Mazhoranca e Edi Ramës mbushet me “heronj të heshtur”, shumë ministra, kryebashkiakë dhe drejtorë me një këmbë në burg, ja dosjet e bujshme që ndodhen në SPAK

0
103

Vitit 2022 u mbyll me shumë zhvillime të forta politike, por sa i takon drejtësisë, ngjarjet ishin të pakta. I vetmi zhvillim ishte arrestimi i ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, ndërkohë që “mamuthët e korrupsionit”, veçanërisht ata nga radhët e Partisë Socialiste, vijojnë ende të shijojnë lirën dhe livadhisin, duke mos “iu hyrë gjemb në këmbë”, ndonëse janë përshirë në afera korruptive dhe kriminale. Ditën e parë të punës si kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani e nisi duke përdorur një gjuhë therëse për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin. Po a do të arrijë, Dumani i njohur si prokurori pakompromis, që së bashku me 17 prokurorët e tjerë të tronditë themelet e korrupsionit tek zyrtarët e lartë dhe krimit të organizuar gjatë vitit 2023? Publiku ka besim tek SPAK, por a do të mundet Prokuroria e Posaçme t’i rezistojë presionit nga faktorë të jashtëm, sidomos nga mazhoranca socialiste, për shkak se zyrtarët e saj rrezikohen nga darët e SPAK. Po cilat janë çështjet më të nxehta që priten të hetohen, të cilat mund të çojnë prapa hekurave shumë zyrtarë dhe funksionarë të lartë shtetërorë? Këto janë disa nga pyetjet që shqetësojnë sot qytetarët shqiptarë dhe që për hir të transparencës meritojnë përgjigje nga autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri.

Afera e inceneratorëve

Mirëpo përpara se Prokuroria Speciale të flasë me vepra, gazeta “SOT” po sjell sot në kujtesën e opinionit publik dhe organeve të drejtësisë, disa nga dosjet e bujshme që ndodhen në tryezat apo ndodhen në sirtarët e prokurorëve të SPAK dhe që duhet të zbardhen, shumica e të cilëve kanë si subjekt hetimi ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetët, kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë, apo drejtorë dhe ish-drejtorë socialistë, të cilën akuzohen për abuzime dhe shkelje ligji. Bëhet fjalë për disa dosje “përvëluese”, çka më të drejtë tregojnë se mazhoranca e Edi Ramës është mbushur me heronj të heshtur, të cilët me apo pa dëshirën e tyre, duhet të sakrifikohen, duke rënë në burg, deri sa SPAK të rrite dhe të guxojë të trokasë tek maja e piramidës, duke i kërkura llogari, sikundër është kryeministri shqiptar. Çështja më e bujshme që ka marrë edhe vëmendjen më të madhe mediatike dhe që ka shkaktuar përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës padiskutim që mbeten koncesionet për ndërtimin e 3 inceneratorëve: të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Sipas hetimeve të deritanishme pritet që kjo çështje të vendosë përballë drejtësisë emra të njohur të politikës. Deri tani SPAK nuk ka guxuar. Afera me inceneratorët ka dërguar pas hekurave vetëm cironka, ndërsa emra si sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri; Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi; ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, apo edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, etj, nuk janë hetuar fare. Inceneratorët janë afera më e madhe korruptive dhe Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk mund të mjaftohet vetëm me hetimin e disa emrave fantazmë, pasi emrat e sipërpërmendur duhet të japin llogari. Kështu që nisur nga vendosmëria e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka premtuar luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit në nivele të lartë zyrtarësh, tregon se shumë shpejt do të kemi zhvillime të forta, ku shumë bashkëpunëtorë të kryeministrit Rama, pritet të arrestohen dhe përfundojnë në qeli.

