Rrëzohet padia e Idajet Beqirit për Berishën dhe Metën, SPAK: Ja se kush e vodhi floririn e Krrabës, si hynë grabitësit në tunel duke rrëzuar murin me tulla të palidhura dhe ku i kishin fshehur monedhat e arta

0
310

Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar padinë e bërë nga avokati i njohur, Idajet Beqiri kundër ish-presidentit Ilir Metaj dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët i bën përgjegjës për megagrabitjen e floririt të Krrabës. Avokat Beqiri i kallëzoi në SPAK pak ditë më parë dyshen Meta-Berisha, të cilët i akuzon si të përfshirë në megavjedhje e floririt në fund të viteve ’90, ndërsa gjithashtu i akuzon si të përfshirë në korrupsioni dhe pastrim parash. Por këto akuza duket se “kanë rënë në vesh të shurdhët”, pasi Prokuroria Speciale ka vendosur të rrëzojë padinë e zotit Beqiri, me arsyetimin se nuk qëndrojnë dhe janë autentike. Gazeta “SOT” disponon vendimin e plotë të SPAK, të cilin avokat Beqiri do ta ankimojë në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas asaj që shkruhet në vendimin e Prokurorisë Speciale, zoti Idajet Beqiri konfirmoi gjatë dëshmisë së tij, se vendimin do e ankimoj pasi nuk është dakord me të për shumë arsye faktike dhe ligjore, të cilat vijnë në kundërshtim të hapur me parimet e së drejtës penale, me raportet e rëndësishme shoqërore që janë cenuar, pasi kemi të bëjmë me vjedhjen e thesarit të shtetit nga një ish President Republike, siç ishte Sali Berisha dhe ish-kryeministri Ilir Meta, të cilët duhet të japin llogari penale dhe civile për këtë krim të rëndë që kanë kryer dhe që e faktojnë vet para shqiptarëve me gojën e tyre.

Vjedhja e floririt nga Berisha dhe Meta në vitet 1997 dhe 1999

Në datën 07.10.2022, SPAK, përmes prokurores së çështjes znj. Manjola Kajana, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal kundër Sali Berishës, ish President i Republikës së Shqipërisë dhe kundër Ilir Metës, ish Kryeministër i Shqipërisë, të kallëzuar prej Av. Idajet Beqirit se në vitet 1997 dhe 1999 kanë vjedhur arin e shtetit shqiptar të ruajtur në tunelet e Krrabës. Në vendimin e mosfillimit Prokurorja e SPAK arsyeton sa vijon: “Unë, Manjola Kajana Prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi studiova materialin kallëzues nr. 142 nga përmbajtja e të cilit rezulton se kallëzuesi Idajet Beqiri kërkon ushtrimin e ndjekjes penale për vjedhjen e thesarit të Krrabës ndodhur në vitet 1997 dhe 1999. Sipas tij autorë /organizatorë të këtyre vjedhjeve janë ish funksionarët e lartë të Republikës së Shqipërisë, ai kallëzon si organizatorë të këtyre vjedhjeve shtetasi Sali Berisha në cilësinë e ish – Presidentit të Republikës të Shqipërisë dhe shtetasin Ilir Meta në cilësinë e ish Kryeministrit të Republikës të Shqipërisë si dhe disa persona të tjerë. Këto pretendime ai i bazon në të dhëna të marr nga rrjetet sociale, nga takimet që ai ka kryer me persona të ndryshëm, si dhe nga deklaratat publike që funksionarët e përmendur kanë bërë ndaj njëri – tjetrit në Kuvend.

Akuzat e avokatit Beqiri për Metën dhe Berishën

Më konkretisht ai kallëzon shtetasit e mësipërm se kanë konsumuar veprën penale të “Krijimi, organizimi ose drejtimi i grupit të strukturuar penal për kryerjen e veprave penale”, Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Vjedhja e bankave “,“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Fshehja e të ardhurave”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendore”, ’”Refuzim për deklarim , mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike , ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenit 333, 334,135,136,79,180,245, 257/a 259 dhe 287 te K.Penal. Kallzuesi pretendon se: më daten 13.3.1997 dhe në fund të vitit 1999, fillimi i vitit 2000, objekti shtetëror i rëndësisë së veçantë me vendndodhje në Kerrabë të Tiranës ku ruhej thesari i shtetit, është vjedhur me urdhër të ish Presidentit të Republikës Sali Berisha në 13 Mars të vitit 1997 dhe nga ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Kallëzuesi pasi përshkruan sesi në vitin 1992 thesari u vendos në Kerrabë, dhe u konsiderua objekt me karakter tepër sekret, i koduar me emrin “Lumi” dhe i përcaktuar si Vendstrehimi i Kryeministrisë në rast lufte , jep informacion për mënyrën e ruajtjes së objektit dhe nivelin e sigurisë së tij.

