij David Tukiçi shprehet se pavarësisht nga edukata personale, formimi i saj muzikor, etj, ajo ka për detyrë institucionale të integrojë një vepër kombëtare në programacionin e Operës. “Duke lënë anash shijen, miqësitë, simpatinë apo antipatinë personale. Përndryshe, mendoj, ajo duhet t’i lejë vend dikujt tjetër, që i shërben me vepra dhe jo me fjalë Operës dhe artit shqiptar! Përsëri e pyes “drejtoreshë” Voshtinën: -Ku duhet të shkojmë ne kompozitorët shqiptarë për të vënë në skenë operat tona nacionale të shkruara mbi trashëgiminë tonë të mrekullueshme kombëtare?!”, shprehet kompozitori David Tukiçi. Reagimit të kompozitorit i janë bashkuar dhe të tjerë artistë, duke u shprehur se kjo vepër duhet të ishte në skenë.