Koncesionet në shëndetësi

Po ashtu, në duart e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme ndodhen edhe dy çështje të tjera të cilësuara tejet abuzive nga ana e opozitës siç janë “koncesioni i sterilizimit” dhe “çekapi”. Për konçesionin e sterilizimit të mjeteve spitalore është thirrur në 18 të këtij vitit edhe ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqja, i cili ka dhënë për disa orë shpjegime para prokurorëve të SPAK. Beqja gjatë kohës që drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, firmosi privatizimin e sterilizimit, hemodializës dhe kontrollit të detyrueshëm shëndetësor (check-up). Prokurorja Elida Kaçkini është duke hetuar për tenderin dhe procedurën e Check Up, ndërsa prokurori Edvin Kondilli çështjen e sterilizimit. Sipas burimeve nga SPAK, çështja e sterilizimi është drejt përfundimit të fazës së parë të hetimeve dhe që shumë shpejt pritet që të ketë rezultate. Por kush do të shkojë në burg për këtë çështje do të mbetet vetëm në kuadrin e funksionarëve të thjeshtë apo do të ketë arrestime edhe në nivele më të larta? Koncesioni i sterilizimi ishte me vlerë 100 mln euro. Sipas dosjes, ky koncesion ju dha privatit me argumentin se në spitalin shtetëror nuk kishin specialistët e duhur për të bërë sterilizmin e mjeteve kirurgjikale. Thuajse të njëjtët emra dyshohet se janë të përfshirë edhe në abuzime me koncesionin për kontrollit të detyrueshëm shëndetësor (check-up). Nga ana tjetër, SPAK ka nisur hetimet edhe për një prej aferave më flagrante në shëndetësi, me protagonistë biznesmenin kontrovers Janis Karathano dhe ministren Ogerta Manastirliun, dyshe e cila kanë ndarë miliona euro nga paratë publike. Bëhet fjalë për koncesionin korruptiv të 18 laboratorëve në spitalet universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes, me vlerë mbi 100 milionë euro. Sipas një dosje që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka referuar në SPAK, Ogerta Manastirliu dhe banda e saj në ministri, i kanë dhënë klientit të tyre Janis Karathano koncesionin në shkelje flagrante të ligjit. Edhe pse Ogerta Manastirliun ishte paralajmëruar nga Banka Botërore që kompanitë e Karathanos ishin të skeduara për aktivitet kriminal në Spanjë dhe si të tilla nuk duhet ta përfitonin koncesionin, sërish Manastirliun, duke shpërdoruar detyrën, ia dha koncesionin Karathanos. Pavarësisht ndërhyrjeve të paligjshme, lobimeve dhe alarmit të personave të implikuar, SPAK po vijojnë hetimet dhe duket se ka rënë në gjurmën e një prej aferave korruptive më serioze në sektorin e shëndetësisë. Fillimisht në pranga mund të bien anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit. Por, dy kokat mbi këta zbatues janë Ogerta Manastirliu dhe Janis Karathanos. Ndërkohë pas tyre qëndrojnë disa sekserë dhe sekserë, ish ministra dhe deputetë, të cilët dyshohet se kanë marrë një pjesë të parave.

Abuzimet e Xhaçkës

Ndërkohë edhe Partia Demokratike ka bërë padi në SPAK për drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, duke nisur nga Edi Rama, disa ministra,  deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë. Të gjithë personat janë kallëzuar për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Sakaq, PD ka dorëzuar kallëzim në SPAK edhe për ministren e Olta Xhaçka, me arsyetimet se sipas PD, kishte përdorur disa herë helikopterin ushtarak për qëllime elektorale. Po ashtu, Partia Demokratike ka dorëzuar një kallëzim në SPAK për Olta Xhaçkën dhe për kompaninë fituese të tenderit “EUROVIA”. PD në kallëzim shprehet se të akuzuarit kanë konsumuar 6 vepra penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”. Ndërkaq, ministrja Xhaçka është kallëzuar në SPAK edhe për abuzime me pronat e ushtrisë.

Zullumet e ministrave Manja dhe Balluku

Nga ana tjetër, në SPAK janë kallëzuar edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili dyshohet se është përshirë në krime zgjedhore. Por nuk ndalet me kaq, pasi Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK edhe ministren Belinda Balluku për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit. Kalata iu dha me koncesion për 5 vjet një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale, në shkelje flagrante të kërkesave për tënderin. Në padinë e PD, të dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion përfshihen edhe drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe kompania koncesionare, “Hili Company Limited”. Sakaq PD ka depozituar në SPAK një padi ndaj kryeministrit Edi Rama, ministreve Balluku dhe Ibrahimaj sa i takon portit të Durrësit. Ndërkohë akuza si i lidhur me krimin, opozita ka bërë edhe për kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndërsa vlen të theksohet se sot që flasim disa ish-ministria dhe ish-kryebashkiakë e ish-drejtorë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Lefter Koka, etj, ndodhen në burg, çka tregon se mazhoranca është mbushur me heronj të heshtur. Megjithatë, sot që flasim sfida kryesore e Prokurorisë Speciale mbetet arrestimi në nivelet më të larta të politikës, sidomos në radhët e PS. Në çdo raport SHBA e BE theksojnë që të shkohet te pushtetarët më të lartë dhe mbetet të shihet se sa guxim do të ketë SPAK, duke qenë se tani ka ndryshuar kreu i këtij institucioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here