Roli i ish-bodiguardit të Berishës

Gjithashtu kallëzuesi parashtron se gjatë ngjarjeve të Marsit të vitit 1997, Sali Berisha, në cilësinë e ish Presidentit të Republikës, ka ngarkuar ish – bodigardin e tij, shtetasin Izet Haxhia, së bashku me grupin e tij të shoqërimit për ruajtjen e tuneleve ku ruhej thesari i shtetit. Po ashtu ish- Presidenti Berisha në datën 12 Mars 1997 ka larguar personat e mësipërm nga rruajtja e tuneleve të Krrabës me qëllim që t’i jepte mundësinë që këta të fundit të grabiteshin nga ish punonjësi i SHIK Xhahit Xhaferi dhe nga varësit e tij, dhe pikërisht më datën 13 Mars 1997 shtetasi Xhahit Xhaferi, Shaban Memia dhe persona të tjerë të armatosur të pajisur me çelësat e dyerve të blinduara të tuneleve dhe kodet e bravave elektronike , kanë hyrë në brendësi të tunelit ku ruhej thesari duke kryer vjedhjen e disa monedhave dhe sendeve me vlerë që ndodheshin në brendësinë e disa arkave. Kallëzuesi vijon se pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste me ne krye ish Kryeministrin Fatos Nano, ky i fundit nuk realizoi asnjë inventar të gjendjes faktike të “Thesarit te Krrabës”.

Në grabitje të përfshirë njerëz të Ilir Metës

Në mbështetje të pretendimit se vjedhja e thesarit të Krrabës është kryer nga funksionarë të lartë të asaj kohe, kallëzuesi i referohet inventarit të fundit që institucionet përkatëse kanë kryer në “Thesarin e Shtetit” të ruajtur në Krrabë dhe përkatësisht të datës 27 Shkurt 1997 në krahasim me inventarin e kryer më datën 07.04.2000 nga ku rezultuan mangësi të mëdha të monedhave prej ari të llojeve të ndryshme. Kallëzuesi vijon me parashtrimin e tij duke ngritur aludime/dyshime edhe në drejtim të ish- kryeministrit Ilir Meta i cili erdhi në pushtet në vitin 1999 dhe duke qenë se nuk u angazhua të kryente një inventar të “Thesarit të Kerrabës”, deri më datë 07.04.2020, madje duke prezumuar se ky mosveprim i ish-Kryeministrit Meta kishte për qëllim përvetësimin nga ana e tij të një tjetër pjese të “Thesarit të Krrabës”, e përfshin si autor të vjedhjes të thesarit edhe shtetasin Ilir Meta. Sipas kallëzuesit kjo grabitje e dytë është realizuar nga shoqëruesit e ish- Kryeministrit Meta dhe më konkretisht Kastriot Braho dhe Kastriot Koçi, të cilët janë afruar me helikopter në Krrabë duke pasur me vete çelësat dhe kodet e dyerve të tunelit dhe kanë realizuar grabitjen e dytë. Për më tepër, pas grabitjes, këta të fundit, të pajisur me pasaporta diplomatike nga ish-Kryeministri Meta, kanë transportuar në Zvicër thesarin e grabitur.

Idajet Beqiri flet me emra

Gjithashtu kallëzuesi përmend edhe emrat e disa personave, disa prej të cilëve banorë të Kerrbës dhe disa të punësuar në Forcat e Armatosura të cilët, sipas tij, janë akuzuar dhe dënuar në mënyrë të padrejtë për grabitjen e “thesarit” dhe se këto të fundit nuk e kanë pranuar kurrë fajin e kryerjes së veprës penale për të cilën u akuzuan. Këto pretendime kallëzuesi i përcjell sëbashku me disa ekstrakte të gazetave apo të nxjerra nga mediat oneline, nga artikuj të ndryshëm , nga ku evidentohen akuza publike apo deklarata të bëra në Kuvend, të deklaruara gjatë diskutimeve në prani të njëri-tjetrit, apo në mungesë, nga ana e dy ish- kryeministrave Berisha dhe Meta, duke u akuzuar publikisht reciprokisht për grabitjen e “Thesarit” të shtetit të ndodhur në ruajtje në Kerrabë. Në kallëzim përmendet edhe përmbajtj e aktit “autorizim” ku përmenden disa emra si persona që lejohet të hyjnë e të kontrollojnë të gjitha objektet nëntokësore dhe tokësore të rëndësisë së veçantë , sekrete dhe tepër sekrete në gjithë Republikën e Shqipërisë , ku përmendet edhe emri i shtetasit Ajet Ramçaj, ndër të cilët edhe një esktrakt i një dëshmie të shtetasit Ajet Ramçaj.

Ja kush e vodhi floririn në Krrabë

Në kuadër të këtij verifikimi të këtij materiali kallëzues nga ana jone u administrua Vendimi nr. 37 i Gjykatës Ushtarake të Rrethit Tiranë date 06.02.2001, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr. 52, datë 28.05.2001. Ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Lartë e cila me Vendimin nr. 661, datë 14.11. 2001 ka vendosur “Lënien në fuqi” të vendimit nr. 52, datë 28.05. 2001 të “Gjykatës së Apelit”. Nga përmbajtja e këtij vendimi rezulton se janë marrë si të pandehur dhe me vendimin e Gjykatës Ushtarake të Rrethit Tiranë nr. 31, datë 06.02. 2001 i formës së prerë janë dënuar përkatësisht shtetasit: Ahmet Hasan Hyka, për veprën penale të “Vjedhjes së bankave” në bashkëpunim parashikuar nga neni 136 dhe 25 i Kodit Penal, me 8 (tetë) vjet burgim; Pëllumb Fetah Dalti, për veprën penale të “Vjedhjes së bankave” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 136 dhe 25 i Kodit Penal, me 6 (gjashtë) vjet burgim; Enver Hasan Hyka, për veprën penale të “Vjedhjes së bankave” në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 136 e 25 dhe 22 i Kodit Penal, me 3(tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim; Arjan Osman Bishqemi për veprën pernale të “Shperdorimi i detyrës nga ushtaraku” parashikuar nga neni 70/1 i Kodit Penal Ushtarak, me 20 (njëzet) muaj burgim; Blerim Dilaver Haka, për veprën penale të “Shkelje të rregullave të shërbimit të rojes në objekt të rëndësishëm në kohën e gjendjes të jashtëzakonshme” parashikuar nga neni 42/3 i Kodit Penal Ushtarak me 3 (tre) vjet burgim; Gjykata Ushtarake vëren se gjatë gjykimit të pandehurit kanë pohuar veprimet e tyre dhe kanë treguar pendim të thellë për to, pavarësisht faktit se nuk e pranuan akuzën pasi ata “nuk e mendonin se po vidhnin Bankën e Shqipërisë”, gjate vjedhjes së monedhave prej ari.

Si hynë grabitësit në tunelin e Krrabës

Më konkretisht citojmë një ekstrakt të vendimit nr. 31, datë 06.02. 2001 të Gjykatës Ushtarake të Rrethit Tiranë: “Ne datën 13. 03.1997 të pandehurit Ahmet Hyka dhe Pëllumb Dalti në bashkëpunim me njeri– tjetrin duke përfituar nga situate e vështirë qe ishte në atë kohë dhe nga fakti se ushtarët e Gardës që ruanin objektin “Lumi” ishin liruar dhe se aty kishin mbetur pak policë, të cilët nuk kanë përballuar njerëzit të cilët kanë sulmuar për vjedhje, kanë hyrë nga dalja rezervë (Katarakti). Ata kanë hyrë në tunel, kanë ecur në thellësi dhe në dhomën e fundit kanë hipur mbi tavan në hapësirat që krijohen nëpërmjet shkëmbit dhe tavanit deri te një mur ndarës, të cilin përsëri sipas tyre e kanë gjetur me tulla të palidhura. Të pandehurit kanë zbritur tek dhoma e MCR-së dhe nga kjo dhomë duke përshkruar një distancë të vogël rreth 3 (tre) metër kanë hyrë në objektin “Çeliku” ku ndodhej në ruajtje një sasi ari e përbërë prej monedhash të prerjeve të ndryshme, si në napolonshe, 10 USD, 1 LTQ dhe 5 LTQ. Të dy të pandehurit kanë marrë secili nga dy qese me monedha të prerjes 1 LTQ të cilat kishin nga 1000 monedha LTQ (Më vonë ka rezultuar se sasia e vjedhur nga Pëllumb Dalti nuk ka qenë 2000 LTQ por 1534 LTQ, pasi qesja ka qenë e çarë). Pas kryerjes së këtyre veprimeve të pandehurit janë kthyer në shtëpinë e tyre dhe kanë fshehur arin e vjedhur. (Të pandehurit e kanë shpjeguar gjatë hetimeve mekanizmin e vjedhjes, është kryer eksperimenti hetimor dhe ata i kanë pranuar këto gjatë gjykimit). Në datën 13. 04.1997 i pandehuri Ahmet Hyka me vëllanë e tij Ahmet Hyka kanë shkuar përsëri për të vjedhur, por ndërkohë vendi ishte minuar (dera e dhomës së fundit ishte minuar nga xhenjeri Thimi Prifti, i cili kishte minuar gjithë objektin), dhe nga shpërthimi i minës është plagosur i pandehuri Ahmet Hyka. Kështu që të pandehurit Ahmet e Enver Hyka nuk kanë mundur të realizojnë vjedhjen. I pandehuri Ahmet Hyka për nevojat e tij familjare ka shitur floririn në Tiranë dhe Elbasan. Mbasi është zbuluar se ai ka treguar vendin ku ka fshehur monedhat që i kishin mbetur 517 copë LTQ në vendin tek “Blinjtë”. Ndërsa i pandehuri Pëllumb Dalti monedhat i kishte groposur në kufi të tokës të tij ku edhe ju gjetën 1534 copë LTQ. Gjithashtu të pandehurit Ahmet Hyka i janë gjetur edhe 50.000 leke të cilat ai ka deklaruar se i ka fituar nga shitja e monedhave të cilat i janë sekuestruar së bashku me monedhat. Organi i prokurorisë pas sekuestrimit i ka bllokuar dhe dorëzuar për ruajtje në Bankën e Shqipërisë, si dhe “Duke analizuar provat e mësipërme gjykata arrin në përfundimin se fakti ka ndodhur, ky fakt përbën veprën penale dhe autorët e tij janë Ahmet Hyka, Pellumb Dalti dhe Enver Hyka, ky i fundit në tentativë. Të pandehurit i kanë konsumuar plotësisht elementet e veprës penale për të cilën akuzohet, prandaj duhet të deklarohen fajtorë. Objekti të cilin ata kanë cënuar është tepër i rëndësishëm , Thesari i Shtetit i cili në bazë të Ligjit 8076, datë 22. 02.1996 Për Bankën e Shqiperisë, neni 13/1, mbahet dhe administrohet nga Banka e Shqipërisë.

Faktet që jep SPAK për të rrëzuar padinë e Idajet Beqirit

Kuadri ligjor, neni 136 Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit. Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se në herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Analiza e faktit penal në raport me ligjin e aplikueshëm: Në analizë të akteve të administruara me qëllim verifikimin e pretendimeve të pasqyruara në kallëzimin penal nr. 142/2022, nga organi i akuzës vlerësohet se, referuar parashikimit të dispozitës penale në lidhje me kualifikimin e faktit sipas vendimit përfundimtar të gjykatës dhe kohës kur ka ndodhur fakti penal objekt kallëzimi nga shtetasi Idajet Beqiri (pra nga data 13.03.1997) e deri në fund të vitit 1999) deri në këtë moment, datë 07.10 .2022, ndodhemi para faktit të parashkrimit të ndjekjes penale e për këtë arsye ky kallëzim penal duhet të mos fillohet bazuar ne nenin 290/1 gërma “a” e Kodit të Procedurës Penale, në lidhje me nenin 66/b të Kodit Penal. Nga verifikimi i kryer rezulton se në kohën kur kanë ndodhur vjedhjet organi i akuzës ka ushtruar ndjekje penale për vjedhjet e kryera dhe nga gjykata është proceduar me dënimin e disa shtetasve (Ahmet Hyka etj), të cilët janë deklaruar fajtor për vjedhjet objekt hetimi e gjykimi dhe për të cilat në kallëzimin e tij Idajet Beqiri, pretendon se duhen hetuar edhe Sali Berisa, Ilir Meta si organizatore te këtyre vjedhjeve etj. Vepra penale për të cilën kërkohet ushtrimi i ndjekjes penale , sipas kualifikimit të faktit bazuar në vendimet gjyqësore (i fundit ai me nr. 661, datë 14.11. 2001 i Gjykatës së Lartë), është ajo e parashikuar nga neni 136 dhe 25 i Kodit Penal, Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit e parashikuar shprehimisht ne këtë mënyrë:

Pse nuk hetohet dot Berisha dhe Meta?

Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 66 i Kodit Penal në fuqi (sipas ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 35/2017 parashikon se: “Nuk mund të bëhet ndjekje penale kur nga kryerja e veprës penale deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar … b) Njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënimin jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë. Ne kreun VIII-të të Kodit Penal ligjvënësi ka parashikuar një institut më vete në lidhje me shuarjen e ndjekjes penale, të dënimeve dhe mosekzekutimit të tyre. Brenda kuadrit të këtij instituti janë përfshirë dispozita të veçanta me parashkrimin e ndjekjes penale, (neni 66 i Kodit Penal) në lidhje me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, (neni 68 i Kodit Penal) dhe shuarjen e dënimit ose, sikurse e ka emërtuar vetë ligjvënësi, rehabilitimin (neni 69 i Kodit Penal). Kështu dispozita e nenit 66 të Kodit Penal që bën fjalë për parashkrimin e ndjekjes penale me të cilin duhet kuptuar ndalimi që ekziston me ligjin për të për ndjekje penale, në qoftëse, nga koha kur është kryer vepra penale, deri në momentin e marrjes s’i të pandehur të autorit të saj, kanë kaluar afatet e parashikuara në këtë dispozitë. Instituti i parashkrimi është një institut i rëndësishëm i të drejtës penale i parashikuar nga nenet 66, 67 dhe 68 të Kodit Penal. Parashkrimi s’i institut e lidh kalimin e afateve të caktuara me bërjen të pamundur të ushtrimit të ndjekjes penale dhe ekzekutimit të vendimit penal të formës së prerë. Ky institut vendos një kufizim kohor mbi organet kopetente shtetërore të ngarkuara me ushtrimin e ndjekjes penale dhe ekzekutimit të dënimeve në përputhje me karakterin human të legjislacionit penal të ndodhur në vitin 1997, 1999 dhe që kualifikohen si vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit, parashikuar nga neni 136 i Kodit Penal.

Pse nuk fillo n dot procedimi penal nga SPAK?

Në favor të mosfillimit të ndjekjes penale është edhe argumenti se një pjesë e veprave penale të kallzuara nga shtetasi Idajet Beqiri nuk kanë qenë të parashikuara nga Kodi Penal, dhe referuar parimit të ligjshmërisë dhe efektit të ligjit penal në kohë, parime të sanksionuara në Kodin Penal (neni 2 dhe 3 i tij), nuk ka dënim pa ligj dhe askush nuk mund të dënohet për një vepër që sipas ligjit te kohës kur është kryer, nuk përbën vepër penale, procedimi penal nuk mund të filloj (citojmë këtu veprat penale të pretenduara nga kallezuesi “Krijimi, organizimi ose drejtimi i grupit të strukturuar penal për kryerjen e veprave penale. Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal etj). Duke pasur parasysh këtë dispozitë, arrijmë në konkluzionin se procedimi penal duhet të mosfillohet nga ana jonë, për arsye të tjera të parashikuara në ligj dhe që lidhen me afatin e parashkrimit të ndjekjes penale. Për këto arsye mbështetur në nenet 290/1 germa “e”) dhe 291/1/2 të K Pr. Penale, VENDOSA: Mos fillimin e procedimit penal, që ka të bëjë me kallzimin penal nr. 142/2022 pasi është parashkruar afati i ndjekjes penale . Të njoftoj me këtë vendim kallëzuesin shtetasin Idajet Beqiri, i cili ka të drejtë të bëjë ankimin në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar Tiranë brenda 10 ditëve nga njoftimi i vendimit. Prokurore Manjola Kajana.